Vendim i rendesishem i FSHF-se per te huajt ne Kategorine e Dyte

Vendim i rëndësishëm i FSHF-së për të huajt në Kategorinë e Dytë

Sezoni i ri në futbollin shqiptar do të nisë me disa ndryshime. Vendimi surprizë është ai që prek Kategorinë e Dytë. Duke nisur nga kampionati i ardhshëm, nuk do të lejohen më lojtarë të huaj në këtë ligë. Vendimi është marrë nga FSHF-ja, kjo për t'u dhënë më shumë mundësi lojtarëve vendës që të afirmohen duke u krijuar një shans të mirë që të nisin karrierën që synojnë.

tomori kategoria e dyte

Kategoria e Dytë është gjysmë-amatore, me futbollistë që paguhen me rroga shumë të vogla, në një kohë që shumica e klubeve kanë borxhe dhe detyrime. Përtej gjithçkaje, shumë klube të Kategorisë së Dytë kishin afruar lojtarë të huaj. Tashmë nuk do ta kenë më këtë mundësi. Do të jetë i gjithi një kampionat "bio".

Nurishmi

Lajmi është konfirmuar në një prononcim për gazetën nga shefi i sektorit të garave në FSHF, Lysjen Nurishmi. "Në Kategorinë e Dytë nuk do të lejohen më lojtarë të huaj. Kjo, për t'u dhënë mundësi futbollistëve vendës që të afirmohen. Gjithashtu, janë miratuar edhe rregulloret e reja. Në lidhje me aktivizimin e lojtarëve nga ekipet A në B, është vendosur që nga skuadra e parë në atë të dytë mund të kalojnë maksimumi 5 lojtarë. Por, që të luajnë me ekipin B, duhet që të kenë kaluar 48 orë nga momenti kur kanë luajtur me skuadrën A. Do të konsiderohet që kanë luajtur me ekipin A vetëm ata futbollistë që janë hedhur në fushë dhe jo ata që vetëm mund të kenë qenë në protokoll. Ndërsa nga ekipi B në A mund të transferohen maksimalisht 2 lojtarë", u shpreh Nurishmi.

partizani

Këto saktësime erdhën si pasojë e precedentit mes Partizanit B dhe Sopotit që u krijua sezonin e kaluar. Të kuqtë aktivizuan lojtarë që kishin luajtur një ditë më parë me skuadrën A. Librazhdasit e fituan takimin 3-0 në tavolinë pas vendimit të Disiplinës. Ndryshimet janë miratuar disa ditë më parë nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së disa ditë më parë. Kampionatet për sezonin e ri do të nisin në shtator.

Kampionatet

Komiteti Ekzekutiv i FSHFsë ka miratuar disa ditë më parë edhe datat e fillimit të kampionateve për sezonin e ri. Kështu, Kategoria Superiore do të nisë më 7 shtator dhe do të përfundojë më 27 maj. Kategoria e Parë është përcaktuar të startojë më 10 shtator dhe do të mbyllet më 13 maj. Ndërsa, Kategoria e Dytë do të nisë më 18 shtator dhe do të zgjasë deri më 7 maj. Superkupa e Shqipërisë do të luhet më 24 gusht.

Logoja

Logoja e kampionatit do të jetë një risi e sezonit të ardhshëm në Superiore. "Në bashkëpunim edhe me sektorin e marketingut, ne kemi krijuar logon e Superiores dhe të Kupës së Shqipërisë. Risia e sezonit të ardhshëm do të jetë vendosja e logos në fanellat e skuadrave. Në të gjitha fanellat e ekipeve do të jetë e stampuar logo e kampionatit. Kjo kategori do të arrijë në një nivel edhe më të lartë në lidhje me marketingun", sqaron Nurishmi.

kategoria e dyte

Skema

Skema e fazës së tretë të Kategorisë së Parë dhe të Dytë do të ndryshojë sezonin e ardhshëm. Pas dy fazave të para, ekipet do të ndahen në dy minigrupe me nga pesë skuadra, të parat që luftojnë për t'u ngjitur më lart dhe pesë të dytat për t'i shpëtuar rënies. Në fund të dy fazave të para, do të përgjysmohen pikët e të gjitha ekipeve dhe kjo do të ngushtojë diferencën mes skuadrave duke e bërë garën mes tyre edhe më të fortë.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama