Vazhdon eksodi masiv te Laci ikin edhe kater titullare

Vazhdon eksodi masiv te Laçi, ikin edhe katër titullarë

Tronditet Laçi, katër lojtarë shumë të rëndësishëm konfirmojnë largimin nga skuadra. Kapiteni Emiljano Veliaj, mbrojtësit Emiljano Çela dhe Arjan Sheta, si dhe sulmuesi Aldo Mitraj nuk janë më pjesë e kurbinasve. Lojtarët kanë qenë në planet e klubit për të rinovuar marrëveshjet, por nuk kanë pranuar ofertën, duke shkëputur kështu marrëdhëniet me bardhezinjtë. Të kontaktuar nga "Panorama Sport", titullarët e sezonit të kaluar kanë treguar arsyet e "divorcit".

laci

Emiljano Çela

"Po, është e vërtetë që nuk jam më pjesë e Laçit. U futëm në bisedime me drejtuesit për të rinovuar marrëveshjen, por nuk pranova. Klubi nuk më ka asnjë borxh, madje edhe oferta që më bënë ishte e kënaqshme. Kam vendosur të provoj një aventurë të re, pasi në Laç fitova gjithçka dhe largohem me përshtypjet më të mira. Dy Kupa dhe një Superkupë nuk janë pak, por kam dëshirë të lëviz dhe jam ndarë me mirëkuptim. Drejtuesit kanë qenë korrektë me mua dhe më duhet t'i falënderoj. I uroj suksese Laçit dhe u jam mirënjohës tifozëve për mbështetjen", ka thënë Çela, i cili, me golin e tij tri vite më parë në finalen ndaj Bylisit, i dha Kupën e parë në histori klubit të drejtuar nga Pashk Laska.

laci

Arjan Sheta

"Nuk kam rënë dakord me klubin për të vazhduar kontratën edhe një sezon. Kjo është e gjitha. Nuk kam vendosur ende për të ardhmen, por kam disa variante dhe po i shqyrtoj me kujdes. Tani nuk mund të them se ka diçka konkrete, por mendoj se është koha e mjaftueshme për të vendosur", deklaroi mbrojtësi "veteran", i cili në tre sezonet e fundit ka qenë pjesë shumë e rëndësishme e skuadrës kurbinase.

laci

Emiljano Veliaj

Në sezonin e fundit mbajti shiritin e kapitenit, ndërsa tashmë, pas disa viteve me shumë sukses në Laç, mesfushori beratas do të provojë një tjetër aventurë. "E kam përfunduar kontratën me Laçin. Nesër (sot) e ndaj përfundimisht se në cilën skuadër do të luaj. Kam pasur bisedime me disa klube, por kam dëgjuar edhe ofertën e Laçit. Të shohim çfarë do të ndodhë", është shprehur beratasi, për të cilin janë të interesuara disa skuadra elitare të Kategorisë Superiore.

Aldo Mitraj

Sulmuesi që shënoi golin e barazimit në finalen e Kupës së Shqipërisë kundër Kukësit gjithashtu ka konfirmuar largimin. "Nuk kam gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit për të vazhduar karrierën te Laçi. Kam kaluar një periudhë shumë të bukur te skuadra kurbinase, por nga ky moment do të mendoj për një aventurë të re. I uroj suksese Laçit", është shprehur shkurtimisht sulmuesi, i cili u afrua te kurbinasit pas një eksperiencë të shkurtër me Partizanin. Në të kaluarën është aktivizuar për skuadra si Dinamo, Skënderbeu, Luftëtari, Tomori etj.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama