Drejtori artistik i Festivalit, Edmond Doko rrëfen se është krijuar një klub i posaçëm për ruajtjen dhe zhvillimin e atyre bandave frymore që kishin mbijetuar pas viteve ’90. Pas bashkëpunimeve me bandat ekzistuese u arrit organizimi i Festivalit të Parë vitin e kaluar në qytetin e Sarandës. Në prag të edicionit të dytë të këtij festivali, Edmond Doko në një intervistë për “Tirana Observer” jep detajet e paradës së bandave frymore në qytetin bregdetar.
Në fillim të korrikut do të organizohet në Sarandë Festivali i II-të i Orkestrave të Veglave Frymore? Ç’mund të na thoni për organizimin e këtij viti të festivalit?
Sivjet, më 12-14 korrik, do të organizojmë festivalin e dytë, kur përveç këtyre bandave që pak a shumë përmendëm do të marrin pjesë banda nga jashtë. Festivali në vetvete është një manifestim muzikor nëpër rrugët e qytetit të Sarandës, dmth gërshetohet edhe me ambientin, i vihet ky festival në shërbim qytetit të Sarandës, një qytet me resurse turistike, për ta bërë jetën e pushuesve dhe qytetarëve në periudhën e verës akoma më argëtuese. Kështu krijohen dy misione. Nga njëra anë, muzikantët, bandat promovojnë veten e tyre, arritjet dhe rezultatet e tyre gjatë një viti dhe, nga ana tjetër, ky lloj produkti artistik është dhe në shërbim të zhvillimit turistik të qytetit të Sarandës. Sivjet festivali është sigurisht më i avancuar se vitin e kaluar, marrin pjesë 12 banda. Ajo që duhet të theksoj është mbështetja që ka dhënë dhe Ministria e Kulturës, sigurisht bashkia e Sarandës, por edhe sponsori ynë gjeneral. Unë do të jem drejtor artistik i këtij festivali, ndërkohë që kryetari i bashkisë së qytetit të Sarandës, Edmond Gjoka është presidenti i festivalit dhe Fatos Jaho, pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura, është drejtues i projektit.
Pas sa kohësh arritët të organizonit një festival të tërë për orkestrat e veglave frymore?
Pas viteve ’90 duhet kuptuar që orkestrat, si çdo aspekt tjetër i jetës kulturore, por edhe më gjerë, pësuan tronditje, diku dhe u shpërbënë, por në qytetet kryesore ato arritën të mbijetonin falë pasionit të muzikantëve dhe drejtuesve të tyre, por edhe interesit të bashkive, të cilat nuk e harruan këtë pjesë të kulturës muzikore dhe qytetare.
Para dy-tre vitesh, një grup muzikantësh, do të përmendja kolegët e mi, pedagogë të Akademisë, iniciuan krijimin e “Klubit Kombëtar të Veglave Frymore”, qëllimi kryesor, i të cilit ishte ruajtja e kësaj tradite dhe zhvillimi i saj. Edhe për këtë u morën hapa konkrete. Do të përmendja këtu bashkëpunëtorët e mi të ngushtë, zotin Fatos Jaho, do të përmendja zotin Bektash Mahmuti, kolegun Halim Teqja etj.
Cili ishte procesi që u desh për të rimëkëmbur këto orkestra frymore?
E filluam duke bashkëpunuar me bashkinë Tiranë, për të rikrijuar bandën frymore të bashkisë së Tiranës, e cila u rikrijua pas disa vitesh ngërçi, ndërkohë ajo është inkuadruar para Qendrës Kulturore Tiranë dhe vazhdon aktivitetin e saj në bazë të këtij plani dhe paralelisht filluam kontaktet me autoritetet lokale të qytetit të Shkodrës, Elbasanit, Fierit, Vlorës dhe sidomos të Sarandës, ku kryetari i bashkisë së këtij qyteti, Edmond Gjoka u bë dhe president honorifik i Festivalit të Parë, që u zhvillua vitin e kaluar. Kështu pra ne mbajtëm kontakte me muzikantët në këto qytete, filluam t’i ndihmojmë edhe me literaturë muzikore, edhe me bashkëpunime.
Cili është vendi i orkestrave frymore në muzikën shqiptare?
Orkestrat frymore në realitetin muzikor shqiptar përbëjnë mbase themelin e historisë. Orkestrat muzikore e kanë zanafillën në fund të shekullin XIX dhe kanë qenë të përhapura në çdo qytet të Shqipërisë. Bëjnë pjesë ajka e kulturës muzikore, janë dhe “shkollat e para” të muzikës profesionale. Në vitet ’30 kemi një përhapje dhe nga këto orkestra dalin dhe autorët më të shquar të muzikës shqiptare, kompozitorë si Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Kristo Kono, e kështu me radhë.
Blerina Cara : Gazeta TiranaObserver











