Rrefimi i trishte i babait te femijes qe perloti boten

Rrefimi i trishte i babait te femijes qe perloti boten

Me dhimbjen që nuk i shqitej nga sytë, babai i dy vogëlushëve të mbytur në ujërat e detit Egje së bashku me të ëmën teksa përpiqeshin të mbërrinin në brigjet greke, i identifikoi trupat e pajetë e më pas i mori me vete për t’u dhënë lamtumirën e fundit. Abdullah Kurdi shpërtheu në vaj teksa dilte nga një morg në qytetin turk të Muglas pranë Bodrumit, ku kufoma e birit 3-vjeçar, Ailanit, u nxor në breg nga dallgët të mërkurën në mëngjes. Galipi, vëllai 5-vjeçar i Ailanit, dhe nëna e tyre Rehan, 35 vjeçe, ishin ndër 12 fatkeqët - mes tyre edhe fëmijë të tjerë - që humbën jetën kur varka me të cilën ata lundronin në kërkim të shpresës u përmbys rrugës nga Bodrumi drejt ishullit grek të Kosit. Të njëjtin fat pati edhe një tjetër gomone me 16 njerëz që lundronte përkrah saj.

“Fëmijët e mi ishin më të bukurit në botë. A ka prind që nuk i ka fëmijët gjënë më të çmuar? Ata ishin të mrekullueshëm. Më zgjonin çdo ditë për të luajtur; mund të ketë gjë më të bukur se kjo? Por ata nuk janë më. Tani dua vetëm të shtrihem krah varreve të fëmijëve dhe gruas sime e të lehtësoj dhimbjen që ndiej. Dua t’i përshëndes për së fundmi e të rri përherë me ta”, shprehet mes lotësh Abdullahu.

Mandej ai rrëfen krejt ndodhinë që nuk do t’i shqitet kurrë nga kujtesa: “Pasi e zuri paniku nga dallgët gjigante, drejtuesi i varkës u hodh në ujë e ia mbathi. Unë e mora timonin dhe vazhdova ta drejtoj mjetin. Por dallgët ishin aq të mëdha, saqë e përmbysën gomonen. Po mbaja dorën e sime shoqeje, kur djemtë më rrëshqitën duarsh. Nuk kishin jelekë shpëtimi. U munduam të kacavirreshim pas varkës, por ajo po shfryhej. S’kishte më shpresë, ata shkuan një nga një. Ishte errësirë, të gjithë ulërinin dhe fëmijët e gruaja nuk më dëgjonin dot”.

Familja e Abdullah Kurdit është ndër ato mijëra që lënë Sirinë për t’i shpëtuar luftës, duke shpresuar në një jetë të re e të qetë gjetkë. “Këto që na ndodhën neve, që morëm rrugë për t’i shpëtuar luftës në vatanin tonë, duhet t’i shikojë e tërë bota. Duam që bota të kthejë sytë nga ne për të mos lejuar që edhe të tjerë të kenë të njëjtin fat. Kjo qoftë e fundit!”, apelon ai nëpërmjet agjencisë turke të lajmeve “Dogan”.

Referuar një deklarate dhënë policisë që ka siguruar gazeta turke “Hurriyet”, Abdullahu thotë se dy herë ka paguar kontrabandistë për ta çuar atë dhe familjen e tij në Greqi, por pa sukses. Kështu që ata vendosën të gjenin një gomone e të kërkonin vetë fatin. “Në përpjekjen e parë, rojat bregdetare na kapën në ujë e pastaj na lëshuan. Herën e dytë trafikantët nuk e mbajtën fjalën, nuk e sollën varkën. Na patën thënë se udhëtimi mbante vetëm dhjetë minuta”, rrëfen siriani kurd nga Kobani.

Një zyrtar i spitalit në Bodrum shpjegoi se kufomat u çuan në Stamboll të enjten pasdite, më pas në qytetin e Suruçit në kufi me Sirinë, para se të dërgoheshin në Kobani ku do të prehen.

Rojat bregdetare turke thanë se pesë fëmijë dhe një grua vdiqën pasi varkat u gremisën, ndërsa tre njerëz janë ende të humbur. Helikopterët ndihmuan në shpëtimin e 15 të tjerëve. Agjencia shtetërore turke e lajmeve “Anadolu” raportoi se policia ka ndaluar katër persona të dyshuar si trafikantë qeniesh njerëzore, që mendohet se kanë gisht në këtë tragjedi.

Këto jetë të humbura u shtohen atyre më shumë se 2500 njerëzve që kanë gjetur vdekjen gjatë këtij viti duke u përpjekur të lundrojnë drejt Evropës për t’u shpëtuar dhunës, shtypjes dhe varfërisë në Lindjen e Mesme e Afrikë. Kanali mes Bodrumit dhe Kosit është një ndër udhët më të shkurtra që të çon nga Turqia në ishujt grekë përmes Egjeut, i zgjedhur nga mijëra refugjatë përkundër rreziqeve të panumërta.

Familjes iu refuzua azili në Kanada

Halla e vogëlushëve rrëfen çastin kur mori vesh për tragjedinë në familjen e të vëllait. Teema Kurdi, e cila punon si parukiere në Vankuver të Kanadasë, rrëfen se lajmin e gjëmës ia dha kunata tjetër, gruaja e vëllait të Abdullahut. “Ajo mori një telefonatë nga Abdullahu, i cili i tha se e shoqja dhe dy djemtë kishin vdekur. Lajmin e mora sot (dje) në orën 05:00 të mëngjesit”, thotë Teema, e cila ka emigruar në Kanada para më shumë se dy dhjetëvjeçarësh.

Sipas saj, në qershor familjes së të vëllait iu mohuan vizat nga shteti kanadez: “U përpoqa t’u dilja garant; miqtë dhe fqinjët më ndihmuan me depozitat e nevojshme të parave në bankë. Madje u paguaja edhe qiranë në Turqi, por ata trajtohen në mënyrë të tmerrshme aty. Nuk i tërhoqëm dot, ndaj ata u detyruan të hipnin në atë varkë”.

Autoritetet e emigracionit në Kanada ia refuzuan aplikimin për azil pjesërisht sepse familja nuk kishte viza dalëse që lehtësonin kalimin nga Turqia, e pjesërisht për shkak se atyre nuk u njihej statusi ndërkombëtar i  refugjatit. Kanadaja pranon refugjatë nëse sponsorizohen nga të paktën pesë shtetas kanadezë, me kusht që këta të fundit të garantojnë mbështetje financiare dhe emocionale. Vetëm ata që formalisht njihen si refugjatë mund të aplikojnë. Shumë kurdë sirianë hasin vështirësi në përpunimin e aplikimeve të tyre në kampet e UNHCR-së në Turqi, pasi Ankaraja nuk lëshon viza dalëse për personat që nuk kanë statusin zyrtar të refugjatit.

Qyteti i Kobanit më herët gjatë këtij viti u bë arenë luftimesh të ashpra mes militantëve të Shtetit Islamik dhe luftëtarëve kurdë. Dhjetëra mijëra sirianë morën rrugën e emigrimit për t’u shpëtuar barbarive, një pjesë e të cilëve duke pësuar një fat akoma më mizor.

18-vjeçari që e nxori vogëlushin nga uji: Dukej sikur flinte

Trupi i fëmijës 3-vjeçar sirian i cili u bë simbol i tragjedisë së refugjatë që lënë jetën ujërave të Mesdheut, u nxor në breg nga një punonjës në një hotel të Bodrumit. 18-vjeçari Adil Demirtas, banakier dhe kuzhinier në hotelin “Woxxie”, rrëfen çastin kur sytë i zunë trupin e vogëlushit dhe të një vajze të vogël me pantallona rozë teksa lageshin nga dallgët në cekëtinë. Adoleshenti mbërriti në punë në orën 06:30 të së mërkurës dhe po e bënte gati barin në momentin kur shoku i tij bërtiti dhe bëri me gisht në drejtim të detit. “U avita dhe fillova t’i shquaj - thotë Adili -. Kisha shumë frikë. Shoku më ndihmoi t’i nxirrja nga uji. Dukej sikur ishin ende në jetë, sikur flinin, me një buzëqeshje të lehtë. Fytyrat, krahët dhe këmbët i kishin kaq të njoma. Sytë i kishin ende hapur, ua mbylla me kujdes”.

Pasi i nxorën kufomat në breg ata lajmëruan ambulancën, por ishte tepër vonë për t’i shpëtuar jetët e fëmijëve. 18-vjeçari thotë se u prek thellë nga zbulimi i llahtarshëm: “Nuk mund të fus gjë në gojë, gjumi nuk më zë, mendja më rri tek ata dy vogëlushët. Vetë nuk kam fëmijë, por im vëlla ka dy - gati të një moshe - me të cilët jam shumë i lidhur. Besoj se kjo do më ngelet në mendje për shumë kohë”.

Varkat që marrin me vete familje të dëshpëruara janë bërë pamje e zakonshme për Adil Demirtasin muajt e fundit. Çdo mbrëmje ai ulet me shokët rrëzë dokut dhe sheh trafikantët që mbushin nga 3-4 varka përplot me njerëz. “’Plazhi i Artë’ është shumë i rrezikshëm - shpjegon ai -. Mundohem t’i paralajmëroj për rrymat e forta. U them: “Pse ikni? Keni fëmijë të vegjël’. Por nuk më dëgjojnë”.

Fotot që shkaktuan keqardhje dhe indinjatë

Fotografitë e trupit të pajetë të vogëlushit, veshur me një bluzë të kuqe, pantallona të shkurtra dhe këpucë të zeza, menjëherë bënë xhiron e botës duke shkaktuar njëkohësisht keqardhje dhe indinjatë. Dhjetëra mijëra njerëz reaguan të mallëngjyer për fatin e trishtë të vogëlushit sirian, e në të njëjtën kohë shprehën irritim ndaj qeverive të vendeve të zhvilluara që “po mbyllin sytë përballë kësaj tragjedie”. Në internet nisi një peticion për mbledhjen e firmave në përpjekje për t’u bërë presion shteteve, veçanërisht atyre të Bashkimit Evropian, të reagojnë për zgjidhjen e kësaj situate. Në Britaninë e Madhe, mediet janë bërë bashkë për ta yshtur qeverinë e Dejvid Kameronit të lëvizë nga pozicioni indiferent ndaj krizës së refugjatëve.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama