Shqiptaret me quajten te cmendur kur thashe se do shkonim ne France

'Shqiptaret me quajten te cmendur kur thashe se do shkonim ne France'

Trajneri Xhani De Biazi i ka bërë një analizë ndeshjes së djeshme. Duke folur për mediat armene, konkretisht për “armfootball.com”, strategu i këtij suksesi historik kuqezi, ka nënvizuar mes të tjerash: “Ne kemi qenë shumë të përqendruar te ndeshja me Armeninë.

U kisha thënë djemve të ishin të kujdesshëm për të mos pësuar asnjë gol, sepse çdo gjë bëhej tepër e vështirë për ne. Fituam me meritë besoj dhe për këtë nuk mund të ketë askush pikëpyetje. Tani jemi në finalet e Europianit të Francës. Kjo ndodh për herë të parë në Shqipëri, ndaj një komb i tërë është në festë. Kur nisa punën me këtë kombëtare dhe thashë se do të shkojmë në Francë, shqiptarët më quajtën të çmendur, por tani nuk është më një iluzion, as ëndërr.

Në ndeshjen e parë kualifikuese, që e kemi luajtur në mars, në Elbasan, kam mbetur i impresionuar nga ekipi kombëtar i Armenisë. Në veçanti unë doja të ndalja Mkhitaryan. I thashë kolegut tim të atëhershëm, Chalannde, se me një lojtar si Mkhitaryan në grup, ju keni një ekip të mirë. Unë e vlerësoj pjesëmarrjen në këtë turne, veçanërisht për vendet e vogla si Shqipëria dhe Armenia. Unë mendoj se ky ekip do të nderohet një ditë në Armeni, sikurse po ndodh me Shqipërinë tani. Kishim një situatë shumë të vështirë, sepse ndeshjet me Portugalinë dhe Serbinë shfaqën disa probleme të tejkaluara për ne, por tani jemi në “Euro 2016” dhe gjithçka harrohet.

Nuk isha shumë i sigurt në fitoren ndaj Armenisë, para ndeshjes, sepse kishte statusin e një “kafshe të plagosur”. Nuk jemi të sigurt për asgjë, por jemi të sigurt për aftësitë tona. Vetëm për një gjë ishim të sigurt, se një ditë do të shkonim në një kompeticion madhor.

Ky objektiv u bë realitet tashmë. Kjo fushatë kualifikuesesh ishte disi e çuditshme, sepse mundëm Portugalinë dhe Serbinë, por pastaj kemi humbur disa pikë në fushën tonë, në minutat shtesë. Më kanë kritikuar se aplikoj një lojë mbrojtëse, se përdor vetëm një sulmues, por dua t’u them të gjithë kritikëve në këtë moment: Sasia nuk është e rëndësishme, rezultati po.”

Nga ana e tij, trajneri i Armenisë, Sargis Hovsepian, e komentoi kështu humbjen 3­0 ndaj Shqipërisë: “Nuk dua të zgjatem, do të bëj vetëm një deklaratë të shkurtër. Unë nuk mund të jap një përgjigje për shkaqet e humbjes, sepse çdo gjë është aq e keqe, sa nuk gjej fjalë ta përshkruaj. Ishte faji im. Unë pashë vetëm një ekip në fushë dhe ai ishte ekipi kombëtar shqiptar. Te ne gjithçka ishte e keqe. Kjo është arsyeja pse po fajësoj veten, por ky është futbolli. Nuk është një gjë e mirë dhe këtë e shoh. Ju siguroj se kemi luajtur ndershëm, por ishim në një ditë shumë të errët. Sigurisht, është e vështirë për trajnerin pas ndeshjes, sepse e kuptoj se përgjegjësia bie mbi mua. Gjithçka ishte shumë e keqe. Po e përsëris, unë jam fajtor për gjithë këtë.”


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama