Jeta ne simboliken e turjeles

Jeta në simbolikën e turjelës

Jeta është shumëformëshe, edhe nëse shprehet me gjuhën e sendeve, sidomos atyre që janë në lëvizje. Funksioni i tyre është dhe shprehi metafizike. Jeta jonë ndërtohet në një botë që lëviz. Ajo është si një send kur shihet nga larg, fjala vjen e fotografuar nga sateliti, por brenda saj gjakon jeta, që nga një atom i vetëm e deri te madhështitë primordiale në formën e sendeve e ideve. Dhe vetë planeti është gjithnjë në lëvizje, së bashku me shpirtrat, sikur të ishte një shpirt i stërmadh. Dhe jeta porsi një planet, porsi një kokrrizë rëre, a porsi një psherëtimë, mund të jetë dhe si një vidë (ose ndryshe bullon), madje dhe si një turjelë, që e ngulur diku me ushtën e saj të valuar me mprehtësi thike, diç kërkon: të hapë një vrimë, të gjejë një hapësirë, të vendosë një kontakt. Kështu dhe vida kërkon diçka: të vendoset diku, të bashkojë dy trupa. Dhe padyshim që ka diçka erotike në këtë mes, që finalizohet me tërheqjen manietike të shpirtrave. Por si janë shpirtrat, askush nuk e di, aq sa për t‘i vizatuar, për t‘i prekur.

Ata kanë vetëm gjuhën e tyre, shprehur në miliona forma dhe koncesione; edhe me anë të materies. Vida është materie. Turjela është materie. Trupat tanë janë materie, por që lëvizin pareshtur në kërkim të diçkaje; të një strofulle paqeje dhe kështu gërmojnë pa fund në tunele misteri, ku gjithkund shpresohet të ketë një dritë. Në gjuhën raveliane, kjo quhet Bolero. Kryevepra në fjalë po përgatitet të vihet në skenën e Arenës së Tiranës, ku premiera është planifikuar të jetë mbrëmjen e 20 qershorit. Pas "Katedrales së Parisit" vitin e kaluar, një sprovë e vështirë, por që arriti ta përligjë kurajon për t‘u vënë në një skenë shqiptare në një variant dansing me elemente skenografike spektakolare, "Tirana dance show", yshtet (dhe po e bën praktikisht) të luajë një variant të "Bolero"-s së Ravelit, me një performancë kërcimi që i shkon përshtat pjesës së luajtur vetëm me instrumente frymore. Nga Kanzas Siti kanë ardhur në Tiranë partet e variantit frymor të "Bolero"-s, ndryshe nga varianti origjinal klasik, me të gjitha llojet e instrumenteve, siç është ngjizur atë botë nga Raveli.

Vijnë nga Kanzas Siti, sepse, sipas drejtuesit artistik, Arian Sukniqi, vetëm atje ekzistoka partitura e "Bolero"-s frymor. Misionin për ta sjellë në këtë trajtë muzikore e ka marrë orkestra frymore e Tiranës. Ndërsa ajo që do të ndodhë në skenë, do të jetë përshtatje e tërësishme e këtij stili në performancë. Trupa njerëzorë me pamje anatomike, si trajta vizionare të shpirtit, do të harlisen me njëra-tjetrën, duke përcjellë mesazhin raporteve të trupave dhe shpirtrave në një jetë të pafund, ku dhe i gjalli dhe i vdekuri kanë gjuhën e tyre të kontaktit brenda një hapësire virtuale të pafund. Ata do të jenë "vidat" dhe "turjelat" e pafund që rrotullohen në çdo çast të ekzistencës e në çdo cep të saj. Rreth 30 minuta do të zgjasë kjo lloj shfaqjeje me emrin "Bolero". Pas saj, show do të vazhdojë me një muzikal, ku do të kalojnë në "revistë" në mënyrë interpretative, të gjithë hitet e mëdha të viteve ‘70, ‘80 dhe ‘90. Me Juliana Pashën dhe Gent Demaliajn, do të vijnë: Xho Koker, Majkëll Xhekson, Elton Xhon, Xhorxh Majkëll, Selin Dion e të tjerë, ku prapa çdo interpretimi do të ketë dansing.

Marre nga : Gazeta Shqip

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama