Pro dhe kunder/Na nderoi apo na zhgenjeu Elhaida?

Pro dhe kunder/Na nderoi apo na zhgenjeu Elhaida?

Pas dështimit në klasifikim të këngëtares që përfaqësoi Shqipërinë në Vienë të shumta kanë qenë reagimet për atë që ndodhi të shtunën në natën finale të Eurosongut. Disa thonë se na e bënë me hile, disa se na hëngrën pikët ndërsa të jterë se kaq meritonim dhe nuk kishim se pse pretendonim më shumë pavarësisht tifozllëkut të madh që shqiptarët bënë në faqen e internetit të festivalit. Ndoshta ky patriotizëm i rremë krijoi edhe idenë se Elhaida Dani do shpallej fituese. Ndoshta kjo përshtypje solli edhe zhgënjimin pas përfundimit të garës.
 
Që në raundin kualifikues difeketet e këngëtares shqiptare u dukën ndjeshëm. Mes euforisë së përgjithshme vetëm ndonjë zë i vecuar si ai i këngëtares kosovare Arta Bajrami pati guximin ta quajë skandaloze performancën e Elhaidës. Të gjithë qenë prefur për suksesin. Aq sa kur ai nuk arriti fajin e gjetën tjetërkund. Kantautori Gjebrea qe nga të parët që reagoi ne instagram :“Ok, ky rezultat në #eurosong2015! Poooor, nga 40 vende që votonin, 36 shtete na dhanë zero pikë ne???!!! Vetëm Maqedonia, Mali i Zi, Greqia dhe Belgjika na vlerësuan. Nëse vlenin 50 për qind votat me sms, si ka mundësi që asnjë shqiptar në Itali, Gjermani apo Zvicër nuk paska votuar për Shqipërinë???!!! Varja... këtu ka diçka që nuk shkon!” – shprehet i revoltuar Ardit Gjebrea.


Në të njëjtën linjë foli pas votimit edhe drejtoti i komanduar i RTVSH-së Martin Leka që nënvizoi se rezultati që ai e quajti të habitshëm nuk i përgjigjej pritshmërisë së blogjeve. “ka dicka që nuk shkon” tha ai për “News 24”.
 
Por edhe ndonjë kritike që filloi të lulëzoi, turma e komentuesve në internet tentoi tua mbyllë gojën. Aktorja e njohur Teuta Krasniqi, ka shprehur nervozizmin e saj për gjithë ata që po kritikojnë Elhaida Danin dhe performancën e saj. Sipas Teutës Elhaida ishte e shkëlqyeshme: “Valla bre, me gjithë këtë negativitet kolektiv, kanihere s´di qysh po na mban kjo tokë…S´di, s´di…i çuditshëm ky fenomen te na, sikur mezi presim mos suksesin e dikujt që me shfry mllefe të ndryshme dhe analiza tona…Njerëz të dashtun, pozitiviteti është çelësi i gjithckaje të mirë në jetë, e edhe i suksesit. Pavarësisht rezultatit sipas mendimit tim, Elhaida ishte në çdo aspekt shumë e mirë, me interpretim, me dukje dhe gjithçka…”.


Disa dyshime për performancën i ka shprehur edhe kantautori Elton Deda në një reagim pas mbrëmjes të së shtunës: “Nuk dua fare te merrem me kompozimin, orkestrimin, tekstin dhe se fundmi me performancen e Elhaides. Te gjithe artistet kane uljet dhe ngritjet e tyre. Perpos ketyre, ata, me shume se ne, i dine te mirat dhe defektet e tyre” shkroi ai. Por për Elton Dedën e rëndësishme qe nje gjë tjetër: “Te mbytur nga rrjetet sociale, nga interneti pafre dhe nga njelloj semundje nacionalizmi, ne shumicen e rasteve thjesht demton shume artistin qe performon, ne rastin konkret vetem kengetarin. Krijohet presion aq i madh saqe ne vend qe te perqendrohesh ne cfare po kendon, ideja e vetme ne koken tende eshte “te nderosh kombin”. Miq te dashur kjo nuk eshte politike. Eshte nje kenge qe duhet kenduar korrekt dhe me frymezim, te kete kompozim te kapshem dhe te thjeshte dhe ne fund te shoqerohet me te gjithe efektet vizuale funksionale te kenges. Sikur te qetesohemi pak si komb perpara kompeticionit, te mos ngarkojme artistet me pollet e ndryshme ne fb ku na nxjerrin fitues, te mos bertasim para kohe per fitore sikur te jete lufta e Krujes, mendimi im personal eshte qe do ti leme me shume kohe artistit te pregatitet dhe te mos ngarkohet me shume sec duhet emocionalisht”.


Ndërsa në një koment në “Gazeta Tema” Ilir Levonja shkruan: “Në gjithë këto ditë webi i Eurovisionit thuajse u bombardua nga entuziazmi i shqiptarëve. Kurse nga mbrëmë në darkë, sot e në vazhdim, britma ka një fytyrë. Kërkesa e llogarisë. Ku është vota ime? Politikë, jo festival. Euroracizëm etj”. Pasi bën një krahasim mes entuziazmit dhe zhgënimit që e pasoi edhe që u shoqërua me akuzat për padrejtësi dhe hile autori shkruan: “Dhe midis më të mirëve nuk arrihet suksesi me entuziazëm. Me simbolet e Shqiponjës, me Shqipërinë e madhe. Me atë flamurin e zi si nga Pakistani. Që po ia marrim shpirtin edhe bacës Isa, edhe Ismailit duke e pretenduar si flamurin e Shqipërisë së madhe. Flamuri i ynë është thjesht i kuq. Dhe Shqipëria është Shqipëri atje ku gjithkush ndihet shqiptar. Nuk kapet suksesi me akuza për rracizëm ndaj atyre vendeve që u kemi thyer dyert. Që na kanë strehuar. Po na japin punë, edukim etj”.


Ky kompeticion i 60 që përfundoi në Vienë me shumë debate rreth përfaqësimit të Shqipërisë nxorri fitues, Mans Zelmerlovi Suedisë, me këngën  “Heroes”. Konkurrenti më i ngushtë ishte Rusia me përfaqësuesen Polina Gagarina me këngën “A Million Voices”, ndërsa në vendin e tretë Italia me grupin simpatik "Il Volo". Renditja finale e përfaqësueses së Shqipërisë bazuar në votimet ishte në vendin e 17-të, me 34 pikë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama