Dell Jemi gati te ndryshojme gjithcka

Dell: Jemi gati të ndryshojmë gjithçka

Dell ka treguar, gjatë një interviste për të përjavshmen gjermane "Der Spiegel" planet e tij të ardhshme, qasjen e "Dell" ndaj Kinës si dhe produktet e fshehta, që mund të ketë tashmë nën mëngë dhe që pritet të befasojnë tregun.

A pritët shumë për t‘u rikthyer?

Ndoshta mund të isha rikthyer pak më herët, por nuk mendoj se prita shumë gjatë.

Çfarë ju bëri të vendosni që të riktheheni?

Bordi më kërkoi të rikthehesha. Ishte e qartë që duhej të bënim disa ndryshime në kompani. Në fakt jam shumë i lumtur që rikthehem, kjo na jep një shans për të rizbuluar biznesin. Kemi një qasje shumë të re dhe të ndryshme ndaj gjërave. Jemi gati të vëmë në dyshim gjithçka, të ndryshojmë gjithçka, si dhe të bëjmë çdo gjë që duhet për të arritur sukses dhe rezultate për klientët tanë, aksionarët dhe njerëzit tanë brenda kompanisë.

Ka kohë që fitimet tuaja janë në rënie?

Një arsye është shumë e qartë për t‘u parë: numri i stafit u rrit me 50 % duke kapur shifrën 80.000 të punësuar, ndërsa të ardhurat u rritën me vetëm 15 %. Kjo nuk është një ide e mirë.

A ndiheni nën trysninë e aksionarëve?

Unë jam investitori më i madh në kompani, kështu që ndiej trysninë time.

Dell ka qenë prodhuesi më i madh i kompjuterëve në të gjithë botën. Por, vitin e kaluar, Hewlett Packard ua kaloi dhe u bë lider global në treg. Çfarë i bën ata më të suksesshëm se ju?

Ne vazhdojmë të jemi prodhuesi me më shumë fitime. HP-ja fiton para kryesisht përmes shitjes së printerëve. Fitimi i tyre në biznesin e kompjuterëve personalë është shumë më i vogël se yni. Por ata janë numri një në botë, në mënyrë absolute.

A ishte gabim që u përqendruat në prodhimin e desktopëve të kompanisë, ndërkohë që laptopët (kompjuterët portativë) fituan më shumë rëndësi dhe u kthyen në një domosdoshmëri për argëtimin shtëpiak?

Nëse shihni rritjen në tregun e kompjuterëve për kompjuterët personalë, ky ka qenë më i madh në vendet në zhvillim krahasuar me vendet e zhvilluara. Dell ka pasur një forcë më të madhe në tregun komercial të ekonomive të mëdha me një rritje më të ngadaltë. Kështu që, kompjuterët portativë, konsumatorët, tregjet në zhvillim, do të jenë destinacioniet tona të ardhshme. Cila ishte lëvizja juaj e parë pasi u rikthyet?

Një prej gjërave që bëra ishte të krijoja një lloj mjedisi amnistie. Praktikisht, ne thamë, na parashtroni në tryezë gjithë problemet tuaja dhe ju lutemi të na thoni gjithçka që nuk po shkon aq mirë sa duhet. Nga kjo nxorëm lista shumë të gjata. Për shembull, unë zbulova se Dell ka qenë një kompani, e cila ka qenë shumë e mirë për të dëgjuar, por që kishim humbur pak nga kjo. Kështu që, krijuam një faqe interneti të quajtur "Idea Storm" (Stuhi idesh). Tani po marrim mijëra ide nga klientët. Ose ata votojnë për lloje të ndryshëm kompjuterësh, kështu ne dimë se cili u pëlqen më shumë. Po marrim reagimin e konsumatorit në kohë reale. Është fantastike.

Vite më parë, njerëzit zinin radhë deri në rrugë sapo dilnin modele të reja kompjuterësh, me qëllim që të blinin kompjuterin më të fundit. Duket se kjo nuk ndodh më...

Ka ende një treg njerëz entuziastë që vazhdojnë të kërkojnë prodhimin më të fundit, po përqindja e tyre në tregun total po bëhet gjithnjë e më e vogël. Është gjithashtu e vërtetë që shpejtësia e procesorëve pritet në nivele të tilla, që nuk është se u nevojitet realisht njerëzve. Gjëja më e rëndësishme sot janë lidhjet me shpejtësi të lartë në internet, si dhe programet multimediale.

Me fjalë të tjera, njerëzit nuk kanë më nevojë për një kompjuter të ri çdo 18 muaj?

Varet nga puna që ke. Nëse je tregtar në një bankë investimesh, kërkon gjithmonë më të shpejtin. Do ta zëvendësosh kompjuterin çdo gjashtë muaj. Tani, konsumatorët ndoshta blejnë kompjuter çdo tre apo katër vjet.

Çfarë ju thotë kjo?

Që biznesi ynë po përqendrohet gjithnjë e më shumë te shërbimet. Sektori ynë i shërbimeve të biznesit është rritur në katër vjet, nga më pak se 2 miliardë dollarë në 6 miliardë. E kemi bërë kompjuterin personal të lehtë, të thjeshtë dhe efikas nga pikëpamja e kostos. Tani duam të bëjmë IT-në të tillë. Shumë kompani vuajnë vërtet nga kompleksiteti i IT-së dhe ata kanë nevojë për një ushtri konsulentësh, që të mbajnë në punë sistemet e tyre. Ne e quajmë "ushqimi i dinozaurëve". Këtu duam të ndihmojmë ne, me standarde të reja dhe të lehta. Sa për t‘ju dhënë një shembull: ne po menaxhojmë të gjithë strukturën e IT-së së Boeingut, duke përfshirë kompjuterët, programet kompjuterikë dhe printerët.

Kur Steve Jobs u rikthye tek "Apple", ai e rikrijoi kompaninë. Me suksesin e "i-Podit", tashmë vlera e saj në treg është shumë më e madhe se ajo e "Dell". A është puna e Jobsit një shembull për ju?

Ka shumë shembuj. "Apple" është një kompani shumë e ndryshme nga "Dell"-i. Por sigurisht që ai ka bërë një punë shumë të mirë.

A ka nevojë "Dell" për një revolucion të tipit "i-Pod"?

Nëse shihni ecurinë e "Dell"-it nga viti 1984 deri sot, ne kemi një histori të mbushur me risi. Nuk do të ndalojmë. Shikoni tregun e konsumatorit - deri tani po marrim pjesë në vetëm një pjesë të këtij biznesi, kompjuterët.

Si do të ndryshojë kjo?

Tani është ende sekret. Por mendoni se çfarë po ndodh me mjetet e komunikacionit jokabllorë. Ka një arsye përse ne zgjodhëm një drejtor të ri të Departamentit të Konsumatorit, i cili vjen nga "Motorola".

Konkurrenca juaj e re shkon përtej "Lenovos", "HP"-së dhe "Apples". Por është "Samsung", "Sony", "Dell", "Nokia", "Motorola", e kështu me radhë. Çfarë ju dallon prej tyre?

Kemi disa asete të mëdha. Kemi një marrëdhënie shumë të ndryshme me klientët tanë, e cila është shumë e vlefshme. Kemi një markë të fuqishme. Kemi lidhje të forta me klientë komercialë dhe kemi një model të zinxhirit të furnizimit. Nga "Dell" do të shihni shumë gjëra të reja.

A jua ndryshoi bota e Web-it 2.0 mënyrën tuaj të të menduarit?

Jam një njeri që besoj në komunitetet "on-line" si dhe materialet e prodhuara nga përdoruesit. Tani ne kemi një marrëdhënie me dhjetëra milionë klientë që janë në internet, në kohë reale, madje edhe në Kinë. Nëpërmjet këtij komunikimi, njerëzit na thonë se çfarë duan. Është shumë, shumë interesante.

Është e mirë apo e keqe transparenca në internet?

Është shumë e fuqishme. Tek "Dell.com", ne kemi tani klasifikime dhe opinione të klientëve. Nëse nuk e bëjmë këtë në faqen tonë, klientët gjithsesi do ta shkruajnë diku tjetër. Kështu që, përse të mos e bëjmë këtu diskutimin? Dhe në fakt, bëhemi më të besueshëm dhe më autentikë nëse këto diskutime ndodhin në faqen tonë. Njerëzit tanë dëgjojnë, u kushtojnë vëmendje dhe u përgjigjen. Klientët tanë duan "Windows XP"? E marrin. Kërkojnë "Linux"? E marrin. Kjo është shumë e ndryshme nga "Apple", që nuk e bën këtë. Ata janë artistë. Dhe nëse nuk të pëlqen arti i tyre, atëherë, shumë keq.


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama