Peter Prifti i panjohur ne shqip

Peter Prifti, i panjohur ne shqip

Arkivi personal i Peter Priftit dërgohet në shoqatën “Bijtë e shqipes”/ Qindra korrespodenca me personalitete të njohur shqiptarë në SHBA, kujtimet për Fan Nolin, replikat me Arshi Pipën dhe shkrimet mbi survejimet nga FBI, studime mbi çështjen shqiptare, ndodhen në 200 dosjet që ai i ndërtoi vetë me kujdes para se të ndahej nga jeta/ I vëllai, Naum Prifti, thotë se i takon Akademisë së Shkencave t’i bëjë të njohura në shqip veprat e tij

 

Teksa ujërat e Erzenit rridhnin ngadalë bri kodrave të buta në periferi të Tiranës, Naum Prifti vazhdonte të mbante në duar një vazo që e kishte sjellë nga shumë larg. Kostumi i tij dukej se reflektonte atë çfarë sytë e fshihnin, nga vështrimi i miqve që ishin të gjithë aty në atë çast jo të lehtë për familjen Prifti. Me duart që do donin ta mbanin gjithnjë ashtu shtrënguar, për të mos e lënë të fluturonte tej, ai përpiqej ta zgjaste sa më shumë çastin e ndarjes. Si të gjithë lamtumirat, dhe kjo mbarte brenda përzierje të kujtimeve me ditët që nuk do të ishte më me të. E teksa erërat filluan të shpejtonin duke u bërë gati të merrnin në fluturimin e gjatë hirin e Peter Priftit që ndodhej në atë vazo, ai zgjati duart tej, duke e lënë të lirë, ti bashkëngjitej rrjedhës së Erzenit, apo pemëve që shtriheshin tej.

 

Kam qenë aty në atë moment, ku historia përzihej me një kujtim të hershëm të takimit që kisha pasur me të gati 14 vjet më parë. Ishte hera e parë që Peter Prifti vinte në Shqipëri, që pas ikjes së tij në vitin 1940 në SHBA kur ishte 15 vjeç. Një burrë elegant, veshur gjithë sqimë, biseda me të kishte aftësinë të të shpërngulte nga ai bar i thjeshtë i Tiranës, diku në Perëndim. Peter Prifti nuk ishte vetëm studiuesi dhe intelektuali i angazhuar me çështjen shqiptare në një periudhë të rëndësishme të faktorit shqiptar në Amerikë, por një pjesë e historisë sonë, shumë pak e njohur ende në këto kohë. Ato javë të kaluara në Shqipëri për të, ishin një ëndërrim i hershëm dhe gati-gati i pamundur i viteve më parë, që kur ende i ri pas 1958-s në Boston, në biseda me Fan Nolin flisnin për rikthimin.

 

Ky ishte udhëtimi i parë dhe i fundit i Peter Priftit në atdhe, për t’u kthyer përgjithmonë më 2010-n si eter. Ishte amaneti i tij, që hiri të kthehej në Shqipëri, amanet që i vëllai Naum Prifti dhe një nga njerëzit me të cilët ai ishte lidhur më shumë, dhe për shkak të lidhjes që kishin me letrat e realizoi vetëm pak javë pas vdekjes. Jeta e Peter Priftit, ish- sekretar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, redaktor i gazetës “Dielli” dhe autor i një sërë studimesh për shqipen dhe çështjen shqiptare, është historia e një lëvizjeje të çështjes shqiptare, pikërisht në kohët kur në Shqipëri ishte instaluar komunizmi, i një lëvizje që synonte të mbante të bashkuar lobin shqiptar në Perëndim. Si nxënës i Nolit, Prifti dinte të ecte në gjuhën e atdheut. I dhënë pas filozofisë ai diti ta përdorte atë për të zbuluar kodet e së vërtetës. Mbi 200 dosje të ruajtura me kujdes në pesë sirtarë, në një apartament të mbushur me libra do ta njihnin Naum Priftin pas vdekjes së të vëllait me një dimension tjetër të tij. Me intuitën e kuruar prej një beqari që di të kujdeset për veten, ai kishte sistemuar gjithë arkivën e tij para se të shkonte. Albume, foto, filma artistikë, CD me muzikë klasike nuk mungonin bri dosjeve që mbanin brenda tyre historinë e Shqipërisë tjetër. Ndërsa në Shqipëri, diktatura ishte në fund të agonisë, Peter Prifti, Arshi Pipa dhe Sami Repishti më 1989 shkëmbenin replika për çështjen e Kosovës. Peter Prifti do ta ndiqte me vëmendje çështjen e Kosovës që në vitin 1968, kur do të shpalosej për herë të parë ideja e pavarësisë.

 

Qindra artikuj shtjellojnë kontekstin historik të shqiptarëve atje, dhe parashikojnë atë çfarë sot është realitet, autonominë. Pas vdekjes, Naum Prifti priti që institucionet shqiptare të interesoheshin për këtë arkiv të pasur, që mbarte brenda jo vetëm jetën e Peter Priftit, por dhe të vërtetat e një historie marrëdhëniesh të personazheve të rëndësishëm të historisë sonë

 

Kur askush nuk u kujtua ta kërkonte këtë arkivë, ai zgjodhi ta dërgonte në Shoqatën “Bijtë e shqipes” në Filadelfia të Pensilvanisë në SHBA. Në një dollap të thjeshtë, në një nga zyrat e kësaj shoqate ndodhet tashmë arkivi i tij. “Peter Prifti punoi me përkushtim gjithë jetën për atdheun e tij, dhe për Kosovën. Unë u kujdesa posaçërisht për arkivin e tij duke e transferuar me koliposta nga San Diego në Nju Jork te shtëpia ime. Pastaj vendosa të njoftoja shoqatën “Bijtë e shqipes” të vinte t’i merrte e t’i ruante në ndërtesën e saj. Erdhi një delegacion prej pesë vetash për t’i marrë. Në Filadelfia, Peter Prifti u rrit dhe u edukua së pari në kolegj dhe pastaj në Universitetin e saj, thotë Naum Prifti. Por çfarë përmban arkivi i tij? “Në radhë të parë, aty gjendet korrespodenca e tij, pra letrat që ka marrë dhe ato që ai u ka dërguar personaliteteve politike, shkencore dhe letrare në Amerikë dhe në vende të tjera. Ka shkrime me interes të veçantë për Shqipërinë dhe për Kosovën.

 

Do të veçoja një debat shumë interesant me prof. Arshi Pipën për Kosovën dhe një artikull për marrëdhëniet e tij me Qerim Panaritin, veç intervistës me Fan Nolin, me Nini Demon, autor i broshurës ‘Shqiptarët e parë në Amerikë’, me Nikolla Trebickën, redaktorin më jetëgjatë të gazetës ‘Liria’, me historianin Nikolla Pano, etj. Aty ka edhe një sërë shkrimesh letrare anglisht. Kujtime nga jeta te shkrimi ‘Midis FBI dhe Sigurimit shqiptar’, etj. FBI dihet se është Byroja Federale e hetimeve e cila gjurmonte veprimtarinë antiamerikane të vetë amerikaneve dhe të huajve”, thotë Prifti. Mendimet e tij politike Peter Prifti i ka shfaqur dhe në librat e botuar në anglisht dhe shqip si “Remote Albania”, “Unfinished portrait of a country”, “Land of Albanians-A crossroads of Pain and Pride”, “Confrontation in Kosova”, “Mozaik shqiptar”, i botuar në Prishtine nga Buzuku, deri tani i vetmi libër shqip prej tij.

 

Prof. Eleni Karamitri ka botuar një monografi për të me titullin “Peter Prifti në botën e dijetarëve shqiptaro-amerikanë”. Por veprimtaria e tij politike dhe shkencore do të njihet më mirë vetëm atëherë kur të përkthehen në shqip veprat e tij. Sipas Naum Priftit kjo detyrë i përket Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe institucioneve përkatëse. “E kemi për detyrë t’i njohim patriotët dhe shkencëtarët tanë të çdo fushe për të ngritur më lart dinjitetin tonë kombëtar”, thotë ai. Kontributi i Peter Priftit është dhe në gjuhësi, studime të cilat i ka realizuar gjatë angazhimit në Universitetin e Kalifornisë në San Diego. Në bashkëpunim me albanologun Leonard Newmark, u botua “Standard Albanian” (Gjuha shqipe e normuar) të cilën A. Kostallari e çmonte veçanërisht për tiparet konstruktive.

 

Më pas vijnë botimet “Spoken Albanian” (Shqipja e folur) dhe “Reading in Albanian” (Lexime në shqip), dy vepra të mirëpritura nga shqiptarët e Amerikës që donin të zgjeronin njohuritë për gjuhën shqipe. Por befasi për Naum Priftin gjatë kohës që lexonte arkivin ka qenë zbulimi i pasionit të të vëllait për letërsinë. “Habia ime ishte se tok me shkrimet publicistike, gjeta edhe shkrime letrare anglisht, për të cilat s’kisha dijeni. Më të rrallë ai më dërgonte disa pjesë letrare anglisht, po gjithmonë i konsideroja si kuriozitet. Nuk e dija pasionin e tij të fshehtë për letërsinë dhe tani jam kureshtar të di vlerën e tyre”, tregon ai. Një botë tjetër, tepër të çmuar në ndërtimin e historisë sonë, ndodhet në “dollapin” që ruhet me kujdes tashmë në shoqatën “Bijtë e shqipes”. Një botë që Peter Prifti e ndërtoi me pasionin e një njeriu për atdheun, duke na lënë pas një pjesë të çmuar të trashëgimisë shqiptaro-amerikane. Le të shpresojmë që ai dollap do të hapet shumë shpejt, për të shpalosur libër pas libri historinë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama