Gjykata e Strasburgut 3 Milion Euro Gjobe Shqiperise.

Gjykata e Strasburgut  3 Milion Euro Gjobe Shqiperise.
Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut konfirmon edhe një herë paaftësinë e qeverisë shqiptare për t’i dhënë zgjidhje mijëra çështjeve të pronave të ish-pronarëve. Më 31 korrik 2012 u publikua një vendim, në të cilin përfshihen njëkohësisht katër ankime të paraqitura nga ankues të ndryshëm.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut konstatoi shkelje të të drejtës për një proces të rregullt ligjor, shkelje të së drejtës së pronës dhe shkelje të së drejtës për një ankim efektiv për të gjitha çështjet e cituara. Shkeljet kanë të gjitha një emërues të përbashkët: mosekzekutimin nga ana e qeverisë shqiptare të vendimeve për kompensim të pronës të dhëna nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave për çështjet “Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, “Dani kundër Shqipërisë”, “Ahmatas kundër Shqipërisë” dhe “Muka kundër Shqipërisë”, respektivisht, në Vlorë, Lezhë, Korçë dhe Tiranë. Për të gjitha çështjet, Gjykata me vendimin e saj e detyron shtetin shqiptar që të paguajë në favor të ankuesve një dëmshpërblim financiar i cili, në total për të katër çështjet, arrin në shumën rreth 3 milion euro. Ky vendim pasqyron të njëjtin qëndrim që ka mbajtur Gjykata Europiane edhe në çështje të tjera të mëparshme kundër Shqipërisë, të cilat kanë patur të bëjnë me mosekzekutimin e vendimeve për kompensim të pronës në favor të pronarëve.

Arsyetimi

Për të parën herë në çështjet kundër vendit tonë, Gjykata Europiane bashkon disa çështje në një vendim të vetëm. Një veprim i tillë aplikohet në rastet kur kundër shtetit përgjegjës paraqiten një numër i madh ankimesh, të cilat janë të ngjashme me njëra-tjetrën. Është fakt që një fenomen i tillë po bëhet gjithmonë e më shumë i dukshëm në çështjet kundër Shqipërisë, që lidhen me problemin e pronave. Gjykata Europiane, në këtë vendim, rrëzon në mënyrë kategorike pretendimet dhe justifikimet e qeverisë shqiptare lidhur me pamundësinë e realizimit të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave, duke konsideruar të papranueshme argumente të tilla si: mungesa e fondeve financiare, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit, vënia në zbatim e hartave të vlerës së pronës vetëm pas vitit 2005, mungesa e një sistemi të saktë adresash apo vështirësitë në identifikimin e trashëgimtarëve të ish-pronarëve që sollën vonesa të mëdha. Strasburgu ripërsërit qëndrimin e mëparshëm të tij, duke i rekomanduar qeverisë shqiptare marrjen e masave urgjente administrative, organizative, ligjore dhe financiare për zgjidhjen e problemit të pronave. Me këtë rast, Gjykata i kujton qeverisë shqiptare se jo vetëm në vendimet e saj, por edhe në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, kur Shqipëria është thirrur për të raportuar lidhur me ekzekutimin e vendimeve, është tërhequr vëmendja për mungesën e masave efektive për zgjidhjen e problemit të pronave. Lidhur me vlerën e dëmshpërblimit financiar, Gjykata mori në konsideratë vlerën e përcaktuar në hartat e vlerës së pronës të miratuara me vendime të Këshillit të Ministrave. Kështu, duke analizuar qëndrimin e qeverisë shqiptare, e cila brenda një periudhe shumë të shkurtër kohe i ndryshoi disa herë vlerat e pronës për efekt kompensimi, Gjykata Euroiane tërheq vëmendjen e qeverisë që ajo të mbajë një qëndrim më koherent në drejtim të përcaktimit të vlerave të kompensimit. Duke parë me shqetësim situatën e krijuar dhe perspektivën e këtyre çështjeve, Gjykata “i jep edhe një herë dorën” qeverisë shqiptare, që ajo të bëjë të mundur marrjen e masave për përfundimin sa më të shpejtë të këtij procesi.

Strasburgu: Pronat, edhe 18 muaj afat

“Ndihma”, që i jepet qeverisë edhe këtë herë, ka të bëjë me faktin që për një periudhë 18-mujore nga data, që ky vendim merr formë të prerë, të gjitha çështjet që do të depozitohen në Gjykatë pas kësaj date, nuk do të hyjnë në procedurat e shqyrtimit, pra do të “ngrijnë”. Nga ana tjetër, të gjitha çështjet e depozituara aktualisht në Gjykatë do të vazhdojnë të shqyrtohen normalisht. Ky vendim tregon që çështja e pronave në Shqipëri është shndërruar në problem tepër serioz për Gjykatën e Strasburgut. Këtu duhet patur parasysh edhe fakti, që zgjidhja e problemit të pronave është edhe një prej 12 kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Europian, të cilat duhen përmbushur nga Shqipëria në mënyrë që vendi të fitojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim.

Kompensimi, 15 vite pritje të ekzekutimit të vendimit

Çështja “Dani kundër Shqipërisë” ka të bëjë me mosekzekutimin e një vendimi të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Lezhës në vitin 1994 për kompensimin e një prone prej rreth 1500 metrash katrorë në qytetin e Lezhës. Çështja “Puto kundër Shqipërisë” lidhet me mosekzekutimin e një vendimi të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Vlorë të vitit 1995 për kompensimin e një prone prej 5000 metrash katrorë në qytetin e Vlorës. Çështja “Ahmatas kundër Shqipërisë” lidhet me mosekzekutimin e dy vendimeve të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Korçës në vitet 1996 dhe 1999 për kompensimin e dy pronave, një trualli me sipërfaqe 3800 metra katrorë dhe një toke bujqësore prej rreth 59 mijë metra katrorë të ndodhura në zonën e Korçës. Ndërsa tre çështjet e para u përfaqësuan nga avokat Sokol Puto, çështja “Muka kundër Shqipërisë” e përfaqësuar nga avokat Agim Tartari ka të bëjë me mosekzekutimin e dy vendimeve të vitit 1995 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Tiranë për dy sipërfaqe të ndryshme në total 1200 metra katrorë. Nga sa kuptohet, pritja e secilit prej ankuesve për ekzekutimin e vendimeve ka zgjatur më shumë se 15 vite.

Strasburgu: 4 mln euro dëmshpërblim ish-pronarëve për mosekzekutim

Kjo nuk është as hera e parë dhe as hera e fundit, që vendi ynë ndëshkohet nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut për mosekzekutimin e vendimeve për kompensim të dhëna nga komisionet dhe gjykatat. Çështja “Beshiri” e vitit 2006 ishte e para e një serie të gjatë çështjesh me problematikë të vetme mosekzekutimin e vendimeve për kompensim. Më pas vijuan çështjet e tjera, si “Ramadhi”, “Driza”, “Nuri”, “Hamzaraj”, “Vrioni” apo “Delvina”. Për vendimet e dhëna deri tani, shteti shqiptar ka paguar rreth 4 milionë euro.

Qeveria 41 mijë vendime kompensimi presin ekzekutim

Në vendimin e publikuar dje nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut kuptohen edhe disa shifra të paraqitura nga qeveria shqiptare në lidhje me situatën e problematikës së pronave. Në vendimin e djeshëm thuhet se, sipas të dhënave të qeverisë, numri i vendimeve të komisioneve të pronave, të cilat janë aktualisht në pritje të ekzekutimit për kompensim, është thuajse 41 mijë. Nga këto, numri i vendimeve të komisioneve, me anë të të cilave është njohur e drejta e pronësisë, arrin në rreth 29 mijë. Gjithashtu, numri i vendimeve të komisioneve, që presin kompensim të plotë e që nuk kanë marrë asgjë deri tani, arrin në thuajse 15 mijë. Siç shihet, situata është ende shumë larg zgjidhjes përfundimtare.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama