Haxhiu Ramadani fajtor duhet te largohet ne fund

Haxhiu: Ramadani fajtor, duhet të largohet në fund

Ish-anëtari i bordit drejtues të Klubit të Futbollit Flamurtari, aktualisht këshilltar në Këshillin Bashkiak të Vlorës, Saimir Haxhiu, është i mendimit se faji për situatën në të cilën gjendet ekipi bie mbi trajnerin Ramadani. saimir haxhiuNë një intervistë për "Panorama Sport", Haxhiu analizon situatën në ekip, si dhe kritikon kapitenin Telushi për deklaratën e fundit. Ai pohoi se konflikti mes Shpëtim Gjikës dhe Sinan Idrizit nuk duhet të ndodhte.

Zoti Haxhiu, po i ndiqni zhvillimet te Flamurtari?

Mund të them se kjo është situata më e vështirë në këto kampionatet e fundit. Kjo jo për fajin se Flamurtari rrezikon seriozisht rënien në Kategorinë e Parë, porse kjo situatë ka prodhuar hidhërim te sportdashësit vlonjatë, si dhe ka venitur besimin dhe shpresën se do ketë së afërmi Flamurtar elitar.

Mendoni se Flamurtari rrezikon të bjerë nga kategoria?

Unë vazhdoj të them se Flamurtari nuk bie nga kategoria, pasi jo gjithçka varet nga përpjekjet e tij, por dhe nga rezultatet e rivalëve direkt. Java e ardhshme është vendimtare për mendimin tim. Uroj që fati i Flamurtarit të mos varej te ndeshja e fundit me Skënderbeun.

Administratori Idrizi rikonfirmoi trajnerin Ramadani. Cili është komenti juaj për këtë vendim?

Mendimin tim për trajnerin e kam dhënë që në fillim të fazës së tretë. Një ansambël që nuk u përgjigjej njohurive të tij për skuadrën që kishte marrë përsipër të drejtonte. Ramadani është fajtori kryesor i gjendjes në të cilën ndodhet Flamurtari. Kontestimi i tifozëve është shumë pak për atë që presin nga skuadra. Futbolli shqiptar është rritur nga cilësia dhe nuk ka nevojë për trajner vetëm punëtor, por edhe të ditur. Trajneri, për mendimin tim, nuk duhej të kishte ardhur në Vlorë, por tani s'është momenti të largohet. Në fund të kampionatit duhet të ikë menjëherë.

Telushi u shpreh se humbja me Kukësin erdhi nga lojtarët e huaj. Si e shikoni këtë deklaratë?

Jam kundër prononcimit të kapitenit Bruno Telushi. Nuk mund të fajësosh kolegun, sidomos në momentin ku ndodhesh. Kjo nuk i shërben klimës në skuadër.

Si e komentoni debatin e fundit mes Gjikës dhe Idrizit?

Unë e kam ndjekur me vëmendje debatin mes Gjikës dhe Idrizit. Nuk më vjen mirë, pasi ata janë vetë firmëtarët e asaj kontrate. Është një debat që nuk duhet të ndodhte.

Në muajin maj, kompanive turke ju përfundon kontrata. Mendoni se duhet rinovuar?

Është e vërtetë që përfundon kontrata midis bashkisë dhe kompanive turke. Në rolin e këshilltarit do ta mirëpres, nëse do të kërkohet shtyrje e kontratës, ose çdo zgjidhje tjetër në favor të Flamurtarit, ku flitet vetëm për sport dhe jo për konflikte e borxhe.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama