Memushaj Kalojme grupin nese luajme si ne kualifikuese

Memushaj: Kalojmë grupin nëse luajmë si në kualifikuese

Mesfushori i kombëtares shqiptare, Ledian Memushaj, është i bindur se kuqezinjtë mund të kalojnë grupin në Euro 2016 nëse do të përsëritin paraqitjet e tyre të kualifikueseve.

Ledian-Memushaj-ndaj-Maltes

"Si skuadër, besoj se të gjithë mendojmë të ecim sa më shumë në këtë turne. Kjo do të thotë të kalosh grupin. Nëse luajmë si në ndeshjet e fundit të kualifikueseve, kemi shumë shanse. Pastaj është fusha ajo që flet, nëse jemi të aftë për të kaluar turin apo jo", deklaroi mesfushori 29 vjeçar në konferencën për shtyp të zhvilluar sot në grumbullimin e kombëtares.

Ledian Memushaj

Mesfushori ka vlerësuar frymën e grupit kuqezi, ndërsa shpreson që në fund do të jetë mes 23 emrave që do të udhëtojnë drejt Francës për pjesëmarrjen në Evropian. "Ky është një grup fantastik, janë të gjithë çuna të mirë. Edhe forma ime fizike është shumë e mirë, pasi kam luajtur të gjitha ndeshjet e fundit me klubin. Duhet të përgatitemi sa më mirë, që të jemi në formë në Francë. Secili nga ne mendon që të jetë një nga 23 që do të luajnë në aktivitet. Por zgjedhjet i bën trajneri, ne duhet vetëm të tregojmë në stërvitje dhe miqësoret formën që kemi. Këtë do të bëj edhe unë, do të tregoj formën që kam, pastaj nuk është më në dorën time", tha Memushaj.

Futbollisti po përjeton një situatë të veçantë, pasi klubi i tij, Peskara, po përgatitet të marrë pjesë në fazën play-off për ngjitjen në Serinë A dhe atij do t'i duhet të largohet nga grumbullimi me kuqezinjtë. Memushaj, i cili është kapiten te Peskara, ka shpjeguar se për momentin ka siguri vetëm për zhvillimin e ndeshjes së parë gjysmëfinale me klubin e tij.

Memushaj-pescara-653x420

"Normalisht që jam i interesuar për atë që bën klubi. Kam bërë një vit sakrificë me skuadrën për këtë moment. Do të shkoj të luaj të dielën ndeshjen e parë gjysmëfinale, pastaj të shohim. Të dielën do luaj, pasi brenda datës 30 maj mund të jem me ekipin tim, siç parashikon rregullorja e UEFA-s. Edhe Peskara bëri një lëshim, më la të vija këtu këto ditë, por që të kthehem përsëri të premten në Itali të luaj me të", shpjegoi ai.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama