Bundesliga dhe beteja e ashper historike per mbijetese

Bundesliga dhe beteja e ashper historike per mbijetese

Kjo mund të konsiderohet padyshim si një nga betejat më të ashpra për mbijetesë në historinë e Bundesligës, teksa kampionati gjerman pritet të zhvillojë javën e parafundit të tij. As më pak dhe as më shumë, por plot 6 ekipe janë në rrezik për të rënë në kategorinë e dytë, Bundesliga 2.

Dy prej tyre do të sfidohen në një përballje të drejtpërdrejtë këtë fundjavë, në një nga ato ndeshje që konsiderohen si “6-pikëshe”, por kjo javë mund të rezultojë si tepër e dhimbshme për të paktën një prej emrave më të mëdhenj të futbollit gjerman.

Stuttgarti ndodhet në vendin e fundit me 30 pikë përpara se të sfidojë Hamburgun me vetëm 2 pikë më shumë sesa ta, por aktualisht jashtë zonës së rënies nga kategoria apo rrezikut të ndeshjes “play-off”.

Mes tyre janë ndarë 7 tituj kampionë të Bundesligës, ndërkohë që Hamburgu është ekipi që ka shkruar historinë deri më tani, pasi nuk ka rënë asnjëherë nga elita e futbollit gjerman. Humbësi i kësaj jave, nëse do të ketë, do të jetë i pari që do të përballet me rrëzimin nga Bundesliga.

Paderborni ka vetëm 1 pikë më shumë se Stuttgarti, teksa do të udhëtojnë për t’u ndeshur me Schalke 04, ndërsa Hannoveri, që ka të njëjtët pikë por ndodhet momentalisht në vendin e 16 që të çon në “play-off” për shkak të golavarazhit më të mirë, do të shpresojnë të arrijnë fitoren e parë për vitin 2015 kur të sfidojnë Augsburgun në fushën e këtyre të fundit.

Edhe Freiburg ka 31 pikë, por falë golavarazhit gjithashtu konsiderohet për momentin e shpëtuar, por vetëm kaq, pasi këtë fundjavë do të presë në fushën e tij kampionët e Gjermanisë, Bayern Munchen.

E fundit e rrezikuar, që kompleton edhe gjashtëshen, është Hertha Berlin, që teksa grumbullon 34 pikë deri në këtë fazë të sezonit, do t’i duhet vetëm një fitore në shtëpi ndaj Eintracht Franfurtit për të siguruar mbijetesën.

* Një tjetër çështje për t’u përcaktuar në Bundesligën e këtij sezoni është përfaqësimi në Europa League, në luftë për të cilin është Borussia Dortmund (që udhëton drejt Wolfsburgut), Werder Bremen (që pret M’gladbachun) dhe Augsburgu me Schalken, të cilët renditen aktualisht në këto vende që të sigurojnë biletën për në kompeticionin e dytë europian.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama