Dy bote takohen ne Bolero

Dy botë takohen në Bolero

I përjetshëm. I përkohshëm mbi tokë, në një trup të vdekshëm e me një shpirt fluturak. Kjo është Bolero, një marrëdhënie trup- shpirt, tokësore dhe qiellore. Përgjatë tri netëve, në Arenën e Tiranës do të shfaqet "Bolero", një vepër me dy pjesë, ku njëra është tërësisht balet, ndërsa tjetra muzikal. Pjesa e parë është një vepër koreografike, krijuar mbi muzikën e Ravelit. Kompozitori u frymëzua nga ritmet spanjolle, por iu dha një tjetër dimension. Quhet sistemi i një vije pa fund, pasi i njëjti motiv përsëritet plot 19 herë, por rimerret nga instrumente të ndryshëm. Koreografi dhe libretisti i veprës, Arian Sukniqi, thotë se pjesa, edhe pse është kompozuar për një orkestër shumë të madhe, ku marrin pjesë të gjitha instrumentet, do të interpretohet nga banda frymore "Tirana". Janë plot 60 instrumentistë nën drejtimin e "Mjeshtrit të Madh të Punës",- Fatmir Foçi, që do interpretojnë Boleron e famshme raveliane. Është hera e parë që tingujt e Ravelit interpretohen nga një bandë frymore. Por e veçanta nuk qëndron thjesht këtu, por edhe tek mënyra sesi koreografi e ka konceptuar veprën.

"Vjen me një frymë biblike. Gjithçka vërtitet rreth shpirtit të lirë. Idesë që shpirti është i pavdekshëm. Është diçka fluide që kalon para nesh, edhe pse trupi ynë është i vdekshëm", - thotë Sukniqi, duke shpjeguar se "Boleroja" e tij është një marrëdhënie botësh, që vazhdon pafundësisht, pavarësisht kornizave tokësore, siç janë edhe urdhëresat, apo ligjet. Kjo është edhe arsyeja pse skenografi Arlind Halili e ka konceptuar skenën si një kafaz telash, që zgjaten e zgjaten pambarimisht. "Është diçka tërësisht abstrakte. Një ide që më ka lindur dhe që po eeksperimentoj", -thotë Sukniqi në ankth teksa materializon idetë e tij. Gjithsesi tokësorja gjendet edhe aty. Ka intrigë, dashuri, ligje… Këtë e dëshmon edhe në posterat e shfaqjes, në dukje provokues. Dy trupa të bukur, të zhveshur, që sipas tij janë thjesht anatomikë. Për të plotësuar idenë e vet abstrakte, ashtu siç është edhe vetë koncepti i shpirtit, Sukniqi përfshin në vepër shumë elementë spektakolarë. Veç dritave të skenografisë, që ndriçojnë sfondin, kuti shahu, në koreografi gërshetohen edhe elementë të cirkut, por që do të interpretohen ngavetë balerinët. Në fund të pjesës së baletitnë skenë lëshohen 10 litarë, mbi të cilët performojnë 15 balerinë. "Bolero" vjen përmes interpretimit të 22 balerinëve të trupës së baletit "Tirana Dance". Vepra e Ravelit shënoi menjëherë një sukses të madh, që në premierë, në Operën e Parisit në 22 nëntor 1928, me koreografi të Bronislava Nijinska dhe skenografi të Benois. Thuhet se pas premierës, një grua tha se Raveli ishte i çmendur. Kur e mësoi këtë kompozitori tha: "Aha, ajo e paska kuptuar pjesën".

Pas finales së baletit, fillon një tjetër spektakël. Këtë herë më i prekshëm për publikun. Janë "Hitet '70, '80, 90" të muzikës së lehtë botërore, që ndërthuren me njëra – tjetrën, duke dhënë një subjekt të vetëm. Janë këngë të Mireille Mathieu, Celine Dion, Joe Cocker, e të tjerë këngëtarë të mëdhenj të shek. XX, që vijnë tek publiku përmes interpretimit të këngëtarëve Juliana Pasha dhe Gentian Demaliaj. Interpretimi i këtyre dy zërave të fuqishëm vishet me koreografinë e Sukniqit dhe interpretimin e balerinëve të "Tirana Dance". Ndërsa vetë këngëtarët duhet të bëjnë edhe rolin e aktorëve. Nga një Mireille Mathieu në studiot e regjistrimit, tek një Joe Cocker që këndon në një tavernë mes avujve të alkoolit e tymit të cigares, tek një atmosferë feste e krijuar e "Fanfara Tirana", që interpreton në mënyrën e saj, Zorbën e famshme greke. Sipas Sukniqitkëngët janë zgjedhur në mënyrëtë tillë, që krijojnë një intrigë dashurie. Krahas interpretimeve solo, do tëketë edhe tre duete të këngëtarëve. Është menduar që i gjithë spektakli në dy pjesë, të zgjasë një orë e dhjetë minuta. Spektakli do shfaqet në arenën e Tiranës në datat 20, 21 dhe 22 qershor. Sipas Sukniqit, vepra do të shfaqet më tej nëse do të pritet mirë nga publiku.

 

Alma Mile - Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama