Leksioni i Hafizit Derbi nuk fitohet me inat ja si ia del Tirana

Leksioni i Hafizit: Derbi nuk fitohet me inat, ja si ia del Tirana

Derbi është shansi i fundit për Tiranën, jo vetëm për Europën, por edhe për të rikthyer "paqen" e munguar me tifozët. Vetëm një fitore do shpëtonte sezonin, por njëherësh do t'i hiqte të drejtën rivalit të përjetshëm për të shpresuar te titulli kampion. astrit hafiziU bënë 8 ndeshje radhazi që bardheblutë nuk e thyejnë dot Partizanin dhe për të gjetur rrugën e kthesës duhet që të gjejnë "çelësin" për kthesën e madhe. Dhe Tirana ka luksin që frymëzimin ta gjejë brenda familjes. Shumë i freskët është triumfi i 19- vjeçarëve, të cilët bënë atë që ekipi i madh nuk po e konkretizon dot prej 26 muajsh. Dhe leksionet në prag të kësaj supersfide vijnë nga një ekspert si Astrit Hafizi, një nga trajnerët e suksesshëm të Kombëtares sonë.

Në një intervistë të dhënë për "Panorama Sport", ai e cilëson vendimtare këtë ndeshje, ndërsa nuk heziton që të rrëfejë porositë se si fitohet një derbi.

Atë që nuk po e bën dot Tirana e madhe, e bëri ekipi juaj pak ditë më parë. Kush ishte "çelësi" i suksesit në derbin e të rinjve?

Të dy derbet ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra. Këta janë të rinj, nuk kanë përvojën e të rriturve. Derbi mbetet një takim që ka lindur me krijimin e dy klubeve. Është një ndeshje që krijon emocion, entuziazëm dhe tifozëritë janë nga më të zjarrtat e vendit tonë, pastaj përballë janë dy skuadrat që kanë fituar më shumë trofe. Këto janë komponentë që e bëjnë këtë duel më interesant se të tjerët.

Por, përtej moshës dhe përvojës, në fushë zbresin të njëjtat fanella...

Po, po. Kjo transmetohet edhe nga familja, është një ndjenjë që injektohet. Por në derbin tonë ne nuk kishim presion në renditje, ndryshe nga Partizani që luante për vendin e parë. U krijua një ndeshje mjaft interesante, përtej pozitave që mund të kesh në klasifikim. Ishte një duel i luftuar nga ekipi ynë, ne donim që ta fitonim, pasi më herët kishim humbur kupën, barazuar dhe humbur. Ndaj mobilizimi ishte më i madh, por nuk është se bëmë ndonjë gjë të veçantë, pasi lojtarët karikohen vetë.

Çfarë u thatë lojtarëve para kësaj sfide?

Nuk ka recetë. Por ua sqarova që kjo ndeshje nuk duhet marrë me inat apo nerva. Fitorja merret me gjakftohtësi, interpretim dhe saktësi. Dhe jo se do ta fitosh. Asnjë ndeshje nuk merret me zor. Duhet ta interpretosh mirë lojën dhe të përfitosh nga gabimet e të tjerëve. Është një ndeshje që kërkon vëmendje, vigjilencë dhe dëshirë nga fillimi deri në fund. Por kjo varet edhe nga paraqitja e kundërshtarit, prej të cilës duhet të dish të përfitosh. Kjo ishte ajo që u transmetova fëmijëve, që të mos nisen me inat me dhunë, apo me veprime të nxituara.

Mund të jetë ky "çelësi" që Tirana e madhe të bëjë kthesën?

Nuk di ta them këtë, pasi atë e dinë më mirë drejtuesit e Tiranës së madhe. Unë nuk kam përjetuar derbe të tilla si lojtar, por si trajner po. Dhe pozitat janë të ndryshme. Këto i dinë më mirë futbollistët bardheblu, pasi dihet që ata pretendojnë të fitojnë, për të shpresuar për një vend në Kupat e Europës. E rëndësishme është që ata të jenë të qetë, të qartë dhe me nerva të ftohta. Ndryshe nuk mund t'ia dalin.

Sipas jush, çfarë duhet të bëjë ndryshe Tirana të mërkurën?

Këto më mirë se Daja nuk i di kush. Ai i sheh përditë lojtarët dhe po përjeton derbin e tretë në mos gabohem, unë jam pak larg. Jam pjesë e klubit, por jo e Tiranës së madhe. Por, sikundër e thashë, qetësia duhet ta shoqërojë skuadrën nga fillimi deri në mbyllje të takimit. Ky është elementi që mund të zgjidhë gjithçka. Duhet disiplinë dhe të mos dalësh nga detyrat. Nëse koka nuk udhëheq këmbët, atëherë do ndodhë e kundërta. Pastaj varet edhe nga situatat që mund të krijohen, por ekipi duhet të tregohet vigjilent që të jetë në momentin dhe vendin e duhur.

Si e keni parë ecurinë e të dyja skuadrave deri në këtë fazë të kampionatit? Mendoni që ka disnivele?

Partizani është ende në rrugëtim, pasi edhe po fitoi kundër Tiranës nuk është se do fitojë titullin. Por thjesht do mbetet në valle. Ndërsa një trepikësh për bardheblutë do të përkthehej në shpresë për Europën, shanset do të ishin më të mëdha. Ecuria ndryshon, pasi të kuqtë kanë pasur më shumë stabilitet. Kanë një grup lojtarësh shumë më të mirë se herët e tjera, ndërsa për Tiranën ka vështirësi, pasi ka edhe një organikë të cunguar. Pra, në raport me Partizanin, janë një hap prapa, kanë diferenca. Kjo shihet edhe nga renditja.

Një fitore e Tiranës a do t'ia hiqte titullin nga duart Partizanit?

Kjo është pak, por e sigurt. Nëse fiton Tirana dhe Skënderbeu njëherësh, të kuqtë do të dilnin jashtë loje. Është një llogari e thjeshtë. Por Tirana pikësëpari duhet të luftojë për veten, njëkohësisht mund t'i prishë punë edhe rivalit të përjetshëm. Mendoj se Partizani nuk ka rrugë tjetër veç fitores.

Po me barazimin çfarë mund të ndodhë?

Askush nuk do të kënaqej, pasi që të dyja do të dilnin nga gara, gjithnjë nëse Skënderbeu nga ana tjetër do të fitonte. Partizani varet nga këmbët e Sukajt, ndërsa Tiranës i mungon një "pykë" e mirë- filltë.

Sa do ndikojë ky fakt të mërkurën?

Diferencat janë. Partizani ka lojtarë të tillë që mund të dërgojë topin në rrjetë. Nuk është se Sukaj ka ndonjë përgatitje të jashtëzakonshme si lojtar. Por, përvoja e tij bën që të ketë edhe gola. Shpeshherë ka qenë edhe i dëmtuar dhe nuk është se gjithnjë ka zhvilluar lojëra të mira, por ka nuhatje. Element që u mungon shumë të tjerëve. Fakti që Tirana nuk e ka një të tillë e dëmton. Fakti që është ekipi që ka më shumë barazime, e vërteton këtë. Ka mbrojtjen më të mirë, por sulmin jo. E ka vuajtur dhe do ta vuajë këtë fakt. Mungesa e një "pyke" e ka penalizuar shumë. Goli është ai që të jep pikët.

Një parashikim a mund ta bëni?

Me dëshirë, them që të fitojë Tirana. Kam qejf që ata të marrin trepikëshin, pastaj se si do të dalë kësaj nuk i dihet. Do jetë një ndeshje e kujdesshme, pasi janë edhe dy ekipet që kanë pësuar më pak. Por ai që mund të shënojë golin e parë më shpejt, do ketë më shumë probabilitet që ta fitojë ndeshjen.

Ju nuk keni përjetuar në fushë derbi, por nëse përmendet Tirana-Partizani çfarë ndeshjeje ju vjen në mendje?

Kujtoj një fitore të Tiranës me shifrat 7-3. Një rezultat i jashtëzakonshëm dhe interesant për nga mënyra e zhvillimit të lojës. Derbet zakonisht prodhonin pak gola, ndërsa 10 gola në një ndeshje ishte e tepërt. Mbaj mend që ka qenë i viteve '80 e ca.

Ju duket e tepërt që janë bërë 8 ndeshje radhazi që Tirana nuk e mposht dot Partizanin?

Më duket shumë. Zakonisht nuk kanë qenë kështu, kanë qenë të ekuilibruar. Nuk ka shkuar kaq gjatë që Tirana të mos fitojë një derbi.

Kjo ndeshje konsiderohet si vendimtare jo vetëm për Europën, por edhe për tifozët...

Mungesa e mbështetjes së tifozëve ndikon pak tek ekipi nga ana psikologjike. Kjo ka pasur "pagesën" e saj për Tiranën, pasi një skuadër nuk mund të rritet pa përkrahje. Kjo ia ka ulur pak epërsinë bardhebluve.

Si e shihni garën në total, kur jemi 4 ndeshje larg finishit. Kë shihni të favorizuar për titullin?

Kjo e bën të bukur këtë kampionat në fakt. Asgjë nuk është vendosur ende dhe nga java në javë priten surpriza. Parashikime nuk bëj dot, pasi jemi në një fazë që gjithçka mund të ndryshojë, pasi çdo ekip luan për diçka. Megjithatë, pikët që ka në avantazh Skënderbeu e bëjnë deri diku favorit. Por nëse vijohet kështu mes dy ekipeve të vendeve të para, pra nuk do të ndalen, atëherë edhe ndeshja e javës së fundit do të bëhej përcaktuese. Korçarët luajnë me Flamurtarin që rrezikon në mbyllje të kampionatit, ndeshje që realisht parashikohet e vështirë.

Ka "luftë" edhe për Europën dhe mbijetesën, kë sheh më të avantazhuar dhe të rrezikuar Hafizi?

Për Europën shoh Kukësin një hap përpara, ndërsa Teutën në gatishmëri për të zënë një vend në Europë, gjithnjë nëse Kupa fitohet nga verilindorët. Por edhe Tirana, nëse fiton derbin, do të jetë aty dhe do ketë shanset e veta për të luajtur në arenën europiane. Ndërsa fundi i tabelës po ashtu mbetet pezull, vetëm Tërbuni e ka siguruar rënien. Ndërsa të tjerat do luftojnë "dhëmbë për dhëmbë" për të shpëtuar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama