Tatimet dhe Lojerat e Fatit te perfshira ne korrupsion

Tatimet dhe Lojerat e Fatit, te perfshira ne korrupsion

Tetë inspektorë të Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe Hetimit Tatimor u arrestuan për akuzat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Inspektorët nuk kryenin kontroll në pikat e një kompanie bastesh sportive në disa qytete të vendit kundrejt ryshfetit. Menaxheri i kompanisë kishte ngritur një skemë që shmangte kontrollet dhe lejonte veprimtarinë e basteve sportive në salla të palicencuara

Të paktën 10 inspektorë të Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit të dhe Hetimit Tatimor janë arrestuar dhe shpallur në kërkim pas një hetimi disamujor të prokurorisë. Një denoncim nga brenda stafit për veprimtari të paligjshme të kolegëve, nxiti prokurorinë të hetojë 10 inspektorët, një zyrtar të Bashkisë Tiranë dhe menaxherin e një kompanie bastesh sportive duke zbuluar një aferë korruptive, e cila mundësonte lejimin e pikave të basteve edhe pse të palicencuara.

Në përfundim të hetimeve, prokuroria i kërkoi gjykatës arrestimin e të paktën 12 zyrtarëve të dyshuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Nëntë prej tyre u arrestuan, ndërsa tre u shpallën në kërkim për të njëjtat akuza: Favorizim i një kompanie bastesh sportive me shtrirje në të gjitha qytetet kryesore të vendit. Arrestimet e djeshme erdhën pasi më parë prokuroria urdhëroi arrestimin e Kreshnik Kasaj, menaxher i një kompanie bastesh, dhe inspektorin e Hetimit Tatimor, Metjon Bijo. Sipas hetimit të prokurorisë, që prej 6 muajsh, menaxheri Kasaj duket se i kishte zgjidhur problemet e kompanisë me Tatimet dhe Lojërat e Fatit duke mbajtur në punë edhe salla bastesh të papajisura me dokumentacionin e nevojshëm. Për të mos ushtruar kontrolle nga Tatimet, Kasaj kërkonte ndihmën e inspektorit Metjon Bijo.

“Këta dy shtetas u arrestuan në datë 15 prill 2014, pasi menaxheri Kasaj po i jepte shumën prej 100 mijë lekësh të rinj inspektorit të tatimeve. Nga hetimet ka rezultuar se inspektori i tatimeve Bijo, nëpërmjet influencës së tij, ndërhynte tek disa inspektorë të tjerë, të cilëve u kërkohej të mos ushtronin kontroll tek pikat e kompanisë ku ishte menaxher Kasaj në disa qytete të Shqipërisë”, tha Prokuroria pas arrestimit të zyrtarëve. Nga hetimi rezultoi se inspektori i Hetimit Tatimor komunikonte me kolegët e tij Mensur Hoxha dhe Trendafil Tarja, të cilët nuk kryenin kontroll në pikat që kompania e basteve zotëron në pjesën më të madhe të vendit.

“Nga hetimet ka rezultuar se inspektori i Tatimeve, Bijo, nëpërmjet influencës së tij ndërhynte te disa inspektorë të tjerë, të cilëve u kërkohej të mos ushtronin kontroll tek pikat e kompanisë ku ishte menaxher Kasaj në disa qytete të Shqipërisë”, tha prokuroria. Të njëjtën skemë sipas prokurorisë, menaxheri Kasaj ka përdorur edhe për shmangien e kontrolleve nga Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, e cila ka si detyrë të vetme kontrollin e veprimtarisë së këtyre kompanive. Për të shmangur këto kontrolle ai komunikonte me Petrit Ahmetaj inspektor i Agjencisë së Mbrojtjes së konsumatorit te Bashkia Tiranë, i cili kishte njohje me inspektorët e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

“Në vijim të hetimeve të nisura para pak muajsh, prokuroria e Tiranës ka arritur të krijojë dyshime të arsyeshme se shtetasi Kasaj, menaxher i kompanisë së basteve me përhapje të gjerë në shumë qytete të Shqipërisë, kishte krijuar lidhje të dyshuara si korruptive edhe me shtetasin Petrit Ahmetaj, i cili kishte njohje në radhën e inspektorëve të Njësisë së Lojërave të Fatit. Nëpërmjet shtetasit Ahmetajt, menaxheri Kasaj shmangte kontrollet e disa prej inspektorëve të lojërave të fatit në pikat e kompanisë ku ai ishte menaxher”, tha prokuroria. Janë të paktën 4 inspektorë të Njësisë së Lojërave të Fatit, të cilët dyshohen për shpërdorim detyre duke mos kryer kontrolle në pikat e basteve sportive, të cilët janë identifikuar si Jani Berukas, Tefik Mallkuçi, Valentin Lokaj, dhe I. R., për të cilën është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

“Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se menaxheri Kasaj, nëpërmjet lidhjeve të dyshuara korruptive me disa inspektorë të administratës tatimore dhe disa inspektorë të Njësisë së Lojërave të Fatit iu shmangej detyrimeve ligjore, pasi një pjesë e pikave të kompanisë rezultojnë të palicencuara ose me punonjës të paregjistruar”, thotë prokuroria.

Të arrestuar

Jani Berukas, inspektor i Lojërave të Fatit

Tefik Mallkuci, Inspektor i Lojërave të Fatit

Valentin Lokaj, Inspektor i Lojërave të Fatit

R. Inspektore e Lojërave të Fatit, “arrest shtëpie”
Metjon Bijo, inspektor i Hetimit Tatimor

Mensur Hoxha, inspektor i Hetimit Tatimor

Trendafil Tarja, inspektor i Hetimi Tatimor

Petrit Ahmetaj, inspektor Bashkia Tiranë

Kreshnik Kasaj, menaxher i një kompanie bastesh

3 inspektorë të Tatimeve e Lojërave të Fatit në kërkim


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama