Lozanë 1919. "Shqiptarët kanë jetuar shumë pak për veten e tyre. Veprimtarinë e tyre, gjakun e tyre, talentin e tyre e kanë përfituar fqinjët. Ata kanë flijuar esencën më të mirë të tyre për të mirën e të tjerëve. Kështu ka ndodhur deri tani, por është pikërisht një epokë e re që duan ta fillojnë sot: të jetojnë dhe të punojnë për veten e tyre, për shqipen e tyre". Kështu e mbyll dorëshkrimin e tij për shqiptarët pas një udhëtimi të gjatë me fjalë nëpër dhjetëra libra të shkruar për ta, Mit‘hat Frashëri. Burri i njohur për kontributin e tij atdhetar në dobi të çështjes shqiptare kërkonte t‘u tregonte të huajve se ai popull i vlerësuar gjithnjë si "njerëz të fortë dhe të besës" nuk është vetëm kaq. Ai ka virtyte dhe cilësi, të cilat bota asnjëherë nuk ia ka njohur, ose ia ka fshehur. Kjo pasi shqiptarët gjithnjë kanë qenë në hije, duke besuar se virtytet nuk mund të komentohen. Ai i jepte të drejtë Dora D‘Istrias, asaj gruaje të këndshme, e cila shprehej se "ata vetë e kanë neglizhuar shumë për publicitetin dhe kanë bërë shumë gabim". "Çfarë kërkimesh duhet të bëj për të ndjekur këtë racë që merr përsipër përgjegjësi në Stamboll, në Hidra?", shprehej ajo.
Mit‘hati e quan punën e tij për këtë libërth, si një mënyrë për t‘u dhënë atyre atë që meritojnë. Pikërisht në vitet 1900, kohë kur është ngjizur ky libërth i botuar më pas në frëngjisht dhe vetëm kohët e fundit ka ardhur në shqip nga shtëpia botuese "Zenit", një njeri si Mit‘hat Frashëri kërkonte që kancelaritë evropiane t‘i njihnin këto cilësi. Është mirë që para të tjerëve të prezantohesh me një histori. Cili do të ishte ai, një burrë sado i ditur që do të pranohej si i tillë, ndërsa i kujtohej në çdo vend që shkelte se ai vinte nga Shqipëria, një vend gjithnjë i pushtuar, një vend gjithnjë i varfër. Pikërisht për të thyer këto koncepte, që në një farë mënyre ekzistojnë edhe sot në shekullin XXI, ai u ul në studion e tij, dhe ndërmori studimin më të rëndësishëm të lënë nga pena e tij, duke na dhënë një panoramë sa të trishtueshme dhe të vërtetë për rolin e shqiptarëve në Ballkan dhe përse asnjëherë nuk janë vlerësuar siç duhet cilësitë e tyre. Shqiptarët kanë qenë mbretër, sipas tij, kanë udhëhequr perandori dhe kanë ndikuar në rrëzimin e tyre, kur këto të fundit kanë cenuar sovranitetin e tyre, por kaq vite më vonë, sërish roli i tyre mbetet i zbehtë.
Botime të tilla si ky i Mit‘hat Frashërit na lënë të kuptojmë se sa rëndësi ka historia në jetën e një vendi dhe me sa shumë dashuri dhe kujdes duhet trajtuar ajo.
Për të qenë më shumë i bindur për atë çfarë kishte shkruar, i udhëhequr nga fakti se mos padashur kishte ngritur në piedestal racën e tij, thjesht në mënyrë instiktive, menjëherë sapo libri merr formë në dorëshkrim ai ia poston profesor Eugene Pittard, në Universitetin e Gjenevës. Në botimin që ka libri në shqip, ne shohim parathënien e profesor Pittard, i cili pasi ka lexuar dorëshkrimin e Mit‘hat Frashërit nuk denjon të shkruajë diçka për këtë popull. "Zotëri! Ne nuk njihemi personalisht dhe ju më dërgoni dorëshkrimin tuaj, duke më kërkuar mua, që ka studiuar diçka për Gadishullin Ballkanik, ndonjë fjalë-hyrje për broshurën tuaj. Si të mos prekem nga ky gjest besimi. Ju keni menduar se njerëzit e arsyeshëm nuk u besojnë kërkimeve me pasion dhe erdhët drejt dikujt vetëm që ai të mund të shohë problemet e rënda të pasluftës në Gadishullin Ballkanik me objektivitetin më të mundshëm, erdhët drejt dikujt që mendoni se nuk ka asnjë grimcë frymë imperialiste dhe që, në shembullin e miliona e miliona njerëzve, do të dëshmonte që kjo luftë do të ishte lufta e fundit. A jam me të vërtetë i denjë për këtë besim që po tregoni? Megjithatë, po i përgjigjem me dëshirë kësaj pyetjeje, se Shqipëria tek e cila nuk ekziston asnjë mendim pushtimi, nuk synon gjë tjetër veçse të ruajë kufijtë e saj historikë të kohës(kufijtë e saj të lashtë ishin shumë të mëdhenj) dhe të reformojë në paqe shtetin shqiptar, i cili, më mirë se në çfarëdo formë qeverisjeje do t‘u sigurojë të gjithë qytetarëve maksimumin e lirive individuale", shkruan Pittard.
Xxx
Ajo çfarë e shqetëson Mit‘hat Frashërin ndërsa hidhte në letër këtë libërth, ishin fjalitë e gjata ku shqiptarët cilësoheshin një "popull trim". A mund të përmbledhë kjo fjali gjithë virtytet e tjera, të cilat lihen në heshtje duke u mjaftuar vetëm me fjalën "trim". Sigurisht që ky është një atribut të cilin natyra ia ka gdhendur këtij populli dhe që është rritur gjithnjë e më tepër nga historia që ka kaluar. Të qenë gjithnjë në qendër të copëtimeve i ka bërë ata të kenë një forcë rezistence të natyrshme për t‘u mbrojtur. Por kaq nuk mjafton për të përshkruar një popull dhe kjo nuk është fjalia e duhur për t‘u krenuar kudo. Cilësia e luftëtarit, përballja me vdekjen pa iu trembur syri dhe pa ia pasur frikën, nuk duhet t‘u përjashtojë atyre virtyte të tjera. Vendi i shqiptarëve, i çarë e i copëtuar nga natyra dhe nga konfiguracioni i tij fizik, ka krijuar një diversitet të madh dispozitash natyrore dhe prirjesh te banorët e tij dhe ka bërë që, nëse mes tyre ka ushtarë të shkëlqyer të mos mungojnë nga ana tjetër tregtarët e zotë, zejtarët shumë të aftë dhe punëtorët e vuajtur.
Interesante në këtë botim është fakti se Mit‘hat Frashëri nuk kërkon të flasë vetë për vendin e tij. Ai jep një libër të mbushur me referime të njerëzve të ndryshëm që e kanë njohur nga afër këtë popull, referime që ai i ka gjetur pikërisht në vitet e para të pas 1900-ës. Ja si shkruan në librin e tij Brailsford kur flet për karakterin e shqiptarëve: "Ndjenja e nderit te shqiptari nuk është krejt e jashtme. Ai mund të vrasë pa e vrarë ndërgjegjja, nëse ofendohet, siç e pësuan në kurrizin e tyre oficerët turq dhe konsujt rusë‘ dhe nëse vrasësi, një i jashtëligjshëm i vetmuar, e konsideron këtë veprim si armiqësor ndaj fisit ai do të luftojë deri në fund, më mirë sesa t‘u dorëzohet autoriteteve. Ai është gjithashtu, i përpiktë në fjalën e dhënë. Për ta mbajtur këtë fjalë, ai do të përballojë vetë çdo rrezik dhe fisi e ndihmon atë me çdo sakrificë. Është jashtëzakonisht mesjetare, padyshim kjo ndjenjë nderi te shqiptari, ka mizori dhe çmenduri gjakësore, por ka njëfarë dinjiteti të brendshëm të një shpirti kalorësiak".
Von Dr. Karl Oestrich në veprën e vetë "Reiseeindrucke aus dem Cilejet Kossovo" admiron dhënien e këtij populli pas punës. "Arnautët që vijnë çdo vjeshtë në Bosnjë dhe në Hercegovinë nga të cilët një pjesë e kanë zakon të qëndrojnë atje, madje edhe gjatë stinës së verës, gjithashtu, tregtarët e pakët që janë vendosur atje prej kohësh janë njerëz shumë të zellshëm dhe praktikë".
Një tjetër virtyt që vlerësohet nga të huajt është kulti i familjes. "Solidariteti ndaj anëtarëve të familjes është shumë i fortë. Kjo gjë ndeshet jo vetëm në Veri, ku nën një çati banojnë me dhjetëra njerëz. Ata jetojnë në harmoni të përsosur dhe në një republikë të vërtetë, por ajo që është për t‘u theksuar më shumë është se vuajnë për vite të tëra jashtë atdheut e që të gjitha paratë ia dërgojnë një vëllai, i cili bëhet i pari i familjes dhe mban gjallë e të paprekur nderin dhe prestigjin e familjes"...
Një tjetër njohës i popujve të Lindjes së Afërt, Rene Pinon, ka theksuar: "Shqiptarët kanë një ndjenjë shumë të fortë solidariteti dhe interesi të përbashkët, pa dallim kulti dhe dialekti. Në 1879-ën kur traktati i Berlinit i dha Malit të Zi një kandon të populluar nga shqiptarë, ata formuan një "Lidhje shqiptare" dhe vrapuan me armë, të krishterë e myslimanë, në kryengritje përkrah vëllezërve të tyre të kërcënuar".
"Të forcuar nga një solidaritet etnik i fuqishëm në rritje dhe plot guxim...", thotë një tjetër autor.
Por nuk janë vetëm këto detaje në të cilat kërkon të ndalet Mit‘hat Frashëri. Nëpërmjet tyre ai kërkon të rrëfejë se ka edhe virtyte të tjera të rëndësishme, pasi mes figurave të shquara të kohëve moderne ka një numër shumë të madh shqiptarësh, njerëz të famshëm që meritojnë një konsideratë...
Në libërthin që nuk i kalon as 80 faqe, na vijnë qëndrime të ndryshme për shqiptarët, pikërisht në vitet 1900 dhe nëpërmjet tyre kuptojmë se e kaluara jonë ruan një identitet të cilin nuk e pohojmë vetëm ne, por dhe të huajt. Po sa keq që historia gjithnjë na është shkruar nga të huajt dhe ne qysh kohë më parë e kemi ndërtuar mbi atë çfarë kanë përshkruar ata.
Por kontributi i Mit‘hat Frashërit, atij burri që besoi në vlerat e vendit ku u lind, na vjen sot si një dëshmi për vlerat reale të cilat duhet t‘i kujtojmë më shpesh...
Një shkrimtar francez
"Ekziston në Gadishullin Ballkanik një popull i cili nuk ka jetuar kurrë falë vetes, e as për veten, por roli i tij gjatë shekujve ka qenë që ai t‘u japë pa ndërprerje kombeve fqinje lëndë njerëzore. Shqipëria ka qenë hambari ku romakët, grekët, bizantinët e turqit kanë marrë njëri pas tjetrit. Ndërkaq, në një formë protoplazmike disi, dua të them në masë të paorganizuar, raca shqiptare ka mbushur boshllëqet e hapura nga luftërat ose dekadenca në botën lindore. Nganjëherë në të kundërtën, ajo botë është ngritur, personifikuar te një njeri i madh, dora e të cilit pavarësisht se cili ishte, Mehmet Ali, Ali Tepelena, Skënderbeu apo Pirroja, trondiste një kënd tjetër të botës dhe shënoi mbi popujt vulën e gjenisë së vet. Jeta e shqiptarëve gjatë atij shekulli, vepra e tyre në Egjipt ku ata ishin mbretër, në Greqi ku ata qenë punëtorët e vërtetë të pavarësisë duhet të na shpjegojë mirë epoka të historisë së lashtë. Edhe kur shqiptarët hakmarrin Aleksandrin, Akilin etj., ekzagjerimi nuk është veçse në formë, paradoksi përmban një të vërtetë".
Eugene Pittard i shkruan Mit‘hat Frashërit
"Kur udhëton nëpër Gadishullin Ballkanik dhe kur studion nga afër dhe pa paragjykim popullatat që banojnë në ato vende, e kupton menjëherë se si vlerësohen, pothuajse kudo shqiptarët, të cilët varfëria e vendit të tyre i detyron të mërgohen për një kohë në të gjitha shtetet e Lindjes e deri në Amerikë. Shqiptarët janë shquar për trimërinë dhe besnikërinë ndaj qëllimit për të cilin janë betuar - tjetër përqasje e afrim me zviceranët - që meritojnë respekt. Trimëria te shqiptarët është një virtyt parësor, si për burrat ashtu edhe për gratë. Gratë suljote ishin shqiptare të vërteta. Ato do të mbeten në këtë vështrim shembuj që nuk mund t‘ua kalojë kush. Shqiptarët janë pasardhësit autentikë të ilirëve të lashtë. Ata zënë një hapësirë që të parët e tyre historikë kanë ditur ta mbrojnë me një heroizëm të pakrahasueshëm. Njihen vështirësitë ushtarake që iu desh të kapërcejnë romakëve për t‘u futur në Iliri. Dihet se në Gadishullin Ballkanik shqiptarët nuk u thyen kurrë nga osmanët. Historia e Skënderbeut nuk është harruar. Thjeshtësia e zakoneve, ndershmëria, dëshira për punë, aftësitë intelektuale, guximi, respekti për fjalën e dhënë janë virtyte dhe populli që i ka këto ka të drejtën për liri. Presidenti Wilson është sot arbitri i botës. Ai ka në shkallën më të lartë sensin e drejtësisë. Uroj me gjithë zemër që ju, me anë të historisë të mund t‘i ringjallni atij interes për Shqipërinë dhe fatin e saj. Po kështu, edhe të gjithë aleatëve bashkë me të, gjë që është e domosdoshme për sigurimin e të drejtave tuaja. Më lejoni gjithashtu, të shtoj se kam besim te shtetet që janë fqinjë me Shqipërinë. Ata nuk mund të mos kuptojnë se siguria juaj është në interes të tyre dhe që ajo është gjithashtu realizimi integral i së drejtës dhe i drejtësisë..."
Marre nga : Gazeta Shqip











