Nje ekspozite erotike?! Molla midis Gazmend Lekes dhe piktures se tij

Nje ekspozite erotike?! Molla, midis Gazmend Lekes dhe piktures se tij

Studioja e punës, si një ngrehinë e shenjtë e instaluar në një kryqëzim të Tiranës, ku pikturë pas pikture, nën atmosferën e një çorganizimi të organizuar të kërkimit artistik, i përngjan një magazine të mbushur plot e përplot me mollë të shenjta.

Në këtë atmosferë e gjendje mistike, aspak alegorike, duket se piktori Gazmend Leka do t’i kërkojë publikut një refleksion të thjeshtë, korrekt, sa ç’mund të jetë dhe koncepti i frutit, i organizuar në një cikël: “Molla”.

Retrospektiva e Lekës sigurisht që është një laborator i madh përvoje, duke zbuluar e çliruar mjaft energji të paperceptueshme në një ekspozitë që do të hapet nga 3-30 dhjetor në galerinë FAB të Universitetit të Arteve.

Në një trajtesë “Molla, midis meje dhe pikturës”, Leka shprehet se ndërsa pikturonte ciklin “Molla”, i vinin në mendje, të përziera e pa ndonjë rregull historitë, mitet dhe legjendat e pafundme rreth saj.

“E perceptoja atë si një objekt-simbol që e ka shoqëruar njeriun gjithë jetën, deri në ditët e sotme. Kurrë nuk kam ndeshur një frut, që të jetë përgojuar më shumë sesa molla. Përgojuar, në të mirë e në të keq. Më shumë në të keq, aq sa edhe në mentalitetin e njeriut zuri vend padrejtësisht si “Fruti i Mëkatit” apo “Fruti i Evës dhe i Adamit”, frut që bëri që njeriu të bjerë në mëkat e të dëbohet nga Parajsa. Ndërsa pikturoja, e dija shumë mirë që në tekstin antik nuk gjendet qoftë edhe një rresht, ku të përmendet molla si shtysa e mëkatit fillestar.”

Kështu piktori siguron se nuk flitet aspak për Mollën, por thjesht për frutin, në një përkthim korrekt, si flitet për një libër historie, përtej simboleve dhe alegorive, në të cilën bëhet fjalë thjesht për disa individë që zbritën në tokë, qenie në mish e kocka “të cilët derdhën nëpërmjet lëndës së dalë prej tyre, “Tzelem elohim” në trupin e njeriut”. Bëhet një parashtrim historik tepër i thjeshtë referuar “mollës” si çështje historie e legjende, marrë me besnikëri nga google.

Ndërsa kuratori Ardian Isufi, ndër të tjera thotë se cikli i ri i pikturave “Molla” është pjesë e këtij skenari, e kësaj hapësire.

Në këtë cikël, Gazmend Leka interpreton mirëkuptimet dhe keqkuptimet mbi “Frutin” e bekuar apo të mallkuar, këputur nga Pema e Njohjes, nga Pema e së Mirës dhe së Keqes.

Ai e bën këtë jo vetëm për të hedhur sytë në të thellat e në të errëtat e historisë së mbarë njerëzimit, ku vezullojnë arketipat si konstelacione yjesh, por për të na nxitur edhe ne që të reflektojmë mbi ambiguitetin e simboleve në rrethana apo kohë të caktuara.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama