Nje vizite ne La Skalen e futbollit San Siro

Një vizitë në La Skalën e futbollit, San Siro

Në mënyrë të kulturuar, shumica e njerëzve thonë se kanë vizituar Milanon për të parë katedralen e tyre 650-vjeçare, Teatrin e Operas "La Scala" dhe butikët e modës.san siro

Pyetini privatisht dhe një përqindje e madhe do të pranojnë se kanë dëshiruar të vizitojnë "San Siro"-n, stadiumin që ka kushtuar sa 550 makina luksi, vendin që i prezantoi italianëve Bob Marlejn dhe që gëzon një vend special në zemrat e gjermanëve që prej 1990-ës.

Zhoze Murinjo, arkitekti i të vetmes tripletë në historinë e futbollit italian si trajneri i Interit në vitin 2010 tha:

"Do të jetë gjithnjë stadiumi im i preferuar". Struktura frikësuese gjigante e këtij impianti është relativisht e re. Ajo u rikonstruktua për herë të fundit gjatë përgatitjeve të Botërorit të 1990-ës. 11 kullat jashtë stadiumit u shtuan në vitin 1987, 4 prej të cilave janë pikat e mbështetjes së tarracës. Tri nivelet e pjerrëta në secilin ekstrem të japin drithërimat e një koloseu gladiatorësh. Lojtarët e mundur pranojnë se ky stadium është një kazan makthesh çorientuese klaustrofobike.

Një strehë që mban mbi 80 mijë tifozë, stadiumi nisi të ndërtohet në 1925. Milani ka qenë në kërkim të një shtëpie që prej themelimit të klubit më 1899 dhe presidenti Piero Pireli dëshironte një shtëpi të përhershme në lagjen "San Siro" të qytetit. Sipërmarrja, e udhëhequr nga inxhinieri Alberto Kuxhini dhe arkitekti Ulise Stakini kushtoi 5 milionë lireta, e cila për kohën mjaftonte për të blerë 550 makina "Mercedes". Stadiumet kompakte dhe me atmosferë angleze ishin frymëzimi kryesor. Ai përfundoi në kohën rekord të 13.5 muajve.

Stadiumi me kapacitet 35 mijë vende u inaugurua më 19 shtator 1926 kur rivalët e Interit mundën kuqezinjtë 6-3 në një miqësore. Bashkia e bleu stadiumin më 1935-ën dhe 4 vite më vonë iu shtuan edhe 15 mijë vende. Anglia ishte e ftuara e nderit pas punimeve kur në 13 maj 1939 barazoi 2-2. Zikaltrit e Interit u bënë bashkëjetuesit e kuqezinjve në vitin 1947 dhe prej atëherë kanë ndarë të njëjtën shtëpi. Një dekadë më vonë, kur Kupa e Europës nisi të bëjë jehonë, iu shtuan edhe projektorët dhe përmasat e tij u zgjeruan në mënyrë dramatike. Disa thonë se u mbush edhe me 100 mijë njerëz për ndeshje të veçanta.

Në 1967-ën avancoi teknologjia dhe iu shtua tabela elektronike. Kur supersulmuesi Xhuzepe Meaca u nda nga jeta në moshën 68-vjeçare, në vitin 1979, stadiumi mori zyrtarisht emrin për nder të tij. Kampioni i dyfishtë i botës luajti për të dyja ekipet e Milanos, kështu që vendimi gjeti mbështetje të gjerë.

Përgatitjet për "Itali 1990" sollën ndërhyrjen e radhës dhe ai u konvertua në një stadium gjithëvendësh, duke i shtuar betonit edhe elementët estetikë të plastikës dhe xhamit. Milani llogariti se 60% të dëmtimeve të tyre gjatë sezonit 2011-2012 ndodhën në "San Siro", çka i bindi ata që të zëvendësonin fushën. Dhe Interi arriti marrëveshjen me kompaninë holandeze "Desso" për të shtruar një sipërfaqe të re hibride në qershorin e 2012-ës.

Fusha revolucionare ishte 100% bar natyral i forcuar me 20 milionë fije artificiale, platformë e cila kushtoi mbi 250 mijë euro. Prezantuesi i "SportMediaset"-it dhe gazetari Dario Donato është rritur vetëm 100 metra larg Curva Sud (tribunës së ultrasve të Milanit).

"Kam qenë gjithnjë në gjendje ta shikoj stadiumin nga ballkoni im. Brohoritjet e tifozëve i dëgjoj përpara se të vijnë nga televizori. Nuk e ndryshoj shtëpinë tim as në këmbim të një ballkoni nga Maldivet. Sigurisht që nuk është një prej stadiumeve më moderne të Europës, por i mjafton vetëm një ndërhyrje e vogël për ta modernizuar. Një stadium nuk është vetëm i bukur nga arkitektura, por edhe nga ajo ndjenjat dhe zhurmat që dëgjon brenda tij. Për këtë arsye 'San Siro' është i pakonkurrueshëm", tregon ai. Por mos kujtoni se është vetëm shkelmimi i topit ai që i ka kënaqur masat në këtë vend. Bob Marlej mbajti koncertin e parë në Itali në veriperëndim të Milanos më 27 qershor 1980. Brus Springstin, Bob Dilan, U2, Rolling Stones apo grupe të tjera rroku kanë performuar gjatë mbrëmjeve në Lombardi.

Destinacioni final

Por le t'i rikthehemi futbollit, aty janë luajtur tri finale të Kupës së Kampioneve apo Champions-it. Në 1965 vendësit e Interit, të udhëhequr nga mjeshtri Helenio Herrera mundën 1-0 Benfikën. Pesë vite më vonë, Fejnordi u bë skuadra e parë holandeze që triumfoi në kontinent pas fitores dramatike në kohën shtesë kundër Sëlltikut. Rasti i fundit është ai i 2001-shit kur Bajerni mposhti me penallti Valencian. Shevçenko meriton të përmendet për golin e tij spektakolar në gjysmëfinalen e Champions-it ku pritës ishte Interi, i cili kualifikoi kuqezinjtë në finale. "Dritat e 'San Siro'-s janë gjithnjë të ndezura. Për mua është stadiumi më i bukur në botë", tha ish-numri "7".

Tifozët gjermanë e kanë shijuar suksesin e tyre shumë më herët, kur në 1990 ekipi kampion i Bekenbauerit luajti 5 ndeshje në këtë stadium, duke fituar 4, përpara se të qepnin yllin e tretë në fanellë. Mateus me shokë shënuan 13 gola, duke dërrmuar Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ekipin e njohur të Jugosllavisë. Por mos i pyesni argjentinasit për atë verë. Maradona me shokë e çelën turneun me një ndeshje me Kamerunin dhe kampionët në fuqi u mundën 1-0 nga afrikanët. Një tjetër argjentinas, trajneri i Atletikos, Diego Simeone (luajti me Interin për dy sezone në këtë stadium 1997-1999) shpreson që të ketë një fat më mirë se ai i patriotëve të tij. Si zikaltër, ai mundi Realin në "San Siro" në ndeshjen e grupit të Champions-it më 1998-1999. Por Zidan po planifikon t'ua rrëmbejë trofeun të shtunën prodhueseve të dyshekëve.

Edhe francezi ka kujtime të bukura në këtë stadium. Truri i Juventusit shkatërroi 6-1 Milanin në Serinë A më 6 prill 1997: shënoi golin e dytë nga penalltia. Është përplasja perfekte e dy stileve të futbollit, e cila premton shkëndija. Kush do të mbajë shënimet e duhura të shtunën në atë që e quajnë La Skalën e futbollit?


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama