Piktori i njohur Lekë Tasi, hap sot një ekspozitë personale në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve. Ai do të prezantohet në ekspozitë me 30 punime që u përkasin viteve 1999-2007. Tematika e tyre është e ndryshme, ku vendin kryesor e zënë përshkrimi i vendeve dhe fenomeneve me motive shqiptare si: "Trafik në Rrugën e Kavajës" - 2005, "Kodra në mes të Tiranës" - 2007, "Pashkë në Sheshin Skënderbej" - 2007, "Kinema Rozafat" - 2003 etj. Por, janë prezentë edhe impresionet e udhëtimeve jashtë vendit dhe refleksionet mbi to si vepra "Kafe-Jugu i Italisë" - 2005, etj. 29 punime janë në pikturë (vaj) dhe një vepër, "Tirana Mesjetare", është vizatim.
Lekë Tasi, ka studiuar për art, por në një fushë të ndryshme nga piktura, për violonçel. Lidhjet me pikturën i ka të hershme. Edhe pse është autodidakt, është i njohur dhe i vlerësuar në rrethet e artistëve të artit pamor. Dimensionet e tij artistike prekin edhe letërsinë dhe më 2004, ka botuar romanin "Korridori me vetrat", dhe është autor i një vepre, (ende në proces botimi), me temë internimin dhe personazhet historikë që lidhen me atë kohë, të titulluar "Gropa rrëzë kodrave".
Marre nga : Gazeta Shqip











