Pas gjashtë vitesh, Lorik Cana rikthehet në kampionatin francez. Kapiteni i kombëtares shqiptare do të jetë pjesë e Nantës, ekip ku pak ditë më parë u zyrtarizua mbrojtësi tjetër kuqezi, Ermir Lenjani.
Afrimin e 32-vjeçarit e konfirmoi vetë klubi i Ligës 1 në ueb-faqen e vet zyrtare pasditen e së hënës: “Nanta, Lacio dhe Lorik Cana kanë arritur një marrëveshje për transferimin e lojtarit të kombëtares shqiptare. Ai do të firmosë për dy vitet e ardhshme”.
Pasi u hoq përfundimisht nga planet e Lacios për sezonin e ri, e ardhmja e Canës mbeti e paqartë gjatë gjithë verës. Këmbëngulja e Nantës në ditët e fundit të këtij afati kalimtar bëri të mundur zgjidhjen me marrëveshje të kontratës me italianët një sezon para përfundimit.
Kapiteni kuqezi do të prezantohet te ekipi i ri javën e ardhshme, pas ndeshjeve me kombëtaren.