Arrestohen gjashte zyrtare te FIFA-s ne Zyrih

Arrestohen gjashte zyrtare te FIFA-s ne Zyrih

Gjashtë zyrtarë të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) u arrestuan në Zyrih të Zvicrës, për t'u përballur me akuzat për korrupsion në SHBA.

 

Zyrtarët akuzohen për pastrim të parave, korrupsion dhe mashtrim gjatë 20 viteve të fundit, sipas zyrtarëve zviceranë të drejtësisë.

 

Të arrestuarit e FIFA-s të cilët kërkohen nga autoritetet amerikane, do të ekstradohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Operacioni i policisë u zhvillua në një hotel në Zyrih, ku ishin mbledhur anëtarët e FIFA-s për takimin vjetor që do të zhvillohet të premten.

 

BBC raporton se, gjashtë zyrtarët u arrestuan mëngjesin e kësaj të mërkure. Në fund të muajit maj mbahen edhe zgjedhjet në FIFA, ku Presidenti aktual Sepp Blatter kërkon mandatin e pestë. Ndërkohë mësohet se ky i fundit nuk është pjesë e të arrestuarve.

 

“The New York Times” thotë se policët morën çelësat e dhomës nga recepsioni i hotelit “Baur au Lac”, ku zyrtarët ishin duke qëndruar, dhe u drejtuan në dhomat e tyre. Operacioni policor u krye në mënyrë paqësore.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama