Njohja e te drejtes se autorit nis nga ndergjegjesimi i te rinjve

Njohja e te drejtes se autorit, nis nga ndergjegjesimi i te rinjve

Diskutimi për sistemin e menaxhimit kolektiv të së drejtës së autorit dhe të së drejtave të tjera, në vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdon edhe sot në Tiranë. Përveçse natyrës informuese, ky diskutim ka si qëllim edhe përcaktimin e qartë të detyrave, rolet dhe sfidat e sotme të institucioneve të ndryshme shtetërore në mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të autorit, por edhe të të drejtave të lidhura me të. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, drejtori i ZSHDA-së, Evien Dako tregon se, fillimisht në Shqipëri njerëzit duhet që të informohen për të drejtën e autorit, të ndërgjegjësohen për rëndësinë e saj, e nga këtu zbatimi i ligjit nga subjektet përkatëse do të jetë edhe më i lehtë.

Zoti Dako, prej një viti ju jeni drejtor i ZSHDA-së. A mund që ta na bëni një përshkrim të situatës në të cilën ndodhet e drejta e autorit në vendin tonë?

Në realitetin shqiptar ka vërtet problematika dhe vështirësi në raport me çështjen e të drejtave të autorit, kjo jo në kuadër me atë që është mbajtës dhe titullar i së drejtës, apo me agjencitë që administrojnë realitetin objektiv, por thjesht në perceptimin e realitetit shqiptar nga ana e përdoruesve të veprave. Pra vështirësia më e madhe është gjithmonë nga ana e përdoruesve të një vepre letrare apo shkencore, të një përdoruesi tjetër.

Çfarë hapash janë ndërmarrë nga ju për ndërgjegjësimin e këtyre përdoruesve?

Zyra jonë ka filluar një nismë ndërgjegjësimi, e cila ka nisur në të gjitha shkollat dhe universitetet. Në secilën prej tyre shkohet për t’ju prezantuar studentëve se çfarë është e drejta e autorit, edhe cili është raporti që duhet që të kemi ne me të. Por edhe se çfarë është e drejtë, apo se çfarë është e gabuar për t’u bërë nga ata. Kemi bërë edhe fushata sensibilizuese në vitin 2014, kur është mbyllur dhe konkursi i parë për ciklin 9-vjeçar. Aktualisht gjatë muajit prill, që është edhe muaji i pronësisë intelektuale, po vazhdohet sërish me konkursin, në universitete ky konkurs është kombëtar.

Po zhvillohet në mbarë vendin apo vetëm në shkolla dhe universitete të përcaktuara?

Faktikisht kjo u është kërkuar të gjitha shkollave, por jo të gjithë universitetet private, apo dhe ata shtetërorë janë përgjigjur me pjesëmarrjen e tyre. Aktualisht janë rreth 12 universitete, në të cilat në po zhvillojmë konkursin tonë kombëtar.

Cilat janë ankesat që janë hasur nga autorët pranë zyrës suaj?

Situata nuk është aq e thjeshtë sa duket në raport dhe me autorët vetë, por kjo ka të bëjë edhe me pjesën faktike të tyre. Ne mundohemi që të tregojmë pjesën tonë në partneritet, por pa harruar se partneriteti ka disa rregulla dhe ligje për t’u zbatuar nga të gjithë. Këto nisma nisin me identifikimin e veprës, me nënshkrimin e kontratave që ata lidhin me mbajtësin e së drejtës, apo dhe me zyrat përkatëse, si dhe në mirëfunksionimin e tyre brenda sistemit administrativ.

Çfarë ndodh konkretisht kur një subjekt ankohet te ju? Kur një vepër është e palëvizshme zyra jonë e merr në shqyrtim. Fillimisht ngrihet grupi i shqyrtimit, që është i atashuar pranë ZSHDA-së, për të vërtetuar situatën në terren ose pranë sektorit të gjykimit, shqyrtohet çështja dhe merret vendimi pranë ZSHDA-së, i cili më pas shoqërohet me gjobë, kur konstatohet shkelje, edhe në rastin kur nuk konstatohet shkelje, çështja mbyllet. Gjithsesi çdo autor i së drejtës, në momentin që konstaton shkelje ka të drejtë që të drejtohet pranë gjykatës për dëmshpërblim.

Gjatë vitit 2014 sa gjoba janë vënë?

Ne faktikisht, për vitin 2014 e kemi mbyllur me 520 inspektime, dhe me 44 gjoba. Risia e parë që ka arritur ZSHDA-ja është vjelja e tyre në masën 100 për qind. Ndërsa për këtë vit nuk janë vendosur ende gjobat, sepse fokusi i inspektimit për vitin 2014 është i përqendruar te libri. Ajo që zyra jonë kërkon është partneritet me institucionet e shtetit, me policinë shtetit dhe me institucionet e tatimeve, sepse vetë kapaciteti ynë për të mbuluar territorin na detyron që të fokusohemi vetëm në një pikë, pasi kategoria e veprave të artit është shumë e larmishme.

Çfarë po ndodh me lincesimin e agjencive? Është parë me vëmendje nga Ministria e Kulturës krijimi i kushteve të tjera, dhe i detyrimeve të bazuara në ligj, pra është korrigjuar disi sistemi në këtë pikë, edhe shumë shpejt do të ketë një përgjigje mbi licencat e agjencive.

Po përsa i përket hartimit të projektligjit të ri për të drejtën e autorit, a janë thirrur të gjitha grupet e interesit?

Unë them se janë thirrur grupet e interesit, por ajo që theksoj është marrëdhënia e tyre me agjencitë. Janë konsultuar të katra agjencitë për ligjin, janë thirrur për mendim dhe aktualisht procesi i konsultimeve ka kaluar në ministritë përkatëse, dhe deri në fund të prillit do të jetë gati. Konsultimi me agjencitë nënkupton se anëtarët duhet të njihen me kopjen e ligjit, edhe të japin mendimin e tyre për të. Këtë ne e kemi bërë përderisa ata na kanë kthyer përgjigje. Projektligji ka përfunduar, edhe është rishikuar pothuajse i gjithi, duke u ndjekur parimi i interesit më të lartë, nuk është parë vetëm në një këndvështrim, edhe pse parimi i zyrës sonë është që gjithmonë të jetë në mbrojtje të autorëve, në proporcion me situatën reale të ligjit.

Me cilin vend mund ta krahasoni gjendjen ku ndodhet e drejta e autorit te ne?

Sistemi i menaxhimit kolektiv, përjashto disa vende, është në një mas problematike, kjo ndodh sepse shumica e titullarëve kërkojnë që të përfaqësohen edhe vetë jashtë sistemit të agjencive.

Gjobat

Në ligjin aktual për të drejtën e autorit, masat dhe gjobat janë nga 100 mijë lekë (të reja), deri në 1 milion lekë (të reja). Sipas drejtorit të ZSHDA-së, koordinimi i krimit ekonomik sot është më mirë se kurrë. Ai me këtë nënkupton se të gjitha masat, duke njoftuar edhe titullarët e së drejtës, bazohen edhe në kodin penal. “Por çështja nuk mbaron vetëm me gjoba, zyra jonë ka marrë përsipër në raport për të njoftuar të gjithë titullarët, të cilët kanë të drejtë që t’i drejtohen policisë, për çdo rast që e shikojnë të mundur”, shprehet ai. Aktualisht ZSHDA po koordinohet me institucionet e tjera, dhe i ka firmosur të gjitha memorandumet.

Për projektligjin e ri janë thirrur të gjitha grupet e interesit

Mbrojtja e të drejtës së autorit, në Shqipëri është një e drejtë e sanksionuar në Kushtetutë dhe e organizuar në një ligj bashkëkohor. Ndryshimi i mentalitetit dhe dëshira për të zbatuar një ligj, lidhen ngushtësisht me njëra-tjetrën, një menaxhim kolektiv i fortë, i besueshëm dhe i standardeve ndërkombëtare, institucione, të cilat, zbatojnë me përkushtim ligjin, përpara tij, jemi të gjithë të barabartë, por edhe të garantuar.

Subjekte të ligjit, të cilët, investojnë vlera monetare, për të bërë të mundur përcjelljen dhe për të sjellë një produkt intelektual bashkëkohor, janë vlerat më të padiskutuara, harmonizimi i të cilave do të sjellë një fitore të sigurtë të mbrojtjes së të drejtave moral-ekonomike të autorit dhe të të drejtave të tjera të lidhura me të, kundër çdo lloj shkeljeje apo cenimi të tyre.

Temat kryesore që u referuan gjatë këtij seminari nisnin që nga kuadri ligjor ndërkombëtar në fushën e menaxhimit kolektiv, direktiva e menaxhimit kolektiv të Komisionit Europian, TAG ( transparencë, përgjegjësi dhe mirëqeverisje) kërkesa sipas direktivës për menaxhimin kolektiv; të drejtat e autorit dhe interneti – WIPO “Traktati i internetit” dhe direktiva 2001/29/EC.

Të drejtat e autorit, si një detyrim i MSA-së, si dhe pjesë e prioriteteve të fokusuara në ambicien politike të qeverisë shqiptare, ka bërë hapa përpara dhe progresi ndihet, por kjo nuk mbaron me një progres thjesht politik dhe legjislativ. Drejtori i ZSHDA- së, Dako tregon se, projektligji për të drejtën e autorit ka shumë mangësi, edhe për këtë arsye në të, deri në fund të muajit prill, do të bëhen ndërhyrjet e duhura, duke  nisur nga licensimi i agjensive.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama