Qytetaret vetem nje alternative per fluturimet nderkombetare

Qytetaret, vetem nje alternative per fluturimet nderkombetare

Kur kanë kaluar 5 muaj nga nënshkrimi i marrëveshjes me  koncensionarin e Rinasit për heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare që gëzonte prej vitesh TIA, qeveria shqiptare nuk ka ende asgjë konkrete për vënien në funksion të aeroportit të Kukësit.

Edhe pse vetë Ministria e Transporteve ka deklaruar se janë të gjitha mundësitë që të fillojë operimin me fluturime kombëtare dhe ndërkombëtare nga ky aeroport, ende asnjë shenjë nuk duket në horizont për vënien në funksion të tij.

Qytetarët vazhdojnë të kenë të vetmen alternativë, Aeroportin e Rinasit, për fluturimet ndërkombëtare, e për rrjedhojë edhe çmimet më të kripura në rajon. Mungesa e një varianti tjetër për udhëtarët, bën që këto të fundit të jenë të detyruar që t’i nënshtrohen çmimeve të kompanive që ofrohen në Aeroportin e Rinasit, ose t’ia mbathin nga aeroportet fqinje.

Të udhëtosh të shtunën nga Tirana në Romë vetëm vajtje, bileta më e lirë që gjen është 437,3 euro për person, ndërsa po të udhëtosh nga Aeroporti i Prishtinës në të njëjtin destinacion kushton afro 165 euro, afro 272 euro më lirë.

Ministria e Transportit ka deklaruar se për vënien në funksion të Aeroportit të Kukësit duhen afro 2,5 mln euro investime. Dy janë variantet që Ministria ka shprehur për të realizuar këtë, ose të realizohet me financim nga buxheti i shtetit ose të jepet me partneritet publik-privat në rast të ofertave të mundshme. Por asnjëra nga këto duket se nuk po zbatohet.

Deri më tani, ai që del e fituar nga e gjithë kjo histori është Koncensionari i Rinasit, i cili vetëm me arritjen e marrëveshjes mori 2 vite shtesë operimi në Shqipëri deri në vitin 2027, nga viti 2025 që ishte kontrata fillestare.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama