Fazliu Po largohem prej trajnerit

Fazliu: Po largohem prej trajnerit

Partizani i sezonit të ri nuk do të ketë në dis pozicion shërbimet e sulmuesit Astrit Fazliu, i cili në dy sezonet e fundit mbajti veshur fanellën e të kuqve.fazliu 28- vjeçarit nuk i ka ecur me trajnerët te "demat". Madje, në sezonin e parë, ka qenë vetë trajneri Duro që në fund e pranoi se i kishte hyrë në hak Fazliut duke e aktivizuar më pak.

Në sezonin e fundit, në drejtimin e trajnerit Starova, Fazliu ishte te zgjedhjet e para, por me ardhjen e Andrea Agostinelit kosovari u kthye në alternativë, madje në disa ndeshje e dërgoi edhe në tribunë.

Për shkak të kësaj situate që u krijua në pjesën e dytë të sezonit, Astrit Fazliu, të cilët i përfundoi kontrata me Partizanin, u detyrua të marrë në shqyrtim ofertat dhe, me shumë mundësi, në edicionin 2016-2017 do të jetë pjesë e Flamurtarit. Ishsulmuesi i Prishtinës nuk ka dashur të flasë rreth kësaj çështje, pasi dëshira e tij nuk ka qenë që të largohet nga Partizani. Por, falë insistimit të gazetës, Fazliu për "Panorama Sport" pranoi të sqarojë arsyen e largimit që pa dyshim ka lidhje me trajnerin Andrea Agostineli.

"Te Partizani jam ndier si në shtëpi dhe nuk e kisha menduar se do të largohesha kaq shpejt. Por isha i detyruar ta merrja këtë vendim, pasi u mërzita shumë me trajtimin që më bëri trajneri në dy fazat e fundit. Pasi dëgjova se Agostineli do të konfirmohej sërish, e pashë të udhës që të shqyrtoja ofertat që kisha.

Duke parë situatën, mendova të hyj në bisedime me Flamurtarin. Kaq mund t'ju them për momentin, pasi gjithçka do të sqarohet me kalimin e ditëve. Pra, arsyeja që po e lë Partizanin, është vetëm trajneri italian, pasi nëse do të kishte staf tjetër besoj se nuk do ta ndryshoja ambientin", u shpreh Fazliu për "Panorama Sport", i cili ka shënuar dy gola për të kuqtë në sezonin e fundit.

Përgatiti: Ilir Cara


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama