Një interpretim i vështirë dhe një pritje mjaft e mirë nga mjeshtërit e pianos. Pianistja tregon për aktivitetin në Poloni, koncertin, Shopenin në Shqipëri, klimën artistike në Tiranë dhe ndjesinë e të qënurit bashkëshorte e artistit Zhani Ciko. Ndërsa tregon për eksperiencën e para disa ditëve, Ciko veçon takimin në prag me një ish- spalën e orkestrës "Virtuozët e rinj të Tiranës", Bledar Zajmi, tashmë koncertmaestër i Orkestrës së Teatrit Kombëtar Çek. "Na mbushi me gëzim për atë që kemi konstatuar shpesh me Zhanin; ata djem e vajza që dikur rripnin gishtat në korridoret e Liceut dhe përfaqësuan së pari shkollën shqiptare të instrumentit në Europë, sot janë artistë të vërtetë dhe madje të njohur e të respektuar", - thotë Rudina Ciko. Pas Polonisë, pianistja po përgatitet të marrë pjesë në Fstivalin e 6-të të Shopenit në Tiranë dhe koncertet që zhvillohen së shpejti me rastin e 80-vjetorit të lindjes së kompozitorit Çesk Zadeja.
Sapo jeni kthyer nga një aktivitet i rëndësishëm pinistik, ç'mund të na thoni rreth tij?
Në funksionin e nënpresidencës së "Shoqatës së Shopenit" për Shqipërinë mora pjesë në Asamblenë e përgjithshme të delegatëve të shoqatave që mbajnë emrin e kompozitorit të madh, në Poloni nga 25 -27 maj në qendrën e mrekullueshme turistike e kulturore, Druzhniki - Zdroj, vend qëndrimi i autorit të magjishëm të tastierës dhe muzikantëve të tjerë të mëdhenj, ndër të cilët dhe F. Mendelson - Bartholdy. Takimi ku mora pjesë është një ndër më të rëndësishmit në fushën e interpretimit pianistik, promovimit të veprave dhe ruajtjes së traditës.
Përveç programit të zakonshëm të konferencave, patët mundësi të interpretoni edhe në piano, si u prit interpretimi juaj?
Pas dy ditësh prezantimesh dhe hartimesh projektesh për periudhën 2008 - 2010, që përkon dhe me kremtimin e 200- vjetorit të lindjes së Shopenit, një koncerti recital në Rezidencën e kompozitorit nga Takashi Yamamoto, ditën e tretë pata kënaqësinë të jem një nga 6 pianistët që ekzekutuan në piano për të pranishmit. Kuptohet përgjegjësia dhe emocioni i së vetmes pianiste femër mes pianistëve që përfaqësojnë "Shopenin" e Varshavës, Majamit dhe Hustonit (SHBA), Valdemosës (Palma de Majorka), Francës (Konservatorit Superior të Parisit) dhe Çekisë. Zgjedhja ime e repertorit ishte pretencioze dhe me një vepër mbase më delikatja nga ato që u ekzekutuan, quhet "Grande Pollonaise Brillante precede d'une Andante spianato". Të tjerët luajtën, Nokturne, Berceuse, Mazurka rondo.
Luajtën thuajse të gjithë shkëlqyeshëm ndonëse veprat ishin disi më komode e të zgjedhura për një sallon muzikor ku ishe i pranishëm gjithë kohën dhe në një moment të vinte radha ty. Më caktuan të luaj e treta, pas profesorit amerikan Darius Paëlas dhe Profesorit të Konservatorit të Varshavës. Dy burra me duar të fuqishme dhe eksperiencë të dedikuar Shopenit. Prezantimin e bënte muzikologia shopeniane, zonja Potoeka, e cila me kompetencën e saj dukej sikur më thoshte: "Ki kujdes zonja nga Shqipëria se do luash një vepër shumë impenjative". Sidoqoftë edhe me inkurajimin e Zhanit që më shoqëroi në këtë rast, iu afrova pianos. E kam vështirë t'ju them se si ekzekutova, por e ndjeva se tingulli im më i brishtë tërhoqi vëmendjen që në fillim, më pas e ndieva që realizova me pastërti momentet delikate të veprës. U befasova në fund nga duartrokitjet e ngrohta, dalja disa herë para publikut dhe përgëzimet.
Më pas u rrëmbeva nga loja e të tjerëve dhe sidomos e profesorit francez Yves Henry, profesor i Konservatorit Superior të Parisit, që është koncertist i madh dhe përfaqësues i asaj që mund të quhet klasa e pianistëve shopenianë të botës. Pas kësaj paraqitjeje, interesi për shoqatën "Shopen" të Shqipërisë u rrit së tepërmi. Informacioni mbi veprimtaritë tona, sistemin shkollor, arritjet, nivelin e zhvillimit të vendit, interesin turistik etj, etj. U gëzova vërtet që mbase për herë të parë në këtë nivel, u prezantua niveli i pianizmit tonë.
Eksperienca që morët, mund të transferohet në Tiranë, në aktivitete të ngjashme?
Ky aktivitet zhvillohet çdo vit dhe çdo herë transferohet në vende të ndryshme, gjithmonë aty ku ka jetuar fizikisht dhe artistikisht Shopeni si p.sh në Valdemossa, në Majorka të Spanjës, në Nokant, në Francë, etj. Apo në vendin ku u zhvillua takimi në Druzhniki në Poloni. Shqipëria nuk është ndonjë nga vendet e vizituara nga Shopeni. Por ka mënyra të tjera për të organizuar takime ndërkombëtare të shoqatave të Shopenit, të cilat janë me mjaft interes për të shkëmbyer eksperiencat e duhura, të vlefshme për shkollën tonë pianistike dhe për interpretimin e veprave të Shopenit në veçanti. Ndërkohë ne po zhvillojmë festivalin e 6-të Shopenian, që ka filluar në fund të prillit me një shtrirje kohore relativisht të gjatë, deri në mesin e qershorit. Në këtë kuadër do të luaj "Andante spianato e grande polonaise per solo piano", si dhe skerco për violonçel e piano me violonçelin E. Mullaj.
Si një pianiste me pervojë dhe pedagoge, si e shihni brezin e artistëve të rinj, janë ata po aq ngulmues dhe të motivuar si brezi juaj dikur?
Kam tashmë një përvojë 20-vjeçare pedagogjike gjatë së cilës në Shqipëri kanë ndodhur ndryshime rrënjësore. Kanë ndryshuar raportet nga pikëpamja historike. Kanë ndryshuar raportet brenda nesh si shqiptarë, si dhe ato me jashtë nesh. Si pasojë ka ndryshuar mentaliteti, interesat dhe kërkesat që pasqyrohen më tepër te brezi i ri. Këtë nuk e them se ka qenë më mirë dje apo është më mirë sot. Mundësitë që të afrohen sot janë shumë më të mëdha, ka më tepër alternativa dhe fusha ku mund të tentosh e të provosh aftësitë e tua. Por kjo gjë ndonjëherë bëhet një faktor negativ, ku rrezikon të bëhesh sipërfaqësor dhe të mos çosh asgjë deri në fund dhe ta perfeksionosh atë. Sigurisht asnjë
Alma Mile - Gazeta Koha Jone











