Derbi ne ekzil i kryeqytetit Partizani ndez atmosferen

Derbi 'ne ekzil' i kryeqytetit, Partizani 'ndez' atmosferen

Të dielën e 25 shtatorit, në orën 19:00 do të luhet derbi i 146 i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës, i pari në histori që do të zhvillohet jashtë kryeqytetit, ketë herë në stadiumin “Elbasan Arena” të qytetit të Elbasanit.

Fakti i prishjes së stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” i ka detyruar “të kuqtë” që të preferojnë stadiumin e Elbasanit me statusin e shtëpisë së tyre provizore. Si çdo pragderbi, situata ka filluar të nxehet dalëngadalë dhe të parat shkëndija vijnë nga Partizani.

Në konferencën e parë për shtyp mbi përballjen me “bardheblutë”, Partizani ka vendosur të përfaqësohet me mbrojtësin Gëzim Krasniqi, i cili është shprehur i sigurtë në suksesin e radhës ndaj Tiranës, duke i nënvlerësuar dukshëm rivalët e tyre.

“Ne gjithmonë e përgatisim derbin me qetësi. Është thjesht ndeshje radhe, të cilën e luajmë për tifozët dhe do ta fitojmë për ta. Ua kemi marrë dorën kundërshtarëve, gjithmonë i kemi mundur ata. Rezultatet e dy viteve të fundit kanë folur qartë”, tha futbollisti i Partizanit, Gëzim Krasniqi.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Krasniqi ka vazhduar më tej me thumbimet ndaj “bardhebluve”, e në të njëjtën kohë duke konfirmuar rikthimin e qetësisë në kampin e kuq, pas fitores me Teutën në javën e tretë të Superiores.

“Tirana kur barazon me ne bën festë, ndërsa ne kur barazojmë nuk dalim për një javë nga shtëpitë”, tha Gëzim Krasniqi.

Statistikat në përgjithësi flasin në favor të “të kuqve”. Në 10 ndeshjet e fundit, ata kanë fituar 4, kanë barazuar 5 dhe kanë humbur vetëm një. Megjithatë Tirana e Ilir Dajës, pavarësisht mungesës së fitores në këtë fillimsezoni, ka treguar një tjetër nivel paraqitjeje, por sesa do të jenë të gjendje të kthejnë në favor të tyre edhe statistikat, duhet të presim ditën e dielë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama