Kaegi Nuk gjeta asnje muze te hapur

Kaegi: Nuk gjeta asnjë muze të hapur

I ka bërë përshtypje çdo gjë. Që nga gjelbërimi që nuk e gjeti në vendet fqinje, tek një mulli kafeje i punuar në mënyrë artizanale, apo një fshesë e bërë me degët e një bime të rritur në oborrin e një fshatareje. Pas shumë vitesh padurimi dhe dëshire, profesori i Historisë në Universitetin e Çikagos, Walter A. Kaegi, vizitoi këto ditë Shqipërinë. Edhe pse prej vitesh dëshironte të vinte në Shqipëri, një takim në Çikago me Auron Taren i dha shtysën e fundit për të ardhur. Ndihet i mrekulluar nga natyra dhe pasuritë e trashëgimisë kulturore, por edhe i zhgënjyer sepse thuajse të gjithë muzetë i gjeti të mbyllur. I interesuar më së shumti për periudhën Bizantine, specialist i së cilës ai është, Kaegi nuk arriti të marrë gjithë informacionin e duhur për ta përfshirë në leksionet e tij në Universitetin e Çikagos.

Profesor Kaegi, cili është qëllimi i vizitës suaj në Shqipëri? keni ardhur më shumë si turist, apo si specialist bizantologjie?

Shqipëria është një nga vendet që kam dashur të vizitoj prej kohësh. Territoret shqiptare kanë qenë pjesë e një prej 119 provincave të Perandorisë Romake. Deri në këtë moment kam vizituar territoret e 116 provincave. Për shkaqe të izolimit dhe të mos lejimit prej qeverive të këtyre vendeve të shtetasve amerikanë, më kanë mbetur edhe tre provinca. Njëra prej tyre ishte Shqipëria, ndërsa dy të tjerat, Libani i Sipërm dhe Libani i poshtëm, për të cilat ende nuk më është mundësuar vizita, për shkaqe që njihen. Ne amerikanët ende nuk mund të shkojmë lirshëm dhe të sigurt në atë vend, por shpresoj që një ditë ta bëj të mundur një gjë të tillë. Vizita ime është private, por gjithsesi mua më kanë interesuar së shumti objektet e trashëgimisë historike e kulturore në Shqipëri. Kam qënë në rajonin përreth si në Kroaci, Maqedoni, Mal të zi, Greqi, Janinë, Dubrovnik, etj. E imagjinoja Shqipërinë një vend shumë të zhveshur dhe të thatë, por jo… U emocionova nga natyra shumë e bukur, sidomos teksa ndiqja gjurmët e "Via Egnatias". Rrugë, ku shekuj më parë kaluan ushtarë, tregtarë, strategë, konsuj, perandorë etj. Edhe rruga Korçë – Ersekë – Përmet- Këlcyrë, ishte e mrekullueshme. Më befasoi madhështia e Kalasë së Shkodrës. Shqipëria është e mbushur me të papritura, i ndesh në çdo hap, pa i imagjinuar më parë

Cili ishte itinerari i udhëtimit tuaj në Shqipëri. Ku u ndalët e çfarë ju pëlqeu?

Pashë Shqipërinë në çdo cep. Erdha në Shqipëri për të parë rajonet e saj periferike dhe jo Tiranën. Shqipëria e vërtetë është ajo që shtrihet në fshatrat mes malesh e luginash, lumenjsh e fushash. Atje gjeta atë që nuk e mendoja, gjelbërimin, gjeta një fshat shqiptar shumë impresionues për ne amerikanët. Shqipëria është një vend i sigurt. Pata kënaqësinë të shoh e të prek gjëra të bëra me dorë, në mënyrë artizanale, si prodhime në metal, dru, lesh, etj., të cilat janë të rralla në kohët moderne. Ka shumë gjëra që këtu ende ekzistojnë, ndërsa në vende të tjera industrializimi dhe zhvillimi teknologjik i ka zhdukur. Më pëlqeu gatimi karakteristik shqiptar, sidomos ai në zonën rurale. Me këtë lloj turizmi ju mund të zhvilloheni shumë, por pa humbur traditën. Shkova nga fshati në fshat në këmbë dhe kjo më dha një kënaqësi të veçantë. Veçse këtu duhet bërë kujdes. Është e vështirë të orientohesh në Shqipëri se nga duhet të kalosh, për të shkuar aty ku dëshiron. Nuk ka asnjë tabelë, asnjë sinjalistikë të tregojë drejtimin për në një objekt të caktuar.

Duke lënë mënjanë turistin, si historian dhe specialist arritët të përmbushni synimin tuaj me këtë vizitë?

Interesi im ishte që të shikoja nga afër, të prekja dhe të informohesha për historinë në tërësi të territoreve shqiptare. Ndërsa për periudhën e shekujve IV-VIII pas Krishtit, periudhë e cila është edhe specialiteti im, ku edhe jap leksione në Universitetin e Çikagos, të kisha mundësi të shikoja në terren disa prej qendrave më të rëndësishme kulturore në Shqipëri. Megjithe vapën e madhe i vizitova të gjitha qendrat arkeologjike. Më vjen keq të them se megjithëse udhëtova kudo, nuk arrita të marr informacionin e duhur, pasi në të shumtën e rasteve Muzetë i gjeta të mbyllur. Shkova dy herë në Muzeun e Institutit të Arkeologjisë, një herë rastësisht në pasdrekë dhe herën e dytë në orarin e afishuar, por ai nuk u hap megjithëse prita gjatë.Shkova tek Muzeu Kombëtar në Tiranë, e gjeta të hapur, pagova, por askush nuk më dha biletë. Vizitova pavionet me radhë, por atë që dëshiroja për interesa të specialtetit tim, pavionin e ikonografisë, më thanë që është i mbyllur. Nuk mu dha asnjë arsye. Po kështu në Krujë e njëjta tablo. I vetmi që gjeta hapur dhe që më pëlqeu jashtëzakonisht shumë ishte Muzeu Etnografik i Krujës. Kudo ku shkova nuk kishte guida apo tabela shpjeguese për të kuptuar diçka, kështu në Bylis, Shkodër, Korcë etj. Në Korçë më mbeti peng që Muzeu i Mesjetës dhe Ikonografisë, për sa ndenja në atë qytet nuk u hap asnjëherë.

Në një Guidë lexova se në Sarandë ka një Muzeum Etnografik si dhe një Muze arkeologjik të qytetit. Nuk i gjeta gjëkundi. Më bëri shumë përshtypje që në një qendër të rëndësishme, Pasuri Botërore e Unesco-s si Butrinti, Muzeu ishte i mbyllur. Thjesht shijova natyrën.

Shumë kritika… Nuk pati një vend ku u ndjetë i mirëpritur dhe i mirëinformuar?

Në vendet ku kishte njerëz, të cilët punonin me seriozitet, si në Muzeun e Durrësit, mund të them se jam kënaqur. Mu hapën të gjitha dyert, biseduam me kolegët shqiptarë Dr. Anastasi dhe Dr. Hoti për terma e koncepte, ngjarje dhe vizituam konkretisht pothuajse të gjithë trashëgiminë e përcjellë e ruajtur në shekuj. Ishte mbresëlënëse për mua të shikoja muret e Perandorit Anastas, bir i këtij qyteti, që e ktheuDurrësin në një nga qytetet më të rëndësishëm të perandorisë. Takova e shkëmbyem mendime me Prof. Neritan Cekën, një autoritet dhe kapacitet shkencor i nivelit të lartë. Më thanë që është edhe politikan, por për mua kjo s'ka fare rëndësi. Takova rastësisht edhe njerëz të tjerë. Për ju shqiptarët formova një konsideratë të veçantë. Në shtator në lëndën e historisë që jap në Universitetin e Çikagos do të shtoj edhe leksione për Shqipërinë, në veçanti për periudhën Bizantine.

Mësuam se sapo jeni kthyer nga një vizitë në një monument të veçantë, cili ishte "zbulimi" i radhës?

Isha në Kompleksin Islamik të Rusanit, mjaft i veçantë, për vlerat që mbart. Edhe në emër mbart një simbolikë, quhet Xhamia e Gjin Aleksit. Për mua një pjesë e objektit të kultit është ndërtuar në periudhën bizantine dhe më vonë është transformuar në xhami nga otomanët. Ky monument duhet të ruhet dhe mirëmbahet pikërisht për të kuptuar këtë nyje historike që është e materializuar në arkitekturën e monumentit. Kompleksi Islamik duhet të hyjë në guidën turistike të vizitave në Sarandë.

Si njohës i periudhës bizantine, cfarë mund të na thoni për simbolikën e shqiponjës dykrenare. Është një simbol thjesht dhe vetëm i Perandorisë Bizantine?

Nuk mund t'i jap një përgjigjie të saktë kësaj pyetjeje, por si specialist them se të paktën deri në shek. e IX-X në Perandorinë Bizantine nuk përdorej ajo si simbol në flamujt e saj. Për sa ju pyesni, kolegët e mi të Universitetit të Çikagos, por edhe specialistë të njohur të simbolikës dhe njohës të fushës së përdorimit të simbolit të shqiponjës me dy kokë, thonë se është përdorur pas shek. XIII. Mendohet se zyrtarë të Bizantit zbuluan simbolin e shqiponjës me dy kokë në nekropolet e strategëve ushtarakë të Hititëve, fise të Azisë së Vogël. Varre të cilët datonin disa qindra vjet para lindjes së Krishtit. Pra sipas specialistëve të fushës, shkaba me dy krerë është huajtur nga këto figura të punuara bukur dhe që uimituan më vonë nga shumë ushtarakë bizantinë dhe me sa duket edhe në flamurin, i cili u përdor më vonë si simboli juaj. Sipas mendimit tim shqiponja me dy kokë nuk ka qenë simbol romak dhe është përdorur shumë vonë në periudhën Bizantine.


Luan Sejdini - Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama