Piktori shqiptar qe flet gjuhen boterore te shpirtit

Piktori shqiptar qe flet gjuhen boterore te shpirtit

“Udhëtim në fëmijëri” është kthim në të shkuarën, kthim te kujtimet e tij të fëmijërisë në qytetin e Vlorës, ku gjendet jo vetëm bregdeti i mrekullueshëm, transparenca dhe loja e valëve me gurët, por dhe kujtimet për lagjet e mbushura plot me hare e gjallëri fëmijësh në ato vite, dita e të cilëve kalonte më shumë nëpër cepat e rrugicave, se sa brenda mureve...

Kështu i përshkruan 25 veprat e ekspozuara nën titullin “ Udhëtim në fëmijëri” këto ditë në “Art Gallery” në Lugano të Zvicrës, artisti shqiptar Agim Sulaj, i cili prej vitesh jeton në Itali. Ai i gërsheton dhe i mbërthen këto kujtime me valixhet e emigrantëve, që fundosen në anije, së bashku me dëshirën për një jetë më të mirë. Sulaj në karikaturat e tij fokusohet  tek temat sociale dhe politike të shek. XXI si: varfëria e botës, mbipopullimi, jeta e emigrantëve etj.

Punët e tij janë vlerësuar me më shumë se 65 çmime ndërkombëtare. Me karikaturën ai ka filluar të merret rreth viteve ‘80, kur botonte në revistën “Hosteni”, fillimisht si ilustrues shkrimesh e më pas me kopertina, dhe lëvrim të gjinisë së mirëfilltë.

Zoti Sulaj, ekspozitën “Udhëtime në fëmijëri”, po e prezantoni në “Art GALLERY” në Lugano të Zvicrës... Si lindi ky bashkëpunim?

Janë 25 punime që unë i kam ekspozuar në Lugano të Zvicrës, tek “Art GALLERY”. Bashkëpunimin me këtë galeri e kam nisur kur jetoja në Londër, në galerinë me të njëjtin emër atje, prandaj ky bashkëpunim vazhdoi edhe në Lugano, aty ku është qendra e tyre. Ekspozita titullohet “Udhëtim në fëmijëri” dhe është rikthim në të shkuarën, te kujtimet e mia të fëmijërisë, ku përshkruhet jo vetëm bregdeti i mrekullueshëm i këtij qyteti, me transparencën dhe lojën e valëve me gurët, por dhe kujtimet për lagjet e mbushura në ato vite plot me hare e gjallëri fëmijësh, dita e të cilëve kalonte më shumë nëpër cepat e rrugicave, se sa brenda mureve, të gërshetuara dhe mbërthyera këto me valixhet e emigrantëve nëpër anije, që fundosen së bashku me dëshirën për një jetë më të mirë.

“Flluska sapuni”, është një prej tablove të kësaj ekspozite, në të cilën prezantohet qartazi, loja e lirë e një fëmije...

Tabloja e fëmijës me flluska, si të gjitha tablotë e mia ku personazhet janë fëmijët, i kushtohet lojës së shpenguar e të lirë të tyre. Në tablotë e mia duket edhe një dritë, që ledhaton dhe përkëdhel fëmijët.

World Press Cartoon ka botuar një katalog me veprat tuaja më të mira. “Qindarka te buka”, është vepra juaj e fundit në konkurrim, me të cilën morët çmim të parë në këtë konkurs ndërkombëtar... Si ndiheni?

Katalogu, i cili më erdhi para pak ditësh nga World Press Cartoon, përmban veprat e mia më të mira dhe veprat fituese në shtypin botëror. Në këtë konkurrim punimi im "Qindarkat te buka” u vlerësua me çmimin e parë. Këtë punim ja dedikoj krizës dhe vështirësive të jetës gjatë këtyre viteve të fundit. Janë disa çmime, të cilat i kam fituar gjatë konkurrimit të viteve të fundit në këtë konkurs. Mund të përmend karikaturën kushtuar Berluskonit, fituese e çmimit të “Nderit”, apo veprat e titulluara "Shengen", “Diktatori Assad” etj. Ky konkurs vlerësohet si më i rëndësishmi në botë, për kualitetin e organizimit, korrektësinë dhe vlerën e çmimeve.

Çmimet e World Press Cartoon ndahen në 15 maj në Portugali. Kësaj here ju do të jeni i pranishëm, por si anëtar jurie. Si është më e thjeshtë, të vlerësosh të tjerët apo të të vlerësojnë?

Duke qenë se, kam qenë fitues i disa konkurrimeve më parë, këtë vit jam përzgjedhur nga organizatorët e World Press Cartoon, pikërisht nga Antonio Antunes, për të seleksionuar dhe përzgjedhur karikaturën më të mirë të publikuar në shtypin botëror, si anëtar jurie. Ky konkurrimin ka disa seksione, dhe për secilën jepet një çmim. Çmimet janë: “Gag cartoon”, “Karikatura”, e një personazhi të njohur politikan, artist apo sportist, dhe “Cartoon editorial”. Mua më duket mjaft interesante të njoh dhe të vlerësoj  punën e kolegëve të mi, punën e atyre të cilët shpeshherë kanë vlerësuar punimet e mia.

“Koka e Ali Pashë Tepelenës te Sulltani”, një nga tablotë tuaja, e cila ndodhet e ekspozuar në muzeun e grek të Janinës, do të jetë pjesë e një emisioni televiziv, i cili do të prezantohet në BBC?

Përsa i përket veprës sime “Koka e Ali Pashë Tepelenës te Sulltani”, e cila ndodhet qysh nga viti 1989 në muzeun grek të Janinës, kam mbetur i befasuar, sepse para pak ditësh një grup i BBC-së e kishte pëlqyer shumë. Ata po bëjnë një emision për jetën në disa shtete si: Itali, Turqi, Greqi, Shqipëri dhe Kroaci, prandaj kur kishin shkuar për të filmuar në muzeun grek të Janinës, menduan që kjo vepër të jetë pjesë e emisionit të tyre. Për këtë më ka shkuar letër drejtoresha e emisionit, Olwyn Goldsmith, e cila me shumë korrektësi më kërkon të drejtën e publikimit të veprës sime, si pjesë e këtij emisioni.

Por nëse ndalim te realizimi i kësaj vepre, si e kujtoni periudhën kur e keni realizuar, në vitin 1988? Nëse do riktheheshit mbrapa a do të ndryshonit ndonjë detaj të saj?

Kjo pikturë titullohet “Koka e Ali Pashë Tepelenës te Sulltani” dhe ka një histori të veçantë. Unë e kam pikturuar në Vlorë, në vitin 1988, gati për 25 ditë, në një tablo të madhe, që nuk u pranua nga komisioni i atëhershëm në Tiranë. “Pse koka e shqiptarit është e prerë para armikut?”, ky ishte opinioni i jurisë, prandaj kjo tablo më pas është hedhur nëpër sallat e allçisë së Qendrës se Monumenteve në Tiranë, aty ku "ruheshin" veprat e papranuara nga juria. Pas disa muajsh kam shkuar për ta tërhequr dhe nuk e kam njohur më. Tabloja ishte e lyer e tëra me pluhur dhe me allci, ndërsa korniza ishte shtrembëruar nga veprat e autorëve të tjerë, të hedhura sipër saj.

Kam punuar për ta rregulluar, më shumë se koha për ta bërë. Më pas jam lidhur me Bashkinë e Janinës në Greqi, e cila e vlerësoi pikturën mbi bazën e një fotoje të vogël me ca ngjyra të shpëlara, siç ishin ngjyrat në ato vite. Këtu filloi edhe historia e tablosë së Aliut, e cila u dorëzua në Kakavijë te grekët në vitin 1989. Qysh prej asaj dite ndodhet në sallën kryesore të Muzeut të Aliut. Kjo vepër është parë nga mijëra e mijëra njerëz, ndërsa unë sot mund të them se, kjo gjë më ka sjellë shumë fat dhe vlerësime, siç ishte dhe ky i fundit i BBC-së.

65 çmime me të cilat jeni vlerësuar në mbarë botën, por cilat janë pritshmit tuaja për të ardhmen? A ka një ëndërr Agim Sulaj, të cilën nuk e ka realizuar me artin e tij?

Deri tani janë rreth 65 çmime të fituara në të gjitha anët e botës. Vlerë të madhe për këtë kanë edhe ditët e “Hostenit”, siç i quaj vitet ku hodha themelet dhe u njoha me humorin e satirën, me karikaturat e para të publikuara në faqet e kopertinave, të asaj reviste të mrekullueshme.

Përsa u përket çmimeve pres konfirmim për një çmim në Surgut të Siberisë,  në Bienalen e Humorit, dhe një tjetër në Vianden Lukesmburg, në sallonin ndërkombëtar të karikaturës.

E ndërsa bëni krenarë mijëra shqiptarë me arritjet tuaja, a keni menduar që të hapni një ekspozitë personale në Shqipëri?

Shpresoj që këtë verë të vij në Shqipëri me pushime, pse jo të prezantoj dhe një ekspozitë, kjo nuk do të ishte ide e keqe.

Jeta mes Vlorës dhe Tiranës

Agim Sulaj, (Tiranë, 1960) u vendos në Vlorë në moshën 2-vjeçare. Ndoqi Liceun, dhe studimet për pikturë i përfundoi në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Italia është vendi ku jeton si artist i lirë, dhe ka ekspozuar në qytetet e Brindisit, Venecias, Bolonjës, Milanos, Romës etj. Punët e tij kanë qarkulluar në ekspozita kolektive, në mjaft vende të Europës, përfshi edhe Shqipërinë. Temat e emigracionit me eksplorimin e botës shqiptare në vend të huaj, ai i ka trajtuar në ekspozitat “Midis vëllezërve të Italisë”, “Artisti me valixhe”, apo lidhjet që njeriu ruan nëpërmjet kujtimeve me botën e shkuar, si në ekspozitat “Vepra Hiperreale” etj.

Ka qenë pjesë e ekspozitës “Europei Erranti” në galerinë “Forni”, së bashku me autorë të mëdhenj të artit bashkëkohorë si: Giorgio de Chiricho, Balthus, Odd Nedrum Giacometti etj. Fitues i çmimit të madh në konkurrimin botëror të karikaturës në Kosovë me temën “Pavarësia” (2006). Çmimi i Parë në Torcoing të Francës në konkurrimin ndërkombëtar të karikaturës. Mund të përmendim edhe karikaturën “Drejtësia”, e vlerësuar me çmimin e parë në Bienalen e Parë Evropiane në Portugali 2008, pastaj atë “I huaji”, vepër që trajton emigrimin etj.

Megjithatë me karikaturën i ka prirë më tepër e mbara, një gjini që ai e ka lëvruar qysh në vitet tetëdhjetë te “Hosteni”, revista kryesore e humorit e satirës në Shqipërinë Socialiste, e ndoshta media më e lirë ndër mediet e mbikëqyrura rreptë nga censura në çdo cep. Me mjaft sukses ai ka përfaqësuar veten në nivelet botërore të karikaturës dhe këtë e tregon vlerësimi me çmimet ndërkombëtare në World Press Cartoon, Ranan Lurie Award, Eç Kruishoutem, Iran Cartoon etj., përpos opinioneve që ai ka shprehur për “frymëmarrjen që i duhet karikaturës shqiptare”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama