Ndërsa aktori më i mirë, është shpallur Ndriçim Xhepa në interpretimin e tij te drama "Për një fjalë goje" nën regjinë e Arben Kumbaros. Për regjinë më të mirë këtë vit është vlerësuar një regjisor i ri, Mikel Kalemi, për shfaqjen e ngjitur në teatrin Kombëtar "Medea". Ndërsa interpretuesi më i mirë lirik është vlerësuar tenori i ri, Armaldo Kllogjri, për interpretimin tek opera "Toska". Kllogjri është një zë interesant, i cili edhe pse ka vetëm pak kohë që ka mbaruar Akademinë e Arteve, është prezent në vënies skenike më të rëndësishme të Teatrit të Operës dhe Baletit. Ai e ka quajtur një nder vlerësimin me këtë çmim dhe një inkurajim për karrierën e tij ardhshme. Për albumin muzikor të vitit është vlerësuar kantautori Pirro Çako, me albumin "Mos më krahaso". Rikthimi i Çakos në tregun muzikor me këtë alternativë, duket se është pritur mirë jo vetëm nga juria e këtij konkursi, por edhe nga publiku. Ndërsa çmimin e vitit në letërsi e ka marrë Ylljet Aliçka me librin "Një rrëfenjë me ndërkombëtarë". Mund të thuhet se ky çmim ka qenë një ndër më të vështirët për t‘u vlerësuar, duke qenë se në të konkurronin këtë vit emra të njohur si shkrimtari Luan Starova, me librin e njohur "Librat e Babait", Mimoza Ahmeti me romanin "Gruaja haluçiante" dhe Luljeta Lleshanaku me vëllimin poetik "fëmijët e natyrës".
Po duket se libri që solli aq shumë debate për mënyrën se si Aliçka kishte përshkruar ndërkombëtarët që punojnë në vendin tonë, duke sjellë një pamje tjetër të tyre, nën një prerje artistike, ka dominuar mbi tre librat e tjerë, të cilët kanë qenë gjithashtu të vlerësuar nga kritika gjatë këtij viti. Çmimin "Kult" për librin enciklopedik të vitit e ka marrë studiuesi i njohur, Kristo Frashëri, me librin "Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri". Ky libër i dalë vetëm pak kohë më parë në librari është një studim i hollësishëm i asaj çfarë quhet historia e së majtës shqiptare. Njohës i mirë i historisë, Frashëri ka sjellë një version historik të bazuar në fakte dhe hulumtime. Ndërsa artisti pamor i vitit, është vlerësuar një personazh i njohur në jetën artistike në vend siç është artistja Lumturi Blloshmi. Kjo artiste ka qenë ndoshta më aktivja në skenën e artit pamor këtë vit duke hapur disa ekspozita dhe duke na sjellë forma të ndryshme të artit në të gjitha këto prezantime. Instrumentisti i vitit është shpallur violinisti Lorenc Radovani me pjesë nga Bethoven. Ndërsa aktiviteti kulturor i vitit është shpallur festivali ndërkombëtar i teatrove "Butrint 2000".
Në këtë edicion të tretë të çmimeve Kult, ishin në garë 36 artistë, të cilët konkurronin për nëntë fushat ku kishte vlerësime. Ajo çfarë vihet re në edicionin e tretë të këtij edicioni është triumfi i emrave të rinj, si tenori Armaldo Kllogjri, apo regjisori Mikel Kalemi, dhe një vlerësim për artistët që vërtet kanë kontribuar në skenën artistike të një viti, si dy aktorët Xhepa dhe Xhuvani, apo artistja Lumturi Blloshmi.
Marre nga : Gazeta Shqip











