Friderike dhe Lotte grate qe fshihen pas letersise se Cvajg

Friderike dhe Lotte, gratë që fshihen pas letërsisë së Cvajg

Hartmut e dinte se udhëtimi në vendet ku kishte shkelur Stefan Cvajg do të ishte plot të papritura. Ideja se gjithnjë ekziston diçka më tepër përtej të dukshmes, ishte diçka e njohur për gazetarin gjerman, që i pëlqente të depërtonte pikërisht në thellësi. Ai e kishte njohur Cvajgun fillimisht nëpërmjet tregimit të tij të gjatë "Letra e një gruaje të panjohur". Nuk i kujtohet mirë koha kur e lexoi këtë tregim, por qysh në atë moment e ndjeu se ai burrë që ishte ulur të shkruante një rrëfim të tillë duhet të kishte një jetë aq interesante. Nuk ishte fytyra e trishtë e asaj gruaje që rrëfente një dashuri të pamundur dhe platonike, e cila kishte shoqëruar gjithë jetën e saj, por fytyra e shkrimtarit që i shfaqej pas çdo flete libri, fytyra e atij burri disi të imët, por që mbarte thellë brenda tij një botë të madhe. Ai donte ta njihte atë burrë, jetën që shoqëroi një nga emrat më të mëdhenj të mendimit gjerman, edhe pse kohërat në të cilat ai kishte jetuar ishin të ndryshme nga ato të Hartmut Muller. Por kohët mund të zbërthehen gjithnjë nëpërmjet kujtimeve dhe fakteve të cilat gjithnjë mund të gjenden diku. Në rastin e Stefan Cvajg ky zbërthim ka qenë disi më i thjeshtë, pasi vetë Cvajg i pëlqente kujtimet dhe kishte shkruar shumë të tilla. Por a ishin të mjaftueshme ato për të rrëfyer jetën e një prej emrave më të njohur të letërsisë? Apo ç‘vlerë ka të rrëfesh jetën private të një personaliteti, sado i njohur të jetë ky, në një kohë kur mund të harxhosh më mirë kohë duke folur për veprat. Hartmut është nga ata që beson se intimitetet dhe gjërat e vogla në jetë janë ato që shpjegojnë ato çfarë ne i quajmë të mëdha. Ndaj nëpërmjet ecjakjeve të djaloshit dhe më pas burrit Cvajg, ai kërkonte të rrëfente gjithë laboratorin në të cilin u zhvillua letërsia e tij. Dhe sigurisht, në këtë udhëtim ai do të shihte gjithë vendet në të cilat pulsoi trupi i Cvajgut, do të njihte të gjitha femrat që kishte dashuruar ai, për të rrëfyer më pas se "gjithnjë është një grua që qëndron pas forcës së një burri". Por cila ishte kjo grua në rastin e Cvajgut?

Lottes, apo Friderike? Apo ndonjë e fshehtë e cila mund të jetë vetëm në mendjen e Cvajgut? Në përshkrimin që u bën këtyre femrave në librin biografik që Muller ka bërë për Cvajgun mundohet të japë pozicionin dhe kontributin e tyre në jetën e shkrimtarit pa dhënë mendimin e tij për këto dy gra, të cilat kanë shoqëruar jetën e tij. I thjeshtë dhe tepër modest në marrëdhëniet me to, Cvajg nuk shmangu asnjëherë idenë e të qenurit një burrë i lirë, një burrë që nuk mund të jetonte nën kornizat e zakonshme të jetës. Në librin e ardhur në shqip nga përkthimi i Elda Gjanës dhe shtëpia botuese "55", ne mund të shohim detaje të panjohura nga jeta e një prej figurave më të njohura të letrave. Korrespodenca dhe qëndrime në një kohë kur Evropa ishte e trazuar dhe një shkrimtar si Cvajg kërkonte të shkruante për pjesën e saj më të butë, siç janë ndjenjat. Një biografi, e cila ndoshta mund të kishte qenë edhe më e mirë sipas Muller, tenton të hedhë dritë mbi atë çfarë quhet "romani i jetës së Cvajgut", këtij shkrimtari që jetën e ka një libër me vete. Muller ndihet disi i qetë që libri i tij është pritur mirë nga kritika, e cila e ka atë si një bazament të mirë për t‘u mbështetur sa herë kërkon të shtjellojë veprat e lëna pas nga Cvajg, ndërsa lexuesit e zakonshëm, kanë një libër ku mund të kuptojnë se përtej madhështisë dhe emrave të mëdhenj fshihen njerëz jashtëzakonisht të trishtuar...

"Dy gratë" e Cvajgut

Përtej historive të pafundme që çdo burrë mund të ketë në jetën e tij, kur flitet për Cvajgun, çdo biograf flet për dy gratë që lanë gjurmë tek ai. Friderike dhe Lotta. Nëse kjo e para na jep pasqyrën e një gruaje të ndjeshme, të një zonje të vërtetë të letrave, Lotta, e cila e ndoqi pas deri në vdekje, vjen vetëm si një femër e dashuruar, ku për hir të saj edhe mund të sakrifikohet. Cvajg dhe Friderike takohen në Vjenë në 1912. Friderike Maria von Vinternitz ishte prej disa vitesh e martuar me një burrë qefli dhe të shthurur, i cili kishte pak interes për ato çfarë gruas i pëlqenin më shumë gjuhën dhe letërsinë. Ajo kishte dy vajza të vogla Alix Elisabethën dhe Susanne Benedictinën. Friderike vinte nga një familje çifute e cila ishte kthyer në fenë katolike. Gruaja e zgjuar dhe energjike që ishte përpjekur dhe kishte arritur një farë suksesi si shkrimtare humbi në martesën e vet ngacmimet shpirtërore dhe përpiqej për pavarësinë e saj të brendshme dhe të jashtme. Njëherë para disa vitesh në një mbrëmje lamtumire për aktorin Alexandër Giradi kishte parë Stefan Cvajgun natyrisht vetëm nga larg. Në verën e vitit 1912 ajo e takoi atë sërish në kopshtin e restorantit "Riedhof". Në librin e saj të kujtimeve ajo e përshkruan këtë takim të dytë, si dhe mbresën që i kishte lënë atëherë Cvajgu tridhjetetrevjeçar. "Nuk ishte një bohem njomëzak por një burrë i mbajtur, i mirë dhe i pashëm, i mësuar, siç dukej, që t‘i thoshte një femre me një vështrim atë çfarë fjalët e bënin të kotë. S‘kishte asnjë gjurmë nga melankolia.... Por rasti nuk e solli që ata të dy të bisedonin. Por Friderike do të vendoste ta merrte vetë iniciativën. Ajo i shkroi fillimisht një letër anonime, më vonë ata i telefonuan njëri-tjetrit. Në shtator, Cvajgu i bëri një vizitë në Dobling zonjës Vinternitz dhe i çoi një ekzemplar me përkushtim "përjetimi të parë". Për këtë kohë, Cvajg shkruan kështu në ditarin e tij: "Pasditeve te zonja Friderike...një bisedë e mirë me një grua vërtetë të ndjeshme, e cila është më e brishta që mund të përfytyrosh, por ka një energji të çiltërsisë shpirtërore që e bën të madhe".

Cvajg do të shkruante më vonë se "nuk guxoj t‘i afrohem erotikisht". Ndarja nga i shoqi i parë dhe një martesë me Cvajgun nuk do të ishte e lehtë për shkrimtaren e re, pasi një rimartesë e një gruaje katolike ishte e pamundur sipas së drejtës austriake. Nganjëherë Cvajgu e thërriste miken e tij "lepurushe", por Friderike e dinte se i dashuri i saj, në udhëtimet e ndryshme që bënte, ishte e pamundur të mos njihte "lepurushka" të tjera. Një herë, në një ballo me maska, ai bisedoi me një zonjë dhe para se ajo të merrte vesh se si i kishte ndodhur në katër të mëngjesit u zgjua në shtrat pranë tij. "Si m‘i nguli sytë sikur të mos mund të ishte i vërtetë, ky zgjim i një femre pranë një burri që nuk e njeh përveçse fizikisht..." shkruante ai në një ditar. Një herë tjetër, Cvajg ftoi dy mikesha në apartamentin e tij që të shijonte trupat e tyre të bukur dhe të çlirohej nga shqetësimi i brendshëm. Gjatë kohës që ai jetoi në Paris bashkëjetoi për një kohë të gjatë me një Marsele dhe para se të ndinte kënaqësinë që e priste ai shkruante: Nata do të jetë e stuhishme dhe e bukur".

Por Friderike, kjo grua që jetoi pranë tij në momentet më kulmante të krijimtarisë nuk do të ishte deri në fund pranë tij. Ashtu siç e parashikonte, kjo grua tepër e ndjeshme e dinte se nuk mund ta kishte deri në fund këtë burrë. Si gjithmonë ishte një femër ajo që do ta bënte çiftin e njohur në fushën e letrave t‘i jepnin divorcin njëri-tjetrit. Pasi ajo i kërkon vazhdimisht që ai të heqë nga puna sekretaren e tij të re, Lotte, ata mendojnë për herë të parë seriozisht për një ndarje. Në kujtimet e tij, Cvajg rrëfen se gjithnjë e më tepër ndihej i cenuar nga pavarësia dhe i penguar në punën e tij nga zelli dhe vrulli veprues i Friderikes. Por biografët e tij shënojnë se ndarja mund të ketë ndodhur dhe nga një frikë gati patologjike që Cvajg kishte ndaj plakjes, gjë që e bënte të lidhej gjithnjë me dikë. Në atë kohë ai ishte vetëm 55 vjeç dhe besonte se kishte shans për të nisur një jetë të re pse jo me një grua të re. Ndaj vendos të shembë të gjithë urat e së shkuarës. Ai i ngarkoi Friderikes të shiste shtëpinë në malin Kapuçin, sa më shpejt të ishte e mundur dhe pa marrë parasysh humbjet financiare. Vetë ai shiti disa autografe...Por kjo ndarje nuk do të ishte e lehtë për shkrimtarin, i cili e kishte Frideriken më shumë se një grua. Gjatë kohës që ishte në Vjenë, në një letër ai i shkruan asaj se "E dashur Fritzi, nuk dua të mendosh se kjo ka qenë një orë e gëzuar për mua -përkundrazi, po të shkruaj natën, pa gjumë dhe duke menduar shumë për kohën e këndshme të shkuar. Që të dy kemi bërë gabime dhe do të doja që të kishte shkuar ndryshe, për Perëndi, në zemër s‘ndiej gjë tjetër veç trishtimit për këtë ndarje formale, e cila nuk ekziston fare brenda meje".

Në një farë mënyre, fjalët e Cvajgut shkruar atë mbrëmje të vonë ishin të vërteta. Pavarësisht divorcit Friderike qëndroi përgjithmonë pranë tij, si mikja dhe e dashura më e mirë.

Ndërsa Lotta, ajo grua tepër e re për të qenë pranë një burri disi më të madh se ajo në moshë, e ndikuar nga romanet me të cilat ishte ushqyer nuk reshti kurrë së dashuruari atë "burrin e saj enigmatik". Që në momentin që ai e mori si sekretare të tij personale, ai iu dorëzua asaj, duke larguar nga jeta e tij sentimentale edhe Friderike që kohë më parë besonte se nuk mund të ndahej kurrë prej saj. Ajo femër e urtë dhe e bukur, është një nga dashuritë e fundit të shkrimtarit, e cila do të kujtohet gjithnjë sa herë që flitet për Cvajgun. Të dashur deri në vdekje, kështu mund të përkufizohet lidhja e tyre plot pasione, në atë kohë të trazuar.

Prehja e përjetshme pranë Lottes

Në mëngjesin e 23 shkurtit në Gonçales Dias 34 në Petropolis dera e dhomës së gjumit qëndroi e mbyllur deri pak para pasdites. Më në fund, personeli i shtëpisë u shqetësua dhe alarmoi policinë, e cila e hapi derën menjëherë. "Zyrtarët gjetën një burrë të shtrirë në kurriz, "të veshur plotësisht me një kostum sportiv. Me këmishë ngjyrë kafe gështenjë, kravatë të zezë dhe me kilota ngjyrë të zeza në kafe..."Zonja, shënuan ata kishte veshur një "kombinezon me lule; krahu i majtë rrokte gjoksin e tij". Ky i vdekur ishte shkrimtari Stefan Cvajg, me prejardhje austriake, i cili para pak muajsh ishte bërë nënshtetas anglez, po atë ditë kishte mbushur gjashtëdhjetë vjeç, e vdekura ishte bashkëshortja e tij, Elisabetë Charlotte. Mbi skrivaninë jashtëzakonisht të rregullt ishin vendosur letrat e lamtumirës me pullat e ngjitura, lapsat ishin mprehur, librave të marra hua u kishte lënë një shënim. Mbi skrivani u gjet një shkrim drejtuar kryetarit të Bashkisë së të qytetit të Petropolisit me titullin "Declaroçao". "Përpara se të ndahem nga jeta me vullnet të lirë dhe me mendje të kthjellët, detyrohem të përmbush një detyrë të fundit: të falënderoj nga zemra këtë vend të mrekullueshëm, Brazilin, që më dha mua dhe punës sime një pushim shumë të mirë e mikpritës. Nga dita në ditë kam mësuar ta dashuroj më shumë këtë vend dhe askund nuk do ta kisha rindërtuar më me dëshirë jetën nga e para, pasi për mua bota e gjuhës sime ka perënduar dhe atdheu im shpirtëror, Evropa, po shkatërron vetveten. Por pas gjashtëdhjetë vjetësh nevojiten forca të veçanta për të filluar edhe njëherë nga e para. Kurse forcat e mia janë dërrmuar nga vitet e gjata të shtegtimit nëpër botë. Kështu që më duket e drejtë ta mbyll në kohën e duhur dhe me një qëndrim të drejtë një jetë, për të cilën puna shpirtërore ka qenë gjithmonë gëzimi më i kulluar dhe liria personale, mirësia më e madhe e kësaj toke. Përshëndes të gjithë miqtë e mi! Uroj që ata të kenë fatin të shohin përskuqjen e agimit pas natës së gjatë! Unë, si shumë i paduruar që jam po u paraprij!" - përfundon letra e lamtumirës së Cvajgut.

Vetëvrasja e çiftit Cvajg është një nga ngjarjet më të rënda që ka bërë aq shumë bujë për të papriturën. Jo pak njerëz e quajnë këtë lajm si një "shaka". Tomas Man, një nga miqtë e tij të mirë shkruante: "A duhej t‘i jepte ai armikut të betuar këtë kënaqësi" duke shtuar se "njëri nga ne dorëzohet përpara ripërtëritjes së tij të dhunshme botërore"...

Në letrën e tij të lamtumirës drejtuar botuesit të tij brazilian, Koogan, ai e kishte lënë amanet t‘i bëhej një varrim i thjeshtë, e pa bujë, por qeveria braziliane, e cila nuk kishte dijeni për këtë dëshirë e quajti si detyrën e saj që Stefan Cvajgun, shkrimtarin e famshëm botëror dhe mikun e Brazilit ta nderonte siç i takonte: me një varrim kombëtar. Më 24 shkurt të 1942-it të dy arkivolet e hapura të Cvajgut dhe të gruas së tij, Lottes, të zbukuruara plot me lule ishin vënë në shkollën e mesme të Petropolisit. Kryetari i Akademisë së Letërsisë, Carauta de Souza, mbajti një fjalim para një rrethi të shquar shoqëror, ndër të cilët merrnin pjesë edhe Presidenti i shtetit, Vargas, ministra, gjeneralë, publicistë, artistë profesorë. Më pas, vazhdari i përmotshëm kaloi nën diellin rrëzëllimës nëpër rrugët e qytetit të mbushura me njerëz në të dyja anët. Arkivolin e Cvajgut e mbanin tetë shkrimtarë, pas tyre vinin rabinët, të cilët kishin ardhur nga Rio De Zhaniero. Rreth 400 njerëz u dyndën rrugëve, të bardhë, mulatë, zezakë, indianë. Dyqanet u mbyllën vetiu. Ngado shihje njerëz me lule në duar që shoqëronin vazhdarin dhe kambanat e Petropolisit u bashkuan me kambanën e përmotshme. Fjalët që tha Carneiro, kryetari i Akademisë së Shkencave përpara varrit të hapur të fusnin në mendime: "Sikur ai të kishte qenë vetëm pak më sqimatar", tha Carneiro me zë ankimtar, "me siguri do të kishim pasur mundësi ta shpëtonim dhe do të na e kishte kursyer këtë dhembje".

Çiftit Cvajg iu caktua një kriptë nderi pranë varrit të Perandorit Pedros II. Shtëpia në Petropolis, në të cilën kishin jetuar u ble nga shteti brazilian dhe u shndërrua në Muzeun Cvajg.

 

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama