Jeta është pikërisht Dürer-i” të vjen të thuash menjëherë sapo sheh pikturën e vogël vaj në telajo “Krishti i dhimbjeve” të vitit 1493, vizatuar vetëm në moshën 22-vjeçare nga mjeshtri gjerman Albrecht, pikërisht ai pra, Dürer-i, i lindur në Nuremberg në vitin 1471, fëmija e tretë në tetëmbëdhjetë të tillë i një argjendari që mund të quhej një lloj Bvlgari i asaj kohe. Krishti në pikturë duket me të vërtetë i pangushëllueshëm. I mbështetur me bërrylin mbi gju, i përgjakur nga ushtat dhe kurora me gjemba, duket se e ka humbur shpresën se mund të ringrihet, sipas asaj që ishte parathënë pas tri ditëve.
Depresioni dhe melankolia janë dy gjendje shpirtërore që i interesojnë së tepërmi Dürer-it tonë, aq sa në vitin 1514 krijoi një pikturë me titull “ Melankolia I”, një grua që nuk gjen ngushëllim e që duket se po reflekton mbi fatet e botës. Pa e ditur, Dürer kishte qenë një Freud mesjetar në art, fantazitë e dala nga peneli i tij interpretojnë ankthet dhe makthet e kohës së tij. Tepër e njohur seria e gravurave mbi Apokalipsin, të frymëzuara nga Ungjilli i Shën Gjonit, që ngjajnë sikur në ditët e sotme të ekzistonte një artist që të ishte në gjendje që me pak imazhe të përshkruante kataklizmat e së ardhmes që do të prodhonte efekte serrë.
Në shkollën e apeninëve
Albrecht Dürer, përveçse artist është edhe shkencëtar, matematicien dhe udhëtar. Shkroi një teori mbi proporcionet e trupit njerëzor. Akuarelet e tij të bukur janë më tepër një studim i një gjeologu, i një botanisti apo të një eksperti të zoologjisë sesa fryt i fantazisë së një artisti. Të jashtëzakonshme për nga saktësia janë edhe gravurat e tij të luleve e barërave, por edhe ato të kafshëve që nga lepuri i zakonshëm e deri tek rinoqeronti ekzotik. Sigurisht që nuk mund të mos joshej nga arti i mjeshtërve të Rilindjes, prandaj udhëtoi dy herë në Itali, ku veç teknikave të pikturës mundi të admironte dhe të përftonte edhe nga teknologjia e gatimit që ai e adhuronte.
Në Venecia, ku jetoi për një periudhë të gjatë kohe, studioi mjeshtrit e pikturës italiane, i pari mes të cilëve qe Mantegna. Do të mësonte mjaft shpejt. Në vetëm pesë ditë vizatoi “Krishti mes mjekëve” dhe i la gojëhapur kolegët venecianë, që do të nisin ta shihnin me dyshim dhe zili, të vetëdijshëm që përveçse ishte i zoti, ky mysafir i largët ishte edhe inteligjent. Me frikën se mos ai mësonte shumë nga metodat dhe sekretet e tyre, ata i dhanë të kuptonte se nuk ishte më i mirëpritur në rrethet e tyre. Por do të kishte fatin ta merrte në mbrojtje nën krahët e tij gjigandi i vjetër i pikturës veneciane, Xhovani Belini, që do ta mbronte nga xhelozitë e të tjerëve dhe duke e admiruar zotësinë e do t’i blinte madje disa nga vizatimet.
Me një mik si Luteri
Me të kaluar dy vjet, ai vendosi të kthehej në Gjermani më i depresuar se më parë, duke u malluar për Italinë jo dhe aq për miqësitë sesa për stilin e jetës, drita e artit të tij. Do të arrijë më në fund të arsyetojë e do të ngushëllohet me suksesin e veprave të tij, të vlerësuara së tepërmi nga kisha gjermane, e cila kishte filluar të pështjellohej nga idetë e reja të Erazmit dhe Luterit, miq të Durer-it, njerëz që refuzonin “Diktat”-in e Kishës së Romës dhe zakonin e saj të keq për të bërë kontrabandë me dhënien e pafajësisë në shkëmbim të çdo lloj qeseje me monedha të arta. Gravurat e Durer-it rrëfejnë raportin e njerëzve me Zotin në mënyrë të drejtpërdrejtë e të thjeshtë, ashtu siç do ta tregonte edhe reforma protestante, pa pasur nevojë për ndërmjetës e bakshishe.
Perandori Maksimilian do ta emëronte artistin e tij të oborrit, duke e dërguar për të shëtitur Evropën Veriore, si një njeri të njohur tashmë dhe të nderuar. Përjetësisht i pakënaqur nga dijet e tij, do të përshkojë me artin dhe aftësinë e tij të pabesueshme teknike shkencën, matematikën dhe filozofinë, duke mos arritur asnjëherë të bëjë bashkë shpirtin e artit me idetë e zbuluara nga mendja. Me vdekjen e Maksimilianit, Albrecht Dürer do të mbetet edhe ai pjesë e trashëgimisë të perandorit të ri, Sharlit V.
Duke bërë eksplorime në brigjet e Fiandrës, në kërkim të ndonjë balene të vdekur për ta studiuar, të cilës në fund i bëri edhe një portret, ai do të marrë një grip tepër të keq për shkak të të ftohtit dhe lagështirës. Edhe pse e kthyen me nxitim në Nuremberg, ai do të vdesë në vitin 1528, në moshën 57-vjeçare. I vetmi në llojin e vet, Dürer-i do të mbetet i pakapërcyeshëm për shekuj me radhë.
Leonardoja i Gjermanisë
Gravurat e Dürer-it kishin një sukses të atillë sa të fusnin në krizë edhe vetë pikturën italiane, nga e cila ai në vitet e rinisë kishte mësuar kaq shumë. Rafinimi i figurave të tij, aftësia për të gërshetuar detaje të pafundme dhe mundësia për të prodhuar një numër të madh kopjesh, pra një shpërndarje të madhe që, edhe pse jo masive, ishte shumë më popullore dhe ekonomike sesa mund të bëheshin pikturat në vaj – unike dhe te papërsëritshme- do të sillnin një revolucion të vërtetë në botën e imazheve. Në muret e shtëpive të borgjezisë së re tregtare do të nisin të bëhen të modës skenat në bardh e zi të mjeshtrit të Nurembergut.
Nuk do të ketë pasues në teknikën e tij, por do të konsiderohet një Leorando i vërtetë. Do të njihej më pas si ai që solli në Evropën Veriore linjat e buta të Rilindjes, duke zbutur vijat e forta të artit gotik, ashtu si Trapatoni shumë shekuj më vonë do t’u mësonte futbollistëve gjermanë të bëheshin më “dürer” me elegancë, pa kërkuar që me çdo kusht të jenë të fortë e pathyeshëm si të ishin copa druri.
Nëse nuk do të kishte qenë për procesin e fajësimit të kriminelëve të nazizmit, sot Nurembergu do të duhej t’ia dinte për nder famën e tij vetëm piktorit. Por ja që njerëzimi preferon që të nënvizojë historinë e tij me gjak dhe jo me letra. Dhe ndërkohë që do të kishte qenë kaq bukur që përpara imazhit mallëngjyes të “Lindjes”, - të gdhendur në vitin 1504, ku brenda një shtëpie shembur Maria po përkund foshnjën Jezus dhe jashtë Jozefi po merr ujë nga pusi, duke i dhënë fesë dhe besimit shijen magjike të një skene intime familjare plot paqe - të mund të thërrisnim pa u ndrojtur dhe pa kujtime të këqija: “Heil Dürer”.
Marre nga : Revista Jeta











