Ekskluzive/ FIFA pezullon merkaton e Tiranes prej nje bullgari

Ekskluzive/ FIFA pezullon merkaton e Tiranës prej një bullgari

Martin Kavdanski luajti vetëm 4 ndeshje me Tiranën dhe, më pas, u largua pa lënë asnjë gjurmë, por qendërmbrojtësi bullgar u ka hapur një telash të madh bardhebluve. Ai është ankuar në FIFA për zgjidhje të njëanshme të kontratës dhe e ka fituar gjyqin me kryeqytetasit.

Duke qenë se kjo është e disata herë që Tirana shfaqet në zyrat e FIFA-s si klub borxhli, dje është marrë edhe një vendim drastik: "Pezullohet merkato e Tiranës për periudhën në vijim".

Martin-Kavdanski

Ky ka qenë verdikti i institucionit botëror të futbollit, i cili gjithashtu bën me dije se Tirana duhet që të ketë edhe një numër faksi funksional, pasi nuk arrin të komunikojë në rrugë zyrtare me klubin 24 herë kampion të Shqipërisë. Në fakt, Tirana e sotme po paguan menaxhimin jo të mirë ndër vite, sepse për disa kohë që klubi ishte tërësisht në menaxhimin e bashkisë, u firmosën kontrata fiktive me lojtarë që nuk mbërritën kurrë në Shqipëri.

E gjithë kjo iu përplas Refik Halilit si peshqesh nga ata që e patën administruar klubin. E, megjithatë, duhet thënë se Kavdanski i përket pikërisht epokës së re të Halilit dhe, duke qenë se ish mbushur kupa që më parë, Tirana është gjendur përballë një situate alarmante. Klubi ka pesë ditë afat të komunikojë me FIFA-n dhe të bëjë shlyerjen e lojtarit, në të kundërt do të vuajë pasojat.

E vetmja gjë e paqartë mbetet koha kur do të vihet në zbatim, pra hyn në fuqi që në merkaton e kësaj vere, apo në vazhdim. Nëse pezullimi hyn pikërisht tani, atëherë rrezikohet edhe federimi i blerjeve të fundit.

Ja çfarë thotë FIFA në shkresën që i dërgon Federatës Shqiptare të Futbollit:

kavdanski

"I nderuar zotëri, ne i referohemi çështjes së lartpërmendur dhe në veçanti, për shkak të vendimit të miratuar nga Dhoma e Zgjidhjeve të Mosmarrëveshjeve, më 17 qershor 2016, një kopje e të cilit është njoftuar më 1 korrik 2016.

Në këtë drejtim, ne pranojmë marrjen e korrespondencës më datat 10 dhe 19 gusht 2016, që ia kemi paraqitur me shërbimet tona Z. Martin Nikolaev Kavdanski, me anë të cilit ai e konfirmon se nuk e ka marrë shumën e përcaktuar në pikën III/ 2 të vendimit të lartpërmendur.

Si pasojë, në korrespondencën tonë prej 1 korrikut 2016, me mirësi po ju informojmë që pika III/5 e vendimit të lartpërmendur tashmë ka hyrë në fuqi, pra një ndalim të imponuar për regjistrimin e lojtarëve të rinj, vendës dhe të huaj, për periudhën e ardhshme të regjistrimit (federimit) të lojtarëve.

Në lidhje me artikullin 9, paragrafi 5 të Rregullores për Procedurat e Komisionit për Statusin e Lojtarëve dhe Rezolutës së Dhomës së Ankesa, ne me mirësi kërkojmë nga FSHF që menjëherë t'ia dërgojë dokumentet aktuale anëtarit tuaj, klubit FK Tirana.

Përveç kësaj, me mirësjellje i kërkojmë Federatës Shqiptare të Futbollit të na sigurojë ne një numër funksional faksi të anëtarit të saj, klubit FK Tirana, në 5 ditët në vijim. Ne ju falënderojmë për vëmendjen tuaj për atë që i referohemi më sipër, si dhe për përcjelljen e këtij dokumenti për klubin tuaj".

Çfarë pat thënë Kavdanski pas largimit

Pas lajmit të publikuar nga gazeta më 25 dhjetor 2015, një ditë më pas ishte vetë klubi i Tiranës që konfirmoi zyrtarisht "divorcin" me Martin Kavdanskin. Ata njoftuan se palët kanë zgjedhur kontratën me konsensus dhe me shtrëngim duarsh. Sakaq, vetë mbrojtësi për "Panorama Sport" pat pranuar faktin që nuk do të jetë më pjesë e kryeqytetasve.

tirana

"Po, është e vërtetë që jam larguar nga Tirana, duke i dhënë fund aventurës si bardheblu. I uroj gjithë të mirat Tiranës dhe në veçanti lojtarëve dhe trajnerit. Isha tejet i lumtur në Shqipëri dhe një pjesë e imja është ende te Tirana", pat thënë Kavdanski, ndonëse nga sa duket jo gjithçka ka shkuar edhe aq mirë, referuar edhe shkresës më të fundit të lëshuar nga FIFA.

ERMAL KUKA



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama