Shkelzen Gashi beson Mund te marrim 7 pike ne grup

Shkëlzen Gashi beson: Mund të marrim 7 pikë në grup

Shqipëria fillon Euro 2016 si një jofavorite, por sipas Shkëlzen Gashit, kuqezinjtë kanë shanse reale që të thonë fjalën e tyre dhe të jenë protagonistë kryesorë në Grupin A.

Shkelzen Gashi

"Duhet të fillojmë shumë mirë ndeshjen e parë. Kur i ke tri pikë të siguruara, të jep fuqi. Po të fillojmë mirë, unë shpresoj se mund të arrijmë 7 pikë në grup. Ky është maksimumi. Janë tre ndeshje në grup, duhet të kesh vullnet, duhet të japësh maksimumin në 90 minuta dhe të besosh te diçka e madhe. Se si shkojnë gjërat nuk i dihet, por duhet të besosh", ishte mendimi i futbollistit të përfaqësueses gjatë konferencës për shtyp në grumbullimin e kombëtares.

Ndeshja e parë do të jetë shumë e veçantë për 27-vjeçarin, i lindur dhe i rritur në Zyrih, pjesë e kontingjentit të madh të lojtarëve që kaluan nga radhët e përfaqësueseve zvicerane te ajo kuqezi. Ai ka shumë miq në radhët e Zvicrës, por për 90 minuta, do të bëjë maksimumin për t'i mposhtur. "Ndeshja e parë për mua është shumë emocionale, se të gjithë shokët i kam atje. I njoh të gjithë lojtarët e Zvicrës, kam luajtur bashkë me ta. Por kur gjyqtari të fillojë lojën, do të jap maksimumin kundër tyre. Janë katër lojtarë të Zvicrës që i kam shumë shokë, kam luajtur përkrah tyre në Bazel. Jemi shokë, por tani do të jemi kundërshtarë. Do të jemi të tillë për 90 minuta, do të jemi shokë përsëri dhe do të flasim bashkë pasi të mbarojë loja. Kontakti i fundit me ta? Kam folur para dy ditësh me Mikael Lang, mbrojtësin e Bazelit. Nga shqiptarët kam pasur kontakte të vazhdueshme me Granitin e Xherdanin", tregoi Gashi.

Gashi

Mesfushori me tipare sulmuese ishte protagonist kryesor në të dy takimet me Armeninë. "Për mua, goli i parë në Elbasan ishte emocionues, sepse po mundeshim dhe arritëm të kthenim ndeshjen në 2-1. Kur pashë të gjithë shqiptarët që gëzoheshin, më dha shumë fuqi e vullnet. Por nuk do ta kisha shënuar kurrë atë gol pa ekipin. Kemi një ekip të mirë, që ta bën më të thjeshtë të shënosh gol. Ndërsa në Armeni ishte ndeshja e fundit, e dinim që duhej fituar. E dija që disi duhej ta shtyja topin në rrjetë. Po atëherë u gëzuam vetëm pasi shënuam golin e tretë, atëherë e kuptuam që do shkonim në Francë. Ishte një moment që nuk do ta harrojmë kurrë në jetë, por tani ka ardhur momenti të përqendrohemi për Francën".

Në një rreshtim si ai i Shqipërisë, ku luan vetëm një qendërsulmues, hapësirat për futbollistët me tipare ofensive janë të kufizuara. Gashi bëri të qartë se të gjithë duhet ta pranojnë pankinën, pasi ekipi vjen para egos personale. "Trajneri vendos formacionin dhe të gjithë ata që luajnë duhet të japin maksimumin. Se kush luan, nuk është detyra jonë ta zgjedhim, është e trajnerit dhe ne duhet ta pranojmë. Me sistemin që kemi luajtur, kemi arritur kualifikimin, po ecim mirë në këtë mënyrë", deklaroi Gashi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama