Orkestra Simfonike nje gala per 45-vjetorin

Orkestra Simfonike, një  gala  për 45-vjetorin

Koncerti që do të përmbajë vepra të zgjedhura nga autorët më në zë të muzikës shqiptare, si: Zadeja, Zoraqi, Ibrahimi, Laro, Gaqi, si edhe të literaturës botërore me Beethoven, Bellini, etj., do të synojë të përcjellë tek spektatori të gjithë rrugën e përshkuar nga kjo orkestër që prej krijimit të saj dhe për të kujtuar ato figura që kanë kontribuar për arritjet dhe punën e këtij formacioni. Janë të ftuar edhe ish-instrumentistë të orkestrës që tashmë jetojnë jashtë vendit, si: Simoni, Gjezi, dirigjentët E.Koço dhe E.Krantja apo tenori Josif Gjipali si i ftuar special. Koncerti do të paraprihet nga një ceremoni tjetër sonte në ambientet e Radio Tiranës ku të pranishmit do të kenë mundësinë të vizitojnë studiot e orkestrës si edhe një ekspozitë me aktivitetet në vite të orkestrës.

Pak historik

Orkestra Simfonike e RTSH-së u themelua më 16 maj të vitit 1962 si formacioni orkestral më i madh deri në atë kohë, kryesisht me muzikantë të rinj, të cilët studiuan në shkollat muzikore të vendit si edhe nga profesionistë të specializuar në Pragë, Moskë, Laipzig, etj., duke u emërtuar “Orkestra Simfonike e Radios dhe Kinematografisë”.

Koncerti i parë i saj u realizua më 20 gusht 1962 nën dirigjimin e Mustafa Krantja dhe në program u luajtën: Haydn–Simfoni, Mendelssohn–Koncert për violinë dhe orkestër me solist I.Madhi, dhe Mozart–Koncert për flaut dhe orkestër me solist. Gj.Shestani.

Në repertorin e orkestrës, përveç atij tradicional simfonik një vend të rëndësishëm zë edhe krijimtaria e kompozitorëve shqiptarë, gjë që përbën kontributin e saj më të madh në zhvillimin e traditës muzikore në vend.

U ekzekutuan dhe u regjistruan si emisione radiofonike për atë kohë, veprat e para të kompozitorëve shqiptarë, të cilët u bënë udhërrëfyesit e zhvillimit muzikor në vend. Këtu përmendim: Zadeja, Harapi, Daija, Grimci, Çangu, Lara, etj., deri te brezat më të rinj, si: Gaqi, Dizdari, Kushta, Laro, Peçi, Shupo, etj., të cilët lartësuan artin muzikor dhe rritën bashkë me të edhe nivelin artistik e mjeshtëror të Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit. Gjithashtu produksionet muzikore për shumicën e filmave shqiptarë mbeten një tregues i rolit të veçantë që ky formacion ka pasur në të gjitha fushat e krijimtarisë muzikore shqiptare.

Drejtues artistikë të orkestrës kanë qenë emra të njohur të skenës muzikore shqiptare, si: A.Grimci, N.Zoraqi, Gj.Simoni, S.Tili, Zh.Ciko, A.Hila, A.Kaçinari, J.Barbullushi dhe aktualisht E.Zhulali.

Orkestra është drejtuar me mjaft sukses dhe nga mjeshtra dirigjentë të huaj si Simsek (Turqi), Nikollayev (Rusi), Hobson (SHBA), de Bernard (Itali), Parisi (Itali), etj.

Orkestra ka realizuar mjaft koncerte dhe turne të rëndësishme jashtë vendit si në Itali, Austri, Greqi, Turqi, Gjermani, Kosovë, Mali Zi, ku është vlerësuar edhe me mjaft çmime.


Marre nga  :  Gazeta Metropol

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama