Ngjan sikur të gjithë i kanë rënë për shkurt. Kërkimi nuk ka qenë edhe aq i lodhshëm. Një fotografi para dhe mbaroi. Rrasoja e gjatë deri në fund të këmbëve, me konopin lidhur në brez. Një kryq në qafë. Po të ketë edhe ndonjë libër në dorë nuk është keq. Po hajde merre vesh se çfarë libri është. Pas një pune të vështirë seleksionimi, këto dy ditë u shpallën dhjetë "finalistët" e Konkursit Kombëtar për realizimin e monumentit kushtuar personalitetit të shquar shqiptar, Gjergj Fishta. Bocetet u grumbulluan dhe u ekspozuan në sallën e Bibliotekës së Galerisë Kombëtare të Arteve. Nga njëra punë në tjetrën, vështirë të dallosh individualitetin e njërit autor nga tjetri. Nuk është fjala për çështje forme e stili, por nuk dallohet Fishta i njëritnga i tjetrit. Thua se të gjithë kishin qenë në një mendje duke pasur parasysh të njëjtin imazh për figurën poliedrike të personalitetit të Fishtës. Ishte e njëjta prerje. At Gjergji në një qëndrim statik në këmbë, ndonjëherë edhe ulur. Përjashtim bën vetëm prurja e skulptorit Arben Bajo, i cili, ndryshe nga të tjerët, ofron një portret dhe jo një projekt-shtatore e në këtë mënyrë jep mundësinë për të lexuar në portretin e këtij njeriu. Ndërsa tek të tjerët, ndoshta edhe për shkak të përmasave, portreti nuk thotë kurrfarë gjëje, kurrfarë thelbi, një karakter i papërcaktuar.
Tek shqiptarët ndodh një proces mendor mekanik, që kur dëgjojnë emrin e Fishtës, ndër mend u vjen "Lahuta e malcisë", apo "Gjuha shqipe". U vjen ndër mend poeti e publicisti e më pas katoliku, apo njeriu me zhgunin e klerikut françeskan. Kjo ndiesi pa dyshim të krijohet edhe kur sheh bocetet. Por kjo ndodh vetëm për shqiptarët, sepse një i huaj, nuk do të kuptonte dot kurrë që ajo shtatore i takon një prej emrave të rëndësishëm të letrave shqipe. Për ta do të ishte thjesht një At e asgjë më shumë. Një gjë të tillë e ka vërejtur së pari komisioni përzgjedhës i veprave i përbërë nga artistët Perikli Çuli, Ali Oseku, Rubens Shima, Pashk Përvathi e përfaqësuesi i MTKRS-së, drejtori i Sektorit të Librit dhe Kulturës së shkruar, Agron Gjekmarkaj. Ditën e shpalljes së dhjetë skulptorëve "finalistë", ata bënë të njohura edhe vërejtjet e tyre. Është hera e parë që një komision, e merr me aq seriozitet punën dhe tregohet transparent, saqë deklaron të gjitha vërejtjet mbi këtë konkurs, i cili deri më tani duket i mbetur në tentativë. Një rol në këtë mes ka luajtur pa dyshim edhe kreu i komisionit, i cili njihet si adhurues i Fishtës. Komisioni Shtetëror, pas tre seancave punë, vëzhgimi të kujdesshëm të të gjitha boceteve të propozuara nga skulptorët pjesëmarrës dhe pas shumë debatesh dhe konsultimesh, konstatoi se në "fazën e parë të Konkursit Kombëtar, për realizimin e veprës në skulpturë, statujë-monument, kushtuar Gjergj Fishtës, prurjet artistike kishin shmangie nga figura shumëplanëshe e poetit, personalitetit të politikës, medias dhe kulturës shqiptare". Sipas komisionit, prurjet artistike tregonin për moskuptimin e plotë nga ana e skulptorëve të figurës dhe personalitetit të poetit epik të trevave shqiptare. Më tej vërehet se prurjet artistike treguan se "skulptorët e kanë parë figurën e këtij gjiganti të letrave dhe të mendimit shqiptar thjesht si një klerik dhe jo si një personalitet me cilësi shumëplanëshe të jetës shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX".
Gjithsesi, pavarësisht prurjeve të dobëta, komisioni zgjodhi dhjetë artistë, mes të cilëve edhe piktorë. Ata janë pikërisht skulptori gjirokastrit Arben Bajo, i cili trajton shumë temën e mitit dhe portretin, Artisti i Popullit Muntaz Dhrami, realizues i një numri të madh veprash monumentale. Për të vazhduar me të tjerë emra si Ferid Kola, Ymer Metalia, piktori Andi Nallbani, Ardian Pepa, Thanas Papa, skulptori dhe dekani i Fakultetit të Arteve Pamore, Artan Peqini, Vladimir Llakaj e Hilmi Kasemi.
Gjithmonë duke u bazuar në prurjet e konkursit, komisioni vendosi që në fazën e dytë të konkurimit, 10 skulptorët e përzgjedhur të prezantohen me bocete të reja, dhe jo me ato të paraqitura në fazën e parë. Është hera e parë kur prurjet e një konkursi për vepër monumentale kthehen mbrapsht të gjitha siç janë.
Koha e vënë në dispozicion për realizimin e punëve të reja përfshin periudhën nga 13 qershori deri në 31 korrik, që është vërtet kohë e pamjaftueshme. Data 1 gusht 2007 është dita e fundit e dorëzimit të materialeve në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe në datën 3 gusht do të fillojë punën KomisionShtetëror, për të përzgjedhur bocetin fitues. Por nuk është e thënë që ky proces të përfudojë këtu. Nëse edhe në fazën e dytë nuk do të ketë prurje cilësore, konkursi do të shtyhet. Këtë e thotë kryetari i Komisionit Shtetëror të Konkursit Kombëtar për veprën në skulpturë të Gjergj Fishtës, Agron Gjekmarkaj. Sipas tij, nëse afati deri në 31 korrik nuk do të jetë një kohë e mjaftueshme për realizimin e një vepre cilësore, atëherë konkursi do të shtyhet, në mënyrë që të arrihet një vepër e denjë. Edhe pse një figurë shumëplanëshe, duket se Fishta nuk u ka ndezur ende shkëndijën e frymëzimit skulptorëve shqiptarë, të cilët u paraqitën në konkurs, si për të shkuar radhën. Ndoshta faza e dytë ka për të rezultuar më e frytshme, në të kundërt do të duhet edhe ca kohë deri sa ta kemi shtatoreb e "Homerit shqiptar" që do të vendoset në qytetin e Lezhës.
Alma Mile - Gazeta Shekulli











