Ja planet e trajnerit Cungu per Vllaznine

Ja planet e trajnerit Cungu për Vllazninë

Vllaznia ka mbyllur një tjetër sezon të vështirë, por për sezonin e ri pritet që klubi të ndjekë një strategji tjetër. vllaznia ndaj terbunitNë mënyrë që Vllaznia të mos përsërisë veten, pritet që drejtuesit e bashkisë dhe stafi teknik të ulen në bisedime për të vënë dhe alarmin se gjithçka është me vonesë në drejtim të formatimit të ekipit. Tani topi është në derën e drejtuesve të bashkisë, pasi ata janë përgjegjësit dhe menaxhuesit e klubit. Mësohet se javën që vjen palët do të ulen në bisedime dhe të diskutojnë gjerë e gjatë për planin e sezonit të ri.

Gjithsesi, trajneri Cungu e ka të detajuar planin e tij për Vllazninë e sezonit 2016- 2017. Pavarësisht se nuk ka bërë asgjë zyrtare, trajneri ka gati analizën për gjithsecilin, në mënyrë që t'u parashtrojë drejtuesve të klubit listën e lojtarëve që duhet të rinovojnë dhe të atyre që nuk janë në planet e tij. Po ashtu, tekniku e ka bërë të qartë se për disa prej lojtarëve që kanë dhënë kontribut më të madh në sezonin e fundit do të kërkonte edhe një rishikim të termave financiarë të kontratave.

Nga ana tjetër, tekniku ka në duart e tij një listë me lojtarët që dëshiron t'i ketë pjesë të Vllaznisë së sezonit të ri, pra do të kërkojë lojtarët që u përshtaten shijeve dhe skemave të tij të lojës. Parashikohet që këta lojtarë të mos kenë kosto më të madhe se ata që u afruan te skuadra në fillim të sezonit të fundit.

Një tjetër pikë që trajneri Cungu do të diskutojë në mbledhjen me drejtuesit e bashkisë do të jetë garancia financiare, në mënyrë që lojtarët ta kenë mendjen vetëm te përgatitjet dhe jo se kur do të marrin rrogat. Jo pak e rëndësishme në diskutime do të jetë edhe objektivi që drejtuesit e bashkisë do të vënë për teknikun dhe stafin e tij.

Cungu dhe bashkëpunëtorët e tij janë totalisht të bindur se në asnjë moment nuk do ta udhëheqin Vllazninë nëse kusht do të jetë pjesëmarrja në Europë. Tekniku kërkon të qëndrojë me këmbë në tokë dhe e ka theksuar disa herë se, nëse nga ana e drejtuesve të bashkisë do të vihet një objektiv i tillë, atëherë ai do të prishte kontratën me klubin. Ndër pikat që tekniku do të diskutojë me drejtuesit do të jetë formatimi i skuadrës së re, sipas shijeve të Cungut. Kjo do të jetë një nga pikat që mund të zgjidhë një herë e mirë çështjen e vazhdimësisë së Armando Cungut.

Përgatiti: Admir Uruçi


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama