750 shqiptareve iu refuzua udhetimi ne tre dite

750 shqiptareve iu refuzua udhetimi ne tre dite

Rreth 750 shtetasve shqiptarë janë ndaluar tre ditët e fundit që të udhëtojnë drejt vendeve Shengen. Ministria e Brendshme njofton përmes një deklarate se e drejta e udhëtimit këtyre qytetarëve iu është refuzuar, për shkak të shkeljeve të procedurave.

Ministria i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë rregullat e lëvizjes në zonën Shengen, përfshirë këtu dokumentacionin dhe afatin e qëndrimit.

“Përgjatë 72 orëve të fundit Policia e Shtetit u ka refuzuar të drejtën e udhëtimit në zonën Shengen rreth 750 shtetasve shqiptarë në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë, të cilët rezultuan në shkelje të procedurave për udhëtim në zonën Shengen.

Policia e Shtetit ka shtuar masat e kontrollit në pikat kufitare, me qëllim garantimin e lëvizjes së lirë të shtetasve dhe përmbushjen e detyrimeve ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

Ministria e Punëve të Brendshme fton edhe një herë qytetarët të respektojnë rregullat e lëvizjes në zonën Shengen, duke udhëtuar me dokumentacionin e rregullt dhe duke respektuar ditët e qëndrimit.

Rikujtojmë se është absolutisht e pamundur që shtetasit shqiptar, të fitojnë azil politik në vendet e BE-së”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama