Rama Tifozet lojtari me i mire.

Rama: Tifozet, lojtari me i mire.

Rama – “Barazimi do qe më i drejtë, po ky është futbolli. Sot lojtari më i mirë ishte publiku fantastik kuqezi. Nesër ditë e re, ëndrra vijon në Armeni!”

Vuçiç – “Unë përgëzoj lojtarët tanë për fitoren e merituar, loja e ndershme dhe sjellje dinjitoze që u tregua në ndeshjen e mbrëmshme”, ka reaguar Kryeministri serb

Saimir Tahiri – Nuk fituam në fushë, por jashtë saj! Shembull qytetarie dhe respekti. Faleminderit Policisë së Shtetit dhe çdo qytetari që ndihmoi të tregoheshim të denjë si qytetarë të Europës

Shqipëria i jep leksion Serbisë për mënyrën e organizimit dhe të mikpritjes. Ndeshja e futbollit është kthyer në një test për shtetin shqiptar, sa që më tepër i kushtohej vëmendje mënyrës së organizimit se sa rezultatit të futbollit, për të cilën Shqipëria priste me patjetër trepikëshin e artë që mund t’i dërgonte drejt Francës, në Euro 2016. Dy ndeshjet e zhvilluara brenda një harku kohor njëvjeçar ofruan dy tablo të ndryshme, për sa i përket mënyrës së organizimit, pavarësisht se shteti serb dukej se na kishte vënë në lupë, e për çdo gjë që nuk mund t’i kënaqte ata, edhe në detajin më të vogël mund të refuzonte të luante ndeshjen. Tensioni u vërejt përgjatë aksit Tiranë-Beograd, ku dhe një incident i vogël i një fëmije 14-vjeçar u cilësua si “provokacja” e rëndë nga shteti serb, aq sa nuk ngurruan që të shpallin ‘non grata’ ambasadorin shqiptar në Serbi.

 

Dy tablo ekstreme u shfaqën përgjatë këtyre dy ndeshjeve, ku policia shqiptare mbrojti dhe ruajti rendin për ekipin serb, si para dhe pas ndeshjes së futbollit. Ndërsa tifozët serbë pushtuan stadiumin e Beogradit, duke goditur futbollistët dhe stafin e ekipit shqiptar, në Tiranë ekipi serb u trajtua në mënyrën më të mirë të mundshme, kjo si nga tifozët, ashtu dhe nga djemtë e ekipit të kombëtares sonë. Gjatë ndeshjes nuk pati thirrje raciste ndaj ekipit serb, përkundër asaj që shqiptarët përjetuan ferrin e para një viti, ku i tmerrshmi, Ivan Bogdanov, shëtiste serbes në tapetin e gjelbër të stadiumit të ‘Partizanit’ të Beogradit. Ndërsa Shqipëria, si për ta kënaqur kryeministrin serb, arrestoi dhe tifozin Ballist Morina. Një vit më parë, policia serbe bllokoi tifozët shqiptarë që në aeroport, aq sa u desh ndërhyrja diplomatike mes dy shteteve për të zgjidhur këtë konflikt. Ndërsa delegacioni serb, me në krye kryeministrin Vuçiç, nuk preferoi të vinte në Tiranë, duke nxjerrë pretekste, madje duke vendosur dhe kushte për listën e të ftuarve. E tillë ishte dhe kushti që zv.kryeministri i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi, të mos ishte prezent në stadium, gjë që fatkeqësisht ndodhi. Në stadiumin e ‘Elbasan Arena’ kishte një foto të përbashkët me ‘Fair Play’, gjë që u vërtetua dhe jo me këtë gjest simbolik, por edhe në mënyrën e sjelljes të lojtarëve kuqezi, pa mohuar dhe ata serbë.

 

E pra, këto janë dallimet për mënyrën e organizimit të ndeshjes, ku Shqipëria tregoi një frymë europiane në sjellje, larg shfaqjes së urrejtjes e nacionalizmit, ku thirrjet e serbëve të një viti më parë ushtonin “vritini, vritini shqiptarët”. Në këtë përballje, Shqipëria të paktën i dha një leksion Serbisë, duke treguar se si mund të organizohet një ndeshje, pavarësisht nacionalizmave. Serbia mbase mund të ishte përgatitur për ndonjë skenar tjetër, që mbase do të donte që shtonte notat e protestës ndaj shtetit shqiptar, por tashmë ata janë zhgënjyer. Historia mes dy vendeve, ngarkesa psikologjike e tensionet ndikuan ndaj ekipit shqiptar. Ndërsa, i dehur nga kjo fitore, kryeministri serb nuk ka ngurruar që t’i urojë ekipit serb fitoren, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, por ka harruar të falënderojë shtetin shqiptar për mënyrën e organizimit. “Unë përgëzoj lojtarët tanë për fitoren e merituar, loja e ndershme dhe sjellja dinjitoze që u tregua në ndeshjen e mbrëmshme”, thuhet në urimin e Kryeministrit Vuçiç.

 

Ndërsa Kryeministri Edi Rama nuk ka ngurruar që të falënderojë tifozët për mikpritjen, duke i cilësuar si lojtarin më të mirë. “Barazimi do qe më i drejtë, po ky është futbolli. Sot lojtari më i mirë ishte publiku fantastik kuqezi. Nesër ditë e re ëndrra vijon në Armeni!”, reagon Rama në ‘Facebook’. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, përveç komentit për ndeshjen rezervon dhe një falënderim për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që u angazhuan për garantimin e rendit dhe sigurisë në vend gjatë këtyre dy ditëve.

 

Ashtu si dhe kreu i qeverisë, edhe ministri Tahiri shprehet se ëndrra e kuqezinjve për t’u kualifikuar në finalet e Europianit vazhdon. “Nuk fituam në fushë, por jashtë saj! Shembull qytetarie dhe respekti. Faleminderit të gjithëve! Faleminderit Policisë së Shtetit dhe çdo qytetari që ndihmoi të tregoheshim të denjë si qytetarë të Europës. Ëndrra vazhdon…”- shkruan ministri Tahiri në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”. Ish-kryeministri Sali Berisha ka gjetur dhe shkaktarin e humbjes në komentin e tij. “Lojë dinjitoze, civile, por shtesat me sa duket po kanë një lloj fataliteti për ne”- shkruan deputeti demokrat


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama