Martesa e pare gej ne Tirane ben xhiron e botes

Martesa e pare gej ne Tirane ben xhiron e botes

“E sheh? Edhe Mbretëresha po qesh”, thotë një i ftuar në të parën martesë të një çifti homoseksual në Shqipëri. Ceremonia u organizua në ambasadën britanike, në një territor britanik, ku zbatohet ligji i këtij vendi.

 

Në të vërtetë duket sikur Mbretëresha Elisabeth II në foto po i gëzohet martesës së Donald Holder dhe Michael Kane. Ambasadori Nicholas Cannon, që drejton ceremoninë, është nervoz, për shkak se nuk e ka bërë kurrë diçka të tillë, por edhe sepse është i prekur nga dashuria mes Michael dhe Donald.

 

Britanikët janë prej 29 vitesh një çift. Që prej vitit 2006 kanë një partneritet civil.

 

“Ky është një përmirësim,” bën shaka Kane, në lidhje me statusin e ri si të martuar. Dhe ambasadori Cannon shton: “Është si një martesë biznes- klas”.

 

Të dy dëshmitarët janë shqiptarë. Ata e kanë shpallur martesën e tyre në emisionin popullor Zonë e Lirë në fillim të majit. Reagimet ishin pozitive, tregon Kane.

 

“Madje kemi marrë urime edhe nga shitësja në furrën e bukës në lagje në Tiranë”.

 

Në shtypin shqiptar u raportua në detaje për Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë. Martesa e Kane dhe Holder ishte menduar si një akt simbolik në mbështetje të komunitetit homoseksual në vendin ballkanik. Në Shqipëri nuk njihet as partneriteti dhe as martesa për homoseksualë.

 

Vitin e shkuar pati të paktën një iniciativë për regjistrimin e tyre si bashkëjetues. OJF-të ankohen se ligji është bllokuar deri më tani nga Ministria e Drejtësisë. Në Shqipëri është ligjëruar homoseksualiteti që prej vitit 1995, që nga viti 2008 homoseksualët mund të shërbejnë në ushtri.

 

Dhe që nga viti 2010, Shqipëria është një nga të paktat vende që ndalon diskriminimin në punë apo shërbime në bazë të identitetit gjinor. Por opinioni publik për homoseksualitetin është shumë negativ. Shumica e shqiptarëve e refuzojnë partneritetin homoseksual, transmeton Mapo.

 

*Marrë me shkurtime nga gazeta austriake


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama