Idrizi Plazhistet te largohen Magani edhe menaxher

Idrizi: Plazhistët të largohen, Magani edhe menaxher

S inan Idrizi nuk do më lojtarë plazhi te Fla murtari.idrizi-dushku Fakti që disa nga futbollistët kanë nisur menjëherë pushimet, edhe pse sezoni i kaluar nuk u mbyll aspak mirë, nuk është kapërdirë nga ana e administratorit. Gjatë një deklarate të dhënë për "Panorama Sport", ai ka theksuar se ka ikur koha kur futbollistët vinin në Vlorë për plazh.

"Me sa di unë, disa lojtarë kanë filluar plazhin.Le të bëjnë plazh. Duket se lojtarët vijnë në Vlorë për të bërë pushime. Le të vazhdojnë, i uroj edhe unë pushime të mbara. Ka ikur koha e atyre lojtarëve që vijnë për të bërë plazh në Vlorë", tha fillimisht Idrizi duke "shigjetuar" direkt disa lojtarë që sipas tij vijnë për pushime.

Skarcimet

Administratori duket se nuk ka në plan që të mbajë lojtarë nga sezoni i fundit. Ai këmbëngul se trajneri Gugash Magani do ta ketë shumë të vështirë që t'i mbushë mendjen për ata që mund të kërkojë të rikthehen nga grupi. Idrizi thotë se vetëm Taulant Kuqi e meriton rikthimin.

"Nuk kthej pas asnjë nga ata që u larguan. Të shkojnë ku të duan. Asnjë nuk kthehet. Kemi folur me Maganin, ai pëlqen Taulant Kuqin. Vetëm ai do të kthehet, është djalë me karakter. Nuk dua të shikoj asnjë tjetër. Magani do ta ketë të vështirë të hënën që të më mbushë mendjen mua. Vetëm maksimumi dhe minimumi dy do të kthehen. Me sa kemi diskutuar, Kuqin e do trajneri. Ai është ndër të vetmit e grupit që mund të rikthehet, të tjerët ta harrojnë. Të vijojnë plazhin", u shpreh administratori. Kjo do të thotë që kuqezinjtë duhet t'ia nisin nga e para në merkato. Askush nuk e ka qëndrimin e sigurt. Dhe, në këto kushte, trajnerit i mbetet që t'ia nisë nga "A"-ja në merkato, duke qenë se vetëm Kuqi mund t'u mbijetojë skarcimeve.

Pjesa tjetër duket se janë zyrtarisht të lirë në treg, ndaj nuk u mbetet gjë tjetër veçse të mendojnë për një tjetër destinacion për të ardhmen. Merkato Sinan Idrizi thekson se Gugash Magani do të jetë edhe menaxher. Sipas administratorit, trajneri do të jetë fuqiplotë në vendimmarrje dhe, sipas tij, ka nisur punën për ndërtimin e ekipit të ri. Numri një i kuqezinjve thekson se objektivi kryesor i klubit për ekipin e ri është vetëm respektimi i fanellës.

"Do të plotësojmë të gjitha kërkesat që do të ketë trajneri. Ai ka veton e plotë dhe për çdo lojtar që do të afrojë. Magani ka edhe rolin e menaxherit. Unë nuk i hyj aspak në punën e tij. Trajneri ka nisur punën për të përzgjedhur ekipin e ri. Ditët e fundit ka shkuar në Itali dhe po shikon disa lojtarë shqiptarë të Serisë B. Sa u përket objektivave për sezonin e ri, ato dihen. Duhet respekt për fanellën. Ata që e respektojnë fanellën, dinë që të na shpallin edhe kampionë", përfundoi Idrizi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama