10 mije eurot do ti shpenzoj per muzike

10 mijë eurot do ti shpenzoj për muzikë

"Do t'i shpenzoj për të bërë këngë". Sidoqoftë ajo e lë shpejt mënjanë këtë temë, për të është një lumturi e madhe ajo që i jep ky çmim, jashtë parave. Dhe kjo për faktin se ky çmim vjen direkt nga votat e publikut. Një hap përpara në karrierën e vjetër të vajzës së vogël në moshë që nuk ndahet për asnjë çast nga prindërit e saj. Të cilët, me sa shihet nga frytet, kanë ditur ta udhëheqin më së miri vajzën e tyre drejt pjekurisë profesionale e asaj personale njëkohësisht. Sepse sipas së ëmës së Gretës, e cila është gjithashtu dhe këshilltare muzikore e saj, duke qenë se është diplomuar për Flaut, rruga drejt famës kërkon sakrifica, kujdes e punë pa ndërprerje, pa lënë mënjanë asnjë detaj. Çdo këngë e Gretës para se të marrë rrugën drejt studios së regjistrimit shoshitet hollësisht në familje, ku merret vendimi unanim nëse ajo do vijë në jetë apo jo. Por çfarë thotë vetë, Greta Koçi, një ditë pasi fitoi çmimin e parë në "Top Fest".

Emri juaj ishte në krye të listës me më shumë vota nga publiku që në fillim të mbrëmjes së finales së "Top Fest"? Sa e sigurt ishit se në fund do ishit fituese?

Unë kisha dy net që isha më e votuara nga publiku, por prapëseprapë nuk e besoja kurrë që do arrija të fitoja. Megjithëse merrja shumë mesazhe dhe duartrokitesha nga publiku, përgjatë gjatë mbrëmjes mendoja se rezultati do përmbysej. E kisha shumë vështirë të besoja se do fitoja, sepse thjesht me disa mesazhe mund të rrëzohej rezultati. Më ka lumturuar shumë një mesazh që mora nga një grup të rinjsh në disko në Sarandë. Ata ishin mbledhur për një aktivitetin e tyre dhe më thanë që e kishin ndërprerë atë dhe kishin vënë një monitor të madh ku po shihnin "Top Fest"-in dhe po më votonin në çdo moment që unë të fitoja. Unë kisha emocione gjatë gjithë kohës, por ky mesazh më bëri të përlotesha. I falënderoj me gjithë zemër, të gjithë ata që më kanë votuar dhe gjithë ata që më dhanë mundësinë të arrija këtë gjë. Kam qëndruar mbrëmë gjithë natën duke parë trofeun, e prapë s'e besoja s'e kisha fituar. Kishte shumë këngë të bukura dhe ishte shumë e vështirë që të veçoja ndonjë këngë, dhe këtë mendoja se publiku do ta ketë shumë të vështirë që të dallojë se cila këngë duhej të fitonte.

Nëse s'do kishit fituar ju, kush mendoni se e meritonte çmimin e parë?

Siç thashë, kishte shumë këngë të bukura, por unë personalisht do të veçoja këngën e Tunës, "Bileta". Ishte një këngë jashtëzakonisht e bukur. Më pëlqyen gjithashtu edhe kënga e Besës, Vedat Ademit, Vesa Lumës etj.

Çfarë do bëni me paratë e fituara nga ky çmim?

Kjo është e fundit gjë që do mendoj. Akoma s'e kam marrë veten nga gëzimi i fitores dhe të them të drejtën s'më ka vajtur ndërmend fare. Por normalisht që do t'i shpenzoj për muzikën.

A ndryshon diçka në karrierën tuaj ky çmim?

Padyshim që po, është një hap përpara. Ky është çmimi i dytë që fitoj pas "Mikrofonit të Artë". Për mua është i rëndësishëm ky çmim, pasi votat vinin drejtpërsëdrejti nga publiku. Dhe për një këngëtare të votohesh nga njerëzit është një kënaqësi shumë e madhe.

Si do ndiheshit nëse s'do fitonit pasi qëndruat në vend të parë për pjesën më të madhe të mbrëmjes?

Sigurisht që do të mërzitesha dhe do të zhgënjehesha shumë. Domethënë në asnjë moment s'e mendoja se mund të fitoja edhe pse kur në mes këngëve shfaqej tabela me emrin tim në vend të parë mbushesha me shpresë. Por, prapë kisha frikë. Por sigurisht që do ndihesha keq nëse s'do fitoja, edhe pse e rëndësishme për mua ishte që mora pjesë.

Ju keni jeni shfaqur prej kohësh në skenë, keni bërë shumë këngë, dhe siç thatë vetë, vetëm dy vitet e fundit ky është çmimi i dytë që fitoni. Nuk keni frikë se mos imazhi juaj konsumohet apo siç mund të thonë specialistët për ato që shfaqen herët në skenë që mund të "dilni në pension" para kohe?

Jo nuk kam frikë, sepse për sa kohë bën muzikë cilësore nuk ekziston mundësia e konsumimit të imazhit profesional. Nëse nxjerr një këngë dhe është e mirë, njerëzit e pëlqejnë nuk ka mundësi konsumimi. Pastaj unë dua gjithnjë të arrij më të mirën, unë prandaj punoj me më të mirët që janë aktualisht në treg, me kompozitorin Genti Lako, koreografin Albi Nako dhe stiliste kam Rezarta Skifterin. Gjithashtu për sa i përket imazhit, unë gjithnjë përpiqem të mos e konsumoj atë. Shkoj në koncerte, jap intervista, por asnjëherë nuk shihem në çdo vend dhe pikërisht për të mos u konsumuar.

Çfarë planesh afatshkurtra dhe afatgjata keni?

Aktualisht po bëj një turne në gjithë Shqipërinë. Deri tani kam qenë në Rrëshen, Laç, Burrel. Këto turne kanë qenë një sukses i vërtetë dhe njerëzit më kanë pritur shumë shumë mirë. Këto janë pak a shumë planet aktuale. Gjithashtu dhe koncerte në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi.

Keni arritur në moshë të hershme shumë sukses, çfarë synoni më tej?

Synoj që të ndiqem nga një publik i huaj. Një avokat që është i njohuri i familjes dhe që jeton në Londër u ka dërguar katër shtëpive diskografike më të mëdha në botë CD-të me audio dhe klipe. Producentët në këto shtëpi diskografike janë edhe ato të Beyonce, Mariah Carey. Deri tani është bërë përzgjedhja e parë dhe njëra prej këtyre shtëpive diskografike është shprehur e interesuar.


Blerina Cara - Gazeta TiranaObserver


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama