Chauvin dhe Raby kanë prezantuar në galerinë "Edward Lear" të qytetit mes mjeshtërve shqiptarë edhe fotografin Lilo Xhimitiku. 68 fotot e zgjedhura në koleksionet arkivorë shtetërorë dhe privatë në Shqipëri, që japin një historik të plotë të aspekteve të jetës shqiptare ndërmjet viteve 1858 – 1940, janë realizuar nga Marubët, Idromeno, Raci, Sotiri, Mio, Burda, Pici, Jakova dhe mjeshtri beratas Xhimitiku. Ishte bërë e mundur që në ekspozitë, falë ndihmës së familjes Xhimitiku, të paraqiten edhe aparatet dhe laboratori i këtij mjeshtri që e bëri më reale dhe më të ndjeshme atmosferën e kohës kur janë krijuar këto foto.
Qyteti i Beratit është një nga qytetet më të lakmuar nga artistët e arteteve pamorë, piktorë apo fotografë. Kjo duket qartë si në të kaluarën ashtu edhe në të sotmen. Arkitektura e Beratit ka depërtuar në shumë vepra arti, duke përfshirë edhe ato religjoze si tek ikonat "Të shtatë" të Joan Çetirit dhe të piktorit Kristo. Por edhe në veprën e figurave evropianë të shekullit XIX si Lear, Durham etj. Në momentet e sotme kur këto vlera janë në prag të përfshirjes si pasuri e njerëzimit, ky projekt është një argument i rëndësishëm për të mbështetur dhe për të konfirmuar ekzistencën në qytetin e Beratit e një kulture dhe historie të fotografisë, si kontribut i vërtetë për t'u mbrojtur nga UNESCO.
Profesori i Universitetit të Çikagos në Paris, Christian Raby, tregon se qëllimi i kësaj pune "është që t'i prezantojë Europës një tjetër imazh të Shqipërise, i ndryshëm nga klishetë e mediave perëndimore. Shqipëria posedon një pasuri fotografie, një pasuri e madhe, unike në Ballkan. Megjithatë, ajo nuk ekziston në historinë botërore të fotografisë aq më pak qyteti i Beratit. Asnjë referencë, asnjë emër nuk tregon se sa fotografë të talentuar ka patur ky vend. Sigurisht as dhe mjeshtri fotograf i qytetit të Beratit, Lilo Xhimitiku. Për të riparuar këtë padrejtësi, ne propozojmë të hedhim dritë mbi pasurinë dhe origjinalitetin e shumë fotografëve shqiptare të cilët, nga vitet 1850 deri në vitet 1940 kanë treguar me imazhet e tyre jetën e popullit shqiptar."
Fotografi beratas Ilia Xhimitiku u lind në Lagjen Goricë me 20 korrik 1907 në një familje tregtarësh. Do të ishte vëllai i madh Miltoja që do ta shtynte në profesionin e fotografit. Në vitin 1925 i dhuron një aparat 6 x 9 të tipit "Kodak", që e kishte sjellë nga Italia. Duke ndier nevojën për perfeksionim lidhet dhe punon për pak kohë me Palok Gurashin. Më vonë ai krijoi lidhje të afërta me Marubët (1929–'30, ndërsa kryente shërbimin ushtarak në Shkodër) dhe me fotografë të tjerë.
Në vitin 1936 bëri udhëtimin e parë njohës drejt Italisë. Vizitoi Barin, Siçilinë, Napolin, Romën, Firencen, Milanon e Gjenovën. Synimi i tij ishte të plotësonte formimin si fotograf me pretendimin e qartë për të pasur një studio profesionale. Këtu ai u pajis me materiale dhe aparate nga më moderne të kohës, stampatricën, solucione, letër, vulën e thatë (e njohur e që mbahet e vetmja në llojin e saj). Si njeri me njohje të gjera shoqërore dhe me vizion të qartë nga bota e qyteteruar, ishte i pasionuar sidomos pas portretit dhe natyrës. Më vonë iu kushtua edhe kompozimit, dhe u angazhua në fiksimin e fakteve, ngjarjeve apo ditëve të shënuara. Në fotografitë e pakta të trashëguara ndihet qëndrimi krijues i një artisti. Në to ndeshen figura bashkëqytetarësh apo miq dhe familjare të tij, pamje tepër interesante të qytetit, ceremoni të ndryshme fetare apo familjare, njerëz me veshje tradicionale, momente argëtimi në rrethinat, tregjet e shumtë të qytetit dhe jetën e bujqve në fshatrat. Veçanërisht interesantë janë portretet e tij me një dritë të zgjedhur e dramatike përpara një sfondi të errët. Ato janë plot dinjitet e qetësi të brendshme. Fondi i arkivave të Xhimitikut ishte i jashtëzakonshëm.
Ai fiksoi ngjarje të rëndësishme të historisë së Shqipërisë në kapërcimin e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Ndryshimet e rëndesishme të qytetit, restaurimi i Urës së Goricës, ngritja e bustit të Babë Dudës, hyrja e forcave partizane në Berat, formimi i Qeverisë Demokratike apo dhe ndarja e tapive, vizitën e Hrushovit etj, u fiksuan nga objektivi i tij. Kanë qënë me qindra filma e fotografi orgjinale. Por fondi i fotografive të trashëguara prej tij është shumë i kufizuar për arsyen se arkiva në 13 shtator 1944 u dogj së bashku me shtëpinë në Lagjen Goricë, në shkurt 1954 studioja shkatërrohet nga një stuhi dhe në vitin 1962 vërshimet e lumit përmbytin arkivin dhe studion duke u shkatërruar përfundimisht pjesa më cilësore e punës dhjetëravjeçare: arkivin e filmit dhe të fotografive, aparatet dhe makinat e stampimit, pa përmendur letrat dhe materialet e tjera. Po të llogaritësh edhe sekuestrimet, shtetëzimet dhe zhdukjen e shumë dëshmive nga frika e përsekucioneve mund të imagjinohet realisht kontributi i Lilo Xhimitikut dhe përmasat e tij kombëtare.
Fondi i fotografive të trashëguar nga familja Xhimitiku duke qënë një argument i rëndësishëm dokumentar dhe historik është vënë me dashamirësi në shërbim të të gjithë të interesuarve, duke qenë kështu një kontribut edhe sot për institucionet dhe autorë të ndryshëm.
Prandaj edhe kjo ekspozitë e organizuar në bashkëpunim me Galerinë e Arteve "Edward Lear", Albimazh dhe me mbështetjen e Këshillit të Bashkisë Berat, ka për qëllim të rikthejë në kujtesën e qytetareve emra artistësh të rëndësishëm dhe të harruar, si pjesë e identitetit kulturor dhe e traditës së hershme e Beratit.
Sulo Gozhina - Gazeta Shekulli











