Rama inauguron nisjen e punimeve per stadiumin Loro Borici Ketu do mirepresim serbet me 8 Tetor

Rama inauguron nisjen e punimeve per stadiumin Loro Borici: Ketu do mirepresim serbet me 8 Tetor

Kryeministri Edi Rama inauguron nisjen e punimeve të stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër, ku gjithashtu ishin të pranishëm kandidatja e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” Keti Bazhdari, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, si dhe kreu i FSHF-së Armando Duka.

Stadiumi do të ketë një kapacitet prej 17 mijë tifozësh, ndërkohë më 8 tetor pritet që të luhet në këtë stadium edhe ndeshja Shqipëri- Serbi.

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ndërsa ka uruar të gjithë qytetarët Shkodranë për stadiumin e ri, e ka quajtur këtë investim si më të madhin e qeverisë shqiptare.

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka u është drejtuar qytetarëve Shkodranë duke u thënë se ndërtimi i stadiumit të Shkodrës është një nga investimet më të mëdha të bëra nga qeveria shqiptare.

“Ky stadium ka kushtuar më shumë se ai i elbasanit”, tha Duka, duke shtuar se ky impiant modern i këtij stadiumi do të shërbejë për të gjitha ndeshjet kombëtare e ndërkombëtare duke i dhënë një imazh të ri sportit në vend.

Kryeministri Rama u shpreh se projekti i stadiumit është mjaft i rëndësishëm pasi do të ndihmojë edhe në ekonominë e vetë Shkodrës. Rama tha se ky stadium i standardeve të miratuara nga UEFA do të jetë gati për ndeshjen mes Shqipërisë dhe Serbisë në 8 tetor.

“Sot do thonë: “Pse mo për stadiume kemi nevojë ne?? Ne kemi nevojë për bukë.”

Në fakt kur stadiumi është i denjë për të pritur një familje unë kam bindjen që e bukura është mjeti më i mirë kundër dhunës. Po ashtu stadiumet janë ekonomi, sepse nga gjithë funksionet që do ketë stadiumi do ti sjellë Shkodrës shumë më shumë. Jo vetëm nga aktivitetet kombëtare e ndërkombëtare por nga të ardhurat që do sjellin në qytet ata që do vijnë të shohin ndeshjen.

Unë jam shumë i lumtur që arritëm të bindim arkitektin Piter Willson të drejtonte projektin dhe ky është një projekt që do ti sjellë Shkodrës një vepër me një vlerë të rëndësishme arkitektonike sepse është në qendër të qytetit. Kudo ku ndërtohet një vepër e tillë funksionon si një kurë urbane sepse ndryshon qytetin ku nëpërmjet një vepre të tillë krijohen kushtet për një kthesë.

Bashkë me Paulinin ne po ndërtojmë në Tamarë, aty ku askush nuk e di se ku është ky vend veç atyre që jetojnë aty lart.

Ju them me bindje se stadiumi i Elbasanit dhe ky stadium i ri që do të jetë një nga me të bukurit e vendit dhe Rajonit, sikundër dhe parku olimpik që kemi nisur të ndërtojmë në Tiranë janë investime që kanë një vlerë shumë të madhe që shkon përtej asaj që marrim si fitim.

Po ashtu tre orë edukim fizik në jave në shkolla janë në funksion të sportit dhe të kulturës sonë të jetuarit ku ende ka fare pak kulturë të tillë. Këto përbëjnë një paketë investimesh që nuk është bërë në 20 vjet. Pas Shkodrës objektivi tjetër është stadiumi kombëtar, por çdo punë do kohën e vet.

Kur thashë se do rindërtojmë Loro Borriçin, ishte e paimagjinueshme që pas një jave më çonin sms: Pse rrejte ku e ke stadiumin. Ndërkohë që për këtë është dashur kohë që të dialogojmë jo vetëm me federatën por edhe që grupi i arkitektëve të shkonte në Uefa që të diskutonte për standardet. Projekti erdhi në këtë formë pas një punë te madhe se është projekt inovativ.

Tribunat e ndara janë një ide e arkitektit shkodran dhe janë elementë inovativ që do ti shijojmë kur të mbyllet. Objektivi është ta realizojmë në kohë. Koha është e shkurtër dhe unë dua që të punojmë fort.
Në stadium do të jetë edhe muzeu i Vllaznisë për ta që sot se dinë kush është Loro Boriçi e pyesin në Facebook për këtë.

Futbolli shqiptar e ka origjinën në Shkodër. Atë që nuk bëmë dot si shtet në 20 vite për sportin do ta bëjmë së bashku me realizimin e këtyre projekteve. Në respekt të atyre që i kanë dhënë emrin që ka Vllaznisë duhet ti rikthejmë emrin”, tha Rama.  /gj.k/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama