Balerinet ringjallin Lumin e vdekur

Balerinët ringjallin Lumin e vdekur

Qerrja e ngarkuar me plaçkat e varfëra të shtëpisë u nis pa e ditur se ku do të mbërrijë. Historia zë fill aty. Brenga që mbart me vete, fatet e atyre njerëzve që lëkunden në tollovinë e jetës si ajo qerre nëpër baltërat e Myzeqesë, përplasen dhe ngërthehen me të tjera brenga, me të tjerë emra e fate.

Të gjithë i bashkon lumi i vdekur. Së shpejti, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ngjitet një vepër e veçantë. Kur themi “Lumi i vdekur” të gjithëve na vjen nëpër mend romani i famshëm i Jakov Xoxës. Por këtë herë ngjarja e përshkruar në romanin voluminoz të Xoxës përthyhet në lëvizje. Me muzikë të kompozitorit të madh shqiptar Çesk Zadeja dhe koreografi të mjeshtrit Agron Aliaj, në datën 8 qershor ngjitet për herë të parë në skenën e TKOB-it baleti “Lumi i vdekur”. Kjo vepër i paraprin një jave aktivitetesh kushtuar kompozitorit Zadeja në 80-vjetorin e lindjes.

Në ambientet e TKOB-it tashmë ka nisur puna. Është një punë voluminoze që do përfshijë një numër të madh balerinësh, të cilët do krijojnë atmosferën e një fshati myzeqar në vitet ’30 të shek. XX. Ashtu si edhë në roman në qendër të veprës janë dy të rinjtë Vita dhe Adili, që dashurohen dhe thyejnë tabutë e kryqëzimit të feve dhe zakoneve, si dhe i dalin përkundër beut të fshatit.

Është balerini Ezdalin Gorani që interpreton Adilin, djalin kosovar nga dera e Tafilajve, e zbritur në Myzeqe pas shpërguljeve të dhunshme serbe. Ndërsa Vita, vajza e brishtë e Pilo Shpiragut, fshatarit të dëbuar nga fshati i vet, interpretohet nga balerina Erisa Gina. Rreth dy të rinjve vërtiten familjarët, bashkëfshatarët, por edhe beu që lakmon Vitën e bukur. Kështu në rolin e Pilo Shpiragut interpreton Ledian Agalliaj. Manjola Hasani interpreton rolin e nënës së Vitës, Evis Nallbani vjen nën petkun e djalit të beut, Dion Gjinika në atë të tregtarit e kështu me radhë.

Një galeri e pasur personazhesh, që zgjohet prej fillimshekullit XX, për të ardhur në një tjetër formë dhe nën një tjetër këndvështrim. Për të sjellë këtë vepër të madhe, për të pikturuar personazhet në mënyrë sa më reale e me ngjyra të gjalla, Agron Aliaj, bën një ndërthurje koreografike. Klasikja, kontemporania dhe popullorja gërshetohen për të na dhënë një lojë sa të vrullshme, aq edhe lirike. Ashtu si edhe historia e “Lumit të vdekur” e mbushur plot ngjarje që ndjekin njëra-tjetrën.

Ngjarja vjen në një skenografi të ideuar nga Taulant Pustina, I cili gjithashtu realizon edhe kostumet e personazheve, duke u bazuar në karakteret e tyre, por njëkohësisht duke i afruar disi në kohë. Vënia në skenë e “Lumit të vdekur” është pjesë e projektit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe baletit për të ngjitur në skenë sa më shumë vepra shqiptare, për të shpalosur vlerat muzikore shqiptare, të lëna në harresë për vite me radhë. Vepra e Zadesë ngjitet në skenë pas “Migjenianes”, një tjetër vepër baleti me muzikë të Gjon Simonit. Mësohet se tashmë ka mbaruar edhe procesi i kompjuterizimit të partiturave, duke shtuar një vepër të shpëtuar fondit të TKOB.

Ky fond numëron një numër të madh veprash të autorëve shqiptarë, të cilat fatkeqësisht ruhen në partiturat origjinale, të shkruara nga autorët shumë vite më parë. Gjë që përbën një rrezik për veprat. Viteve të fundit, me ndërmarrjen e inisiativës, për të ngjitur në skenë vepra të autorëve shqiptarë është realizuar nga TKOB kompjuterizimi i disa veprave si “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, “Halili dhe Hajrija”, “Dhoma”, “Një vjeshtë me stuhi”, etj. Por ky është një numër shumë i vogël përballë atij të veprave që ruhen nëpër arkiva. Drejtuesit e institucionit kërkojnë ndihmën e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për të akorduar një fond të veçantë për shpëtimin e këtyre veprave.

Alma Mile -  Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama