Gazetarët i kanë rënë kryq e tërthor zonës ku kanë takuar dhe fiksuar në foto njerëz të thjeshtë që do të jenë personazhe të një reportazhi për revistën e njohur. Një ndalesë tek ish-hekurudha Milot-Rrëshen-Klos që tashmë nuk funksionon më, dhe në vepra të tjera të lënë përgjysmë si ura në Tarazh, nga më të mëdhatë në vendin tonë. "Vendi i paradokseve"!
Vërtet këtë ndjesi e përfton çdo gazetar i huaj që i bie të fotografojë urën gjigante dhe dhjetëra kilometra hekurudhë të pesëvjeçarit të fundit komunist. Në sfondin e bukur të fshatit Prosek ata fiksojnë peizazhin dhe resurset natyrore. Më pas, një vizitë e rastit në një shtëpi të fshatit, pikërisht tek Marku. Përbri kullës dykatëshe, realizojnë disa foto të ndërtesës ku tërë breznitë e këtij fisi kanë jetuar. Një bujtinë që në vend të mureve si element ndërtimi ka përdorur dërrasën e lisit dhe trarët, që prej 150 vitesh nuk kanë njohur morte. Marku, nuk ka dashur ta shembë, si duket për ta mbajtur si një lloj muzeu familjar. Gjithçka kalon me humor në oborrin e shtëpisë ku Marku tregon me krenari dhe bagëtitë, sepse mekaniku i dikurshëm tashmë është një blegtor shumë punëtor. Pikërisht, momente të tilla gazetarët kroatë i fiksojnë për t'i treguar në revistën e gjeografisë së kombeve.
Gj. M. -Gazeta Shekulli











