Mergjyshi Ndeshje si ajo e Lushnjes me mire te mos luhen

Mërgjyshi: Ndeshje si ajo e Lushnjës më mirë të mos luhen

Numri një i pankinës fierake, trajneri Artan Mërgjyshi ka komentuar edhe një herë tjetër atë që ndodhi në ndeshjen ndaj Lushnjës, duke u shprehur se takime të tilla më mirë të mos zhvillohen. mergjyshi"Pësuam një tjetër humbje në një ndeshje ku vetëm futboll nuk u luajt, pasi ndërprerjet ishin të shumta për shkak të sharjeve që vazhduan gjatë gjithë lojës. Hasëm në një dhunë psikologjike të paparë dhe në një lojë të vendasve të qëllimshme për të dëmtuar lojtarët tanë. Por edhe të një gjykimi që përkëdhelte lojtarët vendas kur të paktën duhet të kishte ndëshkuar me karton të kuq 3-4 prej tyre.

Ne nuk ishim armiq, por vetëm kundërshtarë në fushën e lojës dhe kishim mundësi të zhvillonim një takim të qetë dhe të bukur për të kënaqur tifozët e pranishëm, pasi të dyja skuadrat kanë dalë nga objektivat. Por ajo ishte një ndeshje, e cila nuk mund të luhej normalisht dhe të tilla takime nuk duhen lejuar të zhvillohen. Këto gjëra nuk janë aspak justifikime për humbjen e pësuar, por një realitet i dhimbshëm dhe i turpshëm", tha trajneri i fierakëve që foli edhe për të ardhmen. Nuk duhet të harrojmë se në mesjavë fierakët do të luajnë në shtëpi ndaj Pogradecit, ekip që synon ngjitjen në Superiore.

"Megjithatë kampionati vazhdon, pasi janë edhe tre takime për t'u luajtur. Duhet të mendojmë e të fillojmë përgatitjet e kujdesshme për ndeshjen e radhës që do të luajmë në fushën tonë me Pogradecin ku do të kërkojmë me insistim nëpërmjet lojës që të rikthehemi te fitorja. Nuk kemi se çfarë të humbasim, ndaj do të japim maksimumin tonë", ka mbyllur tekniku kryeqytetas i Apolonisë, Artan Mërgjyshi.

Përgatiti: Mikel Mbriçaj


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama