Gjici Pres lojtare te Kombetares te Kukesi

Gjici: Pres lojtarë të Kombëtares te Kukësi

Safet Gjici zbulon plan et e Kukësit. Presidenti i verilindorëve, pa "frena" në merkato. Ai u bën festë "yjeve" të Kombëtares që ta telefonojnë nëse duan që të japin kontribut për skuadrën e tij.gjici Ai garanton se për lojtarët e mëdhenj nuk do të kursehet financiarisht, vetëm e vetëm që të realizojë ëndrrën për të shkuar në fazën e grupeve të Ligës së Europës.

Gjatë një interviste të dhënë për "Panorama Sport", ai rrëfen se i ka lënë dorë të lirë dhe buxhet të palimituar Klodian Duros, ndërsa lojtarëve që u skadojnë kontratat u premton rritje oferte, në rast se realizojnë me sukses objektivin "Europë".

Pasi fituat Kupën, në prag është Europa. Çfarë projekti ka Kukësi për të ardhmen?

Kukësi do ruajë "bërthamën" e skuadrës aktuale, pra 80% të grupit. Kemi lojtarë me vlera, që kanë dhënë kontribut për skuadrën e Kukësit. Natyrisht që do të analizojmë performancën e tyre deri më tani, analizë që mund ta zhvillojmë mbas dy-tri ditësh. Së bashku me trajnerin Duro dhe me pjesën tjetër të stafit do të vendosim se cili lojtar do të vazhdojë me Kukësin dhe cilit do t'i ndërpritet kontrata.

Një pjesë e mirë e lojtarëve janë pa kontratë, do t'u ofrohet rinovimi?

Ka disa lojtarë që u mbarojnë kontratat në përfundim të Kupave të Europës. Ne pretendojmë që të hyjmë në fazën e grupeve, ndaj kjo periudhë do të na shërbejë për të parë paraqitjen e tyre. Nëse arrihet synimi, detyrimisht ne do t'u ofrojmë kontrata më të mira. Është dhe një pjesë tjetër lojtarësh që kanë kontrata 1+2, pra 3-vjeçare.

Për merkaton në hyrje, a ka ndonjë zhvillim?

Pas fitimit të Kupës së Shqipërisë, sikundër e thashë, synojmë fazën e grupeve në Ligën e Europës. Për ta arritur këtë, natyrisht që na duhen përforcime. Kam folur me trajnerin Duro dhe mendojmë se do të bëjmë 4-5 afrime të mëdha, lojtarë shumë cilësorë që të kompletojnë grupin.

A mund të në zbuloni ndonjë emër konkret?

Po i studiojmë. Megjithatë, gjej rastin t'u bëj thirrje të gjithë lojtarëve të mëdhenj që luajnë nëpër Europë, përfshi këtu edhe ata të Kombëtares shqiptare, që e kanë derën të hapur në Kukës. Nëse duan që të japin kontributin e tyre, janë të mirëpritur. I ftoj që të na kontaktojnë, pasi buxheti do jetë i pakursyer për "yjet".

Keni thënë që do të ketë premio për fitoren e Kupës, a ka shifër konkrete?

Premio është një çështje që mbetet mes presidentit dhe lojtarëve. Pastaj paratë nuk janë asgjë përpara këtij suksesi që ne kemi arritur. Natyrisht që do të ketë shpërblim në turet e Kupave të Europës. Për ata lojtarë që pyesin për premion, përgjigjja është: "kaloni fazat në Kupat e Europës dhe do të keni premio të vërteta". Ashtu siç i kanë marrë gjithmonë. Ata e dinë se çfarë shpërblimesh jap unë.

Në sukseset e arritura është konfirmuar trajneri Duro?

Unë i kam dhënë urdhër trajnerit Duro që të bëjë merkaton e klubit për Kupat e Europës dhe, nëse ai e bën të mirë, natyrisht që do të kemi sukses, patjetër që është i konfirmuar për vazhdimësinë.

Keni pasur suksese në Europë dhe keni fituar një Kupë. Po titulli a do pretendohet?

Duke qenë se ne pretendojmë për të hyrë në fazën e grupeve në Europë, sigurisht që do të ndërtojmë një skuadër për të qenë kampione sezonin që vjen. Ndaj unë u bëj thirrje lojtarëve që me të vërtetë ia vlejnë dhe që bëjnë diferencën t'i bashkohen Kukësit, me qëllim që ne të jemi kampionë vitin e ardhshëm. Tashmë ne kupën e morëm, kush na ngelet?! Ne çka themi, e bëjmë dhe e mbajmë fjalën. Kështu, ata lojtarë të mëdhenj të afrohen te Kukësi, me qëllim që të japin rezultate dhe ne t'i paguajmë ata.

Do ta tentoni Pejiçin, nisur dhe nga deklarata që ai ka dhënë për gazetën "Panorama Sport" një ditë para finales së Kupës?

E kam parë me vëmendje deklaratën e tij në gazetën tuaj. E falënderoj vërtet për atë që ka thënë dhe për konsideratën që ka për Kukësin, sepse fjalët e tij ndikuan në moralin e futbollistëve. Ishte një mbështetje për skuadrën, kështu që unë ju them me bindje se Pejiç është një nga lojtarët më të mirë dhe më profesionistë që kam njohur në këto pesë vite që kam në futboll. Ai e ka derën të hapur që të vijë te Kukësi kurdo qoftë. Unë nuk e di nëse ka kontratë te skuadra aktuale dhe as dua që t'i prish punë. Madje vjet kur ka ikur unë e kam lënë të lirë, falas, mbas ndeshjes në Mal të Zi, vetëm për atë çka ai dha për Kukësin. Është i mirëpritur kurdoherë. Jam i gatshëm që kurdo që të vijë Pejiç ta pres që ai të japë kontributin e vet.

Po për dy lojtarët që gabuan në Kupën e Shqipërisë, edhe pse mund të ishin gabime njerëzore, ka pasur apo do të ketë ndonjë masë?

Do të ketë një analizë për këta lojtarë dhe për të tjerë, por që rasti i Koliçit ishte deri diku i pranueshëm, ndërsa ai i Nikës ishte disi më ndryshe. Por unë nuk flas për këtë rast, pasi ndodhin në futboll. Unë flas për gjithë ecurinë, jo vetëm të Nikës, por të gjithë lojtarëve. Gjithsesi, unë me trajnerin Duro do të analizojmë thellë jo vetëm këto raste, por të gjithë ecurinë e kampionatit dhe do të shikojmë që sa dhe çfarë kanë dhënë lojtarët në ecurinë përgjatë sezonit. Brenda ditës së hënë ne do të marrim vendimet përkatëse.

Cila është ëndrra juaj për të arritur me Kukësin?

Ëndrra ime e kahershme është që ta shoh Kukësin në grupe. Kemi qenë shumë afër deri në fazën e katërt në eliminatore, por nuk ia dolëm dot. Shpresoj që këtë herë të shkojmë larg. Për këtë arsye kam folur me trajnerin Duro, të cilit i kam lënë hapësirat e nevojshme dhe buxhetin e duhur për të bërë merkato. Ai së bashku me drejtorin teknik Hasan Lika kanë në dorë që të bëjnë realitet atë çka unë dhe ne të gjithë duam.

Përgatiti: SKERDILAID SULOZEQI


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama