Vizat e lojtareve kosovare ja cfare ndodhi ne Beograd

Vizat e lojtarëve kosovarë, ja çfarë ndodhi në Beograd

Përfundimisht, dje është vendosur se trajneri Adolfo Sormani do të ketë në dispozicion për transfertën e 18 gushtit edhe dy kosovarët, Ylber Ramadani me Labinot Ibrahimi. Telenovela e pajisjes me viza të dy lojtarëve ka marrë fund dje, ku në ambasadën ruse në Beograd Partizani ka siguruar lejen e hyrjes në Rusi për Ibrahimin dhe Ramadanin.

ramadani ibrahimi

Dy zyrtarët e klubit, Gerald Burba dhe Olsi Ranxhi, u paraqitën dje në orën 10:00 në përfaqësinë diplomatike të Rusisë në kryeqytetin serb, ku kanë bërë aplikimin për vizat e dy lojtarëve. Pas pesë orë pritjesh dhe ankthi të delegacionit, ku nuk kanë munguar edhe telefonatat e shumta nga Shqipëria për të siguruar lajmin e gëzuar, në orën 15:00 ata kanë marrë pasaportat e lojtarëve me lejekalimin për të hyrë në Rusi.

Zëdhënësi i klubit kryeqytetas, Olsi Ranxhi, në një prononcim për "Panorama Sport" tregon gjithë dinamikën e ngjarjeve të djeshme në ambasadën ruse në Beograd, e cila është si më poshtë: "Në orën 10:00 të paradites jemi paraqitur në ambasadën ruse në Beograd ku kemi dorëzuar dokumentacionin për dy lojtarët tanë, Ibrahimin dhe Ramadanin.

burga ranxhi

Gerald Burba dhe Olsi Ranxhi

Pritja nga personeli i përfaqësisë diplomatike të Rusisë ka qenë shumë e mirë dhe dashamirëse. Ata ishin të informuar për misionin tonë, pasi zyra konsullore e Rusisë në Shqipëri i kishte njoftuar për gjithçka. Kështu që nuk ndenjëm shumë dhe pasi dorëzuam dokumentacionin na u tha që të paraqiteshim në ambasadë në orën 15:00. Gjatë kësaj kohe kemi kaluar një periudhë ankthi, pasi nuk ishim të sigurt për përgjigjen që do të na jepnin.

Gjatë orëve të pritjes kemi pasur shumë telefonata dhe mesazhe nga persona të ndryshëm, që donin të dinin përfundimin, gjë e cila na e shtonte edhe më shumë stresin. Por në orën 15:00 morëm lajmin e gëzuar. Kur u paraqitëm në ambasadë na thanë që vizat i kishim gati. Lajmin e gëzuar e kemi shpërndarë menjëherë dhe jemi larguar duke falënderuar edhe punonjësit e ambasadës ruse në Beograd".

ILIR CARA



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama