Çfarë e bën të qëndrueshme një vepër të një autori shqiptar që nisi ta shkruajë në rininë hershme dhe i dha fund para vdekjes, qoftë ky Mitrush Kuteli? "Permanenca shqiptare", do thoshte pa mëdyshje, e bija, një grua trupvogël me një barrë inteligjence skrupuloze. "Permanenca që lidhet me disa tipare kombëtare që pavarësisht se në një mënyrë a në një tjetër ndërrojnë, na shoqërojnë gjithmonë. Një i ri do të trishtohej që tek shqiptarët përsëriten të njëjtat difekte, kurse unë do trishtohesha dhe do ta thosha se jemi po ne, në të mirë dhe në të keq",- përkufizon Atlanta frymën që i bën të gjithkohshme dhe të vlefshme edhe sot, "Shënime letrare". Vepra e Mitrush Kutelit (Dhimitër Pasko, 1907-1967) që përmban nga shkrimet e para botuar tek "Shqipëria e re" e Kostancës në vitin 1928 deri tek shënimet afër vdekjes, në vitin 1965, është në proces përgatitjeje për t'u botuar si vëllim i plotë 600 faqësh. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nëpërmjet Këshillit Kombëtar të Librit, e ka miratuar si nga projektet ambiciozë që ka në kolanën e autorëve dhe veprave kombëtare dhe do të promovohet në 13 shtator në ditën e vitit të njëqindtë të lindjes së shkrimtarit, vit i shpallur i "Mitrush Kutelit" nga kjo ministri.
Një pjesë e "Shënimeve" pati të vetmin botim në vitin 1944. Siç dihet, vepra e Kutelit ishte e ndaluar apo gjysmë e ndaluar dhe s'u botua asnjëherë e plotë deri në vitin nëntëdhjetë. Edhe për këtë arsye, botimi në fjalë përbën ngjarje, përveç vlerave të padiskutueshme që ia njohin ca pak njerëz kësaj ane të spektrit të shkrimtarisë së Kutelit, pra kritik letrar dhe publicist. "Kushtuar kritikut të vërtetë të së arthmes me dëshirë e urim që rrethi e rrethanat shqiptare t'i japën më shumë liri për shprehjen e mendimeve letrare",- shkruan autori në faqen e parë të shënimeve letrare, viti '44, si botim' i autorit nga Shtypshkronja e Shtetit Tiranë. Përbri shkruhet "Pronë letare".
Mban vulën "Biblioteka Mitrush Kuteli", ka dhe një firmë prej dorës së tij. Këtë dhe 2-3 kopje të tjera ia ka ruajtur Atalanta Pasko.
Nga ato kopje që mund të kenë mbetur në biblioteka të tjera personale, është përhapur jevona që kanë lënë shënimet në formë reportazhesh introspektivë "Vargje mbi gurë varresh" të cilën po e botojmë sot të plotë dhe "Në Prizren midis të gjallëve dhe të vdekurve". Mbi këtë titull shkrimtari dhe esteti Aurel Plasari ka shkruar "Kuteli midis të gjallëve dhe të vdekurve", duke qenë i pari studiues që rimori në një vështrim kritik shkrimtarinë e Kutelit, dhe duke e vënë në qendër të vëmendjes një autor që thuajse po humbiste për pak deri në fund. Prandaj vëllimi që po botohet nga MTKRS, mendohet të ketë një parathënie të Plasarit.
Për t'i dhënë një ide lexuesit se ç'janë këto shënime, po marrim disa nga titujt që dhe përmbajtja që botimit të '44-ës. Ajo nis me "Poeti Fan S. Noli" me vshtrimin panoramik, që vetë Kuteli e quan studim i shtypur "si hyrje në librën me vjersha "Mall e brengë" prej Fan S. Nolit." Shënimi i dytë letrar është "Disa fjalë mbi vjershat e reja të Lasgushit" ku Kuteli bën rolin e kritikut që ndodhet në kohën dhe në vendin e duhur. Vazhdon me: "Poeti Mihail Eminescu – jeta, vepra dhe shqipërimi i disa vjershave të tija". Ky shënim është i vitit 1939 nga Bukureshti, edhe ky është studim i botuar si hyrje në vëllimin e vjershave të Emineskut të shqipëruara nga Kuteli dhe të botuara më 1939. E papritura vjen menjëherë pas këtij shënimi. Mitrush Kuteli bën autokritikë për përkthimet që i ka bërë Emineskut. Ia nis me pyetjen: a mund të bëjë një shkrimtar kritikën e veprës së vet? Shënimi është i vitit 1943, pra katër vjet më pas, kur Kuteli i kishte shqipëruar ato.
Është e kuptueshme që as edhe Taras Shevçenko – këngëtori i Ukrainës, mes shënimeve të tjera nuk do të botohej për arsye të kufizimeve ideologjike, në asnjë nga pesë vëllimet e veprës së Kutelit të përgatitura nga "Naim Frashëri" më 1989.
Jo se jo dhe anatomia e jetës letrare shqiptare në vitin 1943 që shkrimtari-kritik e quan
"Viti 1943- Zi në letrat shqipe", një hrefleksion i gjatë që merr shkas nga humbja në atë stinë e dy penaveluftarake, e Faik Konicës dhe Vangjel Koçës. Një leksion të mirë se ç'do të thoshte të jesh kritik në Shqipëri, Kuteli i sapokthyer në atdhe nga Rumania, do ta merrte nga buzëqeshja e trishtuar e Koçës. Ndërsa shëtisnin në bulevardin e Tiranës Koça i thotë: Rroj në Shqipëri i lidhur këmb e duar bashkë e s'bëj ndryshe. Ti je i lumtur që jeton jashtë."
"Njerëzit zemërohen për një fjalë të mirë që s'e kam thënë dhe për një fjalë të keqe që e kam thënë. Tani e kuptoj buzëqeshjen e hidhur të Vangjel Koçës",- përgjigjet Kuteli tek "Zi në letrat shqipe", ku për t'u veçuar është analiza përmbyllëse mbi vobektësisë e inteligjencës.
Atalanta Pasko thotë se shënimet e panjohura që botohen në këtë vëllim kanë të bëjnë me hapësirën mbarëshqiptare, pra me kufijtë realë shqiptarë dhe me religjionin. "Për çdo lloj akuze që mund t'i bëhet ideve të tij, Kuteli përgjigjet në veprën e tij", thotë gruaja e cila nuk do dëshironte të komentonte më gjatë abuzime dhe keqkuptimet e mbjella në shtyp vitet e fundit mbi disa ide jashtëletrare të Kutelit të shprehura në publicistikën e tij. Në ka tjetër gjë permanente që Atalanta veçon nga shënimet është fryma e lirisë dhe e guximit: është i lirë të thotë dhe guxon të thotë atë që mendon as si politikan dhe as shqiptarçe, pavarësisht se kush zemërohet dhe kush jo.
Atalanta dhe Doruntina, bija e vogël e Kutelit, po punojnë për veprën mbi shënimet origjinale duke dashur që ky të jetë një botim ashtu siç ka shkruar autori. Në botimet e vjetra deri në botimet e viteve '90-91, gjuha e tij është prekur. Ndërsa kjo vepër është në linjën e iniciativës që trashëgimtarët morën para disa vitesh për botimin e veprës së plotë ashtu siç e ka lënë Dhimitër Pasko në dorëshkrime. Përgatitja, konfrontimi me origjinalin dhe trajtimi gjuhësor po bëhet nga vajzat në mënyrë të tillë ku të ndjehet koha, por edhe gjuha të mos bëhet e lodhshme dhe të mos arrijë deri në atë pikë që të bëhet pengesë për lexuesin.
Elsa Demo - Gazeta Shekulli











